Institucionet në RMV nuk kanë të dhëna të sakta për veprat penale ndaj kafshëve të egra

Asnjë institucion në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna të sakta se sa vepra penale kryhen ndaj kafshëve të egra. Nuk dihet numri i kafshëve të kapura, të vrara, të torturuara apo të helmuara ilegalisht, nuk dihet as edhe nëse janë hetuar këto raste, a janë ngritur akuza dhe as nëse është shqiptuar ndonjë […]

dhjetor 23, 2024 - 08:00
 0  5
Institucionet në RMV nuk kanë të dhëna të sakta për veprat penale ndaj kafshëve të egra
Rrëqebulli ballkanik, foto: Shoqata Ekologjike Maqedonase

Asnjë institucion në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna të sakta se sa vepra penale kryhen ndaj kafshëve të egra. Nuk dihet numri i kafshëve të kapura, të vrara, të torturuara apo të helmuara ilegalisht, nuk dihet as edhe nëse janë hetuar këto raste, a janë ngritur akuza dhe as nëse është shqiptuar ndonjë dënim dhe i çfarë lloji. Nuk ka të dhëna nëse ndonjë person ka kapur apo vrarë një rrëqebull ballkanik apo ka helmuar zogj, nëse ka mbajtur përgjegjësi për këtë dhe as se sa kafshë të egra janë viktima të kurtheve të ngritura ilegalisht në male, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Veprat penale kundër kafshëve të egra zakonisht janë pjesë përbërëse e të dhënave statistikore për numrin e përgjithshëm të veprave penale kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, ndërsa të dhëna të veçanta për ato nuk mund të gjenden në asnjë institucion.

Sipas të dhënave të fituara nga hulumtimet e profesoreshës së Fakultetit të Sigurisë, Marina Malish-Sazdovska, për dhjetë vjet, gjegjësisht nga viti 2013 deri në vitin 2022, janë ngritur gjithsej 1.807 kallëzime për vepra penale kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, për 778 prej të cilave janë ngritur aktakuza, ndërsa 653 kanë përfunduar me një aktgjykim. Në këto bëjnë pjesë edhe gjobat e marra për ndotjen e ajrit apo ujit, për shkatërrimin e pyjeve, apo shfrytëzimin e paligjshëm të burimeve minerale, por sa prej tyre në fakt janë për kafshët e egra dhe nëse ato kafshë i përkasin grupeve të rrezikuara dhe nëse janë të mbrojtura apo jo, nuk specifikohet.

Nga ana tjetër, të dhënat statistikore të Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se në shtatë vitet e fundit shumica e veprave penale janë për torturim të kafshëve, nga 23 deri në 34 në vit, ndërsa në nëntë muajt e këtij viti janë regjistruar 19 vepra penale të këtij lloji. Mirëpo, nuk specifikohet se sa nga këto raste kanë të bëjnë me kafshë të egra dhe sa me kafshë shtëpiake.

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë kësaj periudhe nuk ka regjistruar asnjë rast të tregtimit, importimit apo transportimit të paautorizuar të florës apo faunës së egër, as lëshim të paautorizuar të specieve të egra në natyrë. Këtë vit ka pasur vetëm dy raste të vrasjes apo asgjësimit të llojeve të mbrojtura të florës apo faunës së egër dhe një rast të gjuetisë, mbajtjes dhe tjetërsimit të palejuar të kafshëve dhe shpendëve të egra.

Nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë thonë se hetimi i krimit kundër kafshëve të egra duhet të ketë prioritet më të madh tek institucionet, ekspertizat të jenë të shpejta dhe adekuate, ndërsa materialet të mblidhen nga persona të autorizuar në mënyrë që ato të jenë prova të vlefshme në procedurat gjyqësore. Ata theksojnë se do ishte ideale që Ministria e Punëve të Brendshme të ketë një njësi për krim ekologjik, ndërsa Prokuroria publike të ketë prokurorë të specializuar.

“Ka sinjale pozitive dhe një dëshirë në mesin e të gjitha institucioneve për të bashkëpunuar në këtë temë, që është një kusht i madh për vendosjen e një bashkëpunimi ndërinstitucional. Është e nevojshme të punohet edhe në bazat e të dhënave, si dhe në përcaktimin e procedurave operacionale për trajtimin e çdo vepre penale kundër kafshëve të egra. Edhe pse jemi të vetëdijshëm që institucionet kanë kapacitete të kufizuara, megjithatë është shumë e rëndësishme që të mos i shmangen obligimeve dhe të marrin pjesë në proces”, thotë Arta Starova nga ShEM.

Duke pasur parasysh se aplikimi i forenzikës gjatë veprave penale kundër kafshëve të egra është një segment kyç, por po aq i rëndësishëm është edhe veprimi i shpejtë dhe bashkëpunimi efikas ndërinstitucional, pasi që provat në këto raste janë të ekspozuara ndaj ndikimeve të jashtme dhe mund të bëhen të papërdorshme, Shoqata Ekologjike e Maqedonisë kohëve të fundit në Prokurorinë Themelore Publike organizoi një punëtori për prokurorët publikë, inspektorët dhe përfaqësuesit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Fakultetit të Mjekësisë Veterinare për ekspertizë gjatë krimit ndaj kafshëve të egra.

Krahas nevojës për një njësi të posaçme për zbulimin e krimit ekologjik në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe prezantimin e prokurorëve publikë të specializuar për mjedisin jetësor u theksua se është e nevojshme të bëhet miratimi i procedurave standarde kombëtare të funksionimit për vepra penale të ndryshme kundër kafshëve të egra dhe përforcimi i numrit dhe ekspertizës së punonjësve në shërbimet e inspektimit.

“Kur bëhet fjalë për dyshim për vepër penale kundër kafshëve të egra dëshmia cilësore dhe në kohë e ekspertit është segmenti më vendimtar në kallëzimin penal që do t’i dorëzohet prokurorit publik kompetent”, thotë prokurorja Spasenka Andonova, nënkryetare e Shoqatës së Prokurorëve Publikë të RMV-së.

Aleksandar Pavllov nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë thotë se ka paqartësi kur bëhet fjalë për trajtimin e veprave penale ndaj kafshëve të egra, sepse edhe pse institucionet kompetente i njohin kompetencat e veta, mungon praktika që secili institucion të veprojë në mënyrë të koordinuar pa e penguar apo komplikuar rrjedhën e procedurës.

“Duam ta përforcojmë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të krijojmë një marrëdhënie ku topi nuk do hidhet nga njëra palë tek tjetra, por do të ketë një unitet në zgjidhjen e rasteve. Për këtë ka ende punë për të bërë, por na gëzon entuziazmi dhe interesimi nga të gjitha institucionet”, thotë Pavllov.