Intervistë me Avokatin e Popullit Naser Ziberi: Në fokus institucionet etnikisht të pastra, arsimi i ndaluar shqip në RMV, gjyqësori dhe korrupsioni

Gjendja e një shteti më së miri mund të shihet në bazë të asaj se çfarë shkeljesh regjistron mbrojtësi zyrtar i të drejtave të tyre. Kështu thotë në një intervistë për Portalb.mk, Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi. Maqedonia e Veriut në vitin 2024 ka regjistruar shkelje në të gjitha sferat, regres […]

Jan 21, 2025 - 08:00
 0  4
Intervistë me Avokatin e Popullit Naser Ziberi: Në fokus institucionet etnikisht të pastra, arsimi i ndaluar shqip në RMV, gjyqësori dhe korrupsioni
Naser Ziberi, Avokati i Popullit në RMV. Foto nga Portalb.mk

Gjendja e një shteti më së miri mund të shihet në bazë të asaj se çfarë shkeljesh regjistron mbrojtësi zyrtar i të drejtave të tyre. Kështu thotë në një intervistë për Portalb.mk, Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi.

Maqedonia e Veriut në vitin 2024 ka regjistruar shkelje në të gjitha sferat, regres në disa prej tyre ndërsa përparim në asnjërën. Për më shumë se 1.200 të burgosur në ‘Idrizovë’ kujdeset vetëm një mjek, kushtet në burgje: një tmerr i vërtetë.

Në disa shkolla, nxënësve shqiptar dhe romë u është mohuar e drejta për t’u arsimuar në gjuhën e tyre. Ka dhjetëra institucione në të cilat nuk ka asnjë shqiptar të punësuar, nga 24.7% shqiptarë të punësuar në sektorin publik vetëm 18% janë në pozita drejtuese.

Disa nga institucionet e ‘pastra’ etnikisht janë Agjencia e Filmit, Byroja e përfaqësimit të vendit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Drejtoria e Veprimtarisë së Rrezatimit. Akademia e Shkencave dhe Arteve nga 92 të punësuar, ka vetëm një shqiptar dhe asnjë nga komunitetet tjera.

Avokatin e Popullit e ka shqetësuar shfuqizimi i instrumentit ‘Balancues’. Ai kërkoi që të votohet ligji për përfaqësim adekuat. Po, do e ketë më të vështirë, por Ziberi u zotua që sa është në krye të këtij institucioni, do monitorojë dhe kritikojë të gjitha institucionet që nuk e respektojnë këtë parim.

Më poshtë mund të lexoni bisedën e plotë me Avokatin e Popullit.

Intervistoi: Ardit Ramadani

Portalb: Zoti Ziberi, a mund të na flisni pak për shkeljet më të shpeshta të të drejtave dhe lirive të njeriut që i keni vërejtur gjatë vitit 2024. A ka sfera në të cilat kemi pësuar regres në krahasim me vitet paraprake?

Naser Ziberi: Regres mund të thuhet se nuk ka përveç situates në burgje ku ka përkeqësim të gjendjes dhe në spitalet psikiatrike ku vendosen persona të cilët vuajn dënime me burg. Në fushat tjera situata është e njejtë me vitin paraprak prandaj edhe nuk ka rënie të numrit të parashtresave, numrat janë të ngjashëm me vitet e kaluara, por ka një rritje në disa fusha që do të doja t’i theksoja këtu. Megjithatë, duke pas parasysh se viti 2024 ishte vit zgjedhor, kemi pasur zgjedhje të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, dhe të gjithë ne e dimë se në një vit zgjedhor, të gjitha punët ngecin për disa muaj e me këtë edhe qytetarët janë përballur me vonesa në realizimin e të drejtave të tyre para organeve të administrates publike, qoft në nivel qendror qoft në nivel lokal.

Nuk është befasi, ndërkaq ju mediat vazhdimisht keni raportuar për këtë situatë, që në vitin e kaluar 2024, në vend të parë për nga numri i parashtresave të parashtruara, pas shumë vitesh, ishin ato në fushën e gjendjes civile, në radhë të parë në fushën e lëshimit të dokumenteve personale. Në shifra, kjo arrin në 400 parashtresa të parashtruara, gjysma e të cilave, ose 200, kanë të bëjnë pikërisht me këtë problem. Numri mund të duket i vogël, por nëse konvertohet në përqindje, atëherë kemi një rritje fantastike mbi 200 për qind.

I madh ka qenë edhe numri i parashtresave nga fusha e jurisprudencës, por duhet të theksoj se vitin e kaluar, për herë të parë pas shumë vitesh, këto parashtresa, siç e thashë më lart, nuk ishin në vend të parë për nga numri i parashtresave të paraqitura. Këtu në radhë të parë mendoj për parashtresat që kanë të bëjnë me punën e përmbaruesve, që besoj se vjen si pasojë e plotësimit të kërkesës sonë për ndryshime ligjore në fushën e arkëtimit të interesit të vonesës, gjë që u krijonte probleme qytetarëve në procedurat përmbarimore prej vitesh, dhe në të cilat ata thjeshtë ranë në skllavëri borxhi.

Gjëja e tretë që do të veçoja për vitin 2024 është rritja e numrit të parashtresave në fushën e mjedisit jetësor, diçka që mua si avokati i popullit më inkurajon dhe më nxit në vitin 2025 që të punojmë me një tempo më të përshpejtuar në këtë fushë, sepse nuk është asgjë më e rëndësishme se jeta në një mjedis të shëndetshëm. Kur flas për këtë fushë, dua të theksoj se numri i këtyre parashtresave në vendin tonë prej vitesh ka qenë njëshifror, ose si të thuash, i papërfillshëm. Për në fund, kur bëhet fjalë për këtë temë, karakteristike për vitit 2024, do të veçoja edhe rritjen e numrit të parashtresave që i punon mekanizmi i kontrollit civil, që ka të bëjë me punën e policisë dhe policisë së burgjeve.

Portalb: Korrupsioni ishte ndër temat kryesore në vitin 2024. Kishim zyrtarë dhe gjykatës që u përfshinë në listën e zezë amerikane. Si e vlerësoni përballjen e dobët me korrupsionin në gjyqësor?

Naser Ziberi: Nga pozita e Avokatit të popullit mund t’i paraqes problemet për të cilat ankohen qytetarët kur bëhet fjalë për gjyqësorin. Përkatësisht, numri më i madh i parashtresave ka të bëjë me (mos)respektimin e parimit të gjykimit brenda afatit të arsyeshëm – ligjor, apo faktin se procedurat gjyqësore janë duke u zvarritur, pavarësisht se për cilën gjykatë dhe në cilin nivel bëhet fjalë dhe kjo me të vërtetë është problem.

Merrni për shembull kontestet e punës, të cilat konsiderohen urgjente dhe të cilat duhet të zgjidhen brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm, sepse këtu në shumicën e rasteve bëhet fjalë për sigurimin e ekzistencës, por në realitet, nuk është kështu. Mos të përmendi gjyqësorin administrativ ku kontestet zgjasin me vite, e disa edhe me dekada, siç janë për shembull procedurat e denacionalizimit.

Sa i përket çështjes së përballjes me korrupsionin, mendoj se vetëm me një bazë të mirë ligjore dhe me vullnet të fortë të atyre që janë përfshirë në procesin e përballjes me të, do të kemi rezultate. Ky proces nuk kërkon politikë dhe ndërhyrje të politikës, por kuadër/hetues të mirëpërgatitur që do të udhëhiqen nga ligjet dhe do të dinë t’i zbatojnë ato në praktikë. Kërkon gjyqësor profesional dhe të pa ndikuar, ndërsa detyra e poltikës është që të pregatit kuadër të mirë ligjor.

Naser Ziberi, Avokati i Popullit në RMV. Foto nga Portalb.mk
Naser Ziberi, Avokati i Popullit në RMV. Foto nga Portalb.mk

Portalb: Vitin e kaluar ‘përcollëm’ në histori instrumentin që balanconte punësimet në administratën shtetërore. Si e vlerësoni këtë veprim të Gjykatës Kushtetuese dhe në çfarë forme do t’i grumbulloni tashmë të dhënat për përfaqësimin etnik në institucionet shtetërore, kur, praktikisht, është ndaluar deklarimi i etnisë gjatë punësimit?

Naser Ziberi: Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i qytetarëve të cilët u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet është vlerë themelore e rendit kushtetues të parashikuar me Amendamentin e IV të Kushtetutës ndërsa Avokati i Popullit është organ shtetëror i cili, në përputhje me Amendamentin e XI të Kushtetutës, i kushton vëmendje të veçantë mbrojtjes së parimeve të mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror, institucionet dhe shërbimet e tjera publike dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Domethënë, obligim i Avokatit të Popullit është të monitorojë zbatimin e këtij parimi dhe natyrisht të japë rekomandime për zbatimin e tij. Prandaj, unë si avokati i popullit, përveç që e publikojë Raportin vjetor për zbatimin e këtij parimi, shpeshherë edhe i analizoj të dhënat, jap komente dhe kritikoj organet që nuk i përmbahen, ose më saktë nuk i zbatojnë këto parime kushtetuese. Ju siguroj se, derisa të jem unë në krye të këtij institucioni, kështu do të jetë edhe më tutje.

Sa i përket vërejtjeve në lidhje me zbatimin e balancuesit, është e vërtetë se në raportet e fundit kam vënë në dukje se në praktikë ka pasur deformime në zbatimin e tij kur qytetarët e një komuniteti paraqiteshin sikur të ishin të një komuniteti tjetër për të fituar të drejtën për punësim dhe prandaj kam kërkuar nga ministria kompetente – Ministria e Administratës Publike – të propozojë korrigjime për të parandaluar keqpërdorime të mundshme të mëtejshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se instrumenti duhej të ishte shfuqizuar si mjet për zbatimin praktik të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në sektorin publik.

Unë kam qenë kategorikisht kundër shfuqizimit të dispozitave në Ligjin për punonjësit e sektorit publik, shfuqizimit të dispozitave të Ligjit për nëpunësit administrativë dhe shfuqizimit të Metodologjisë për planifikimin e punësimeve në sektorin publik në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, ose i njohur në zhargonin politik si balancuesi.

Pa dispozitat e ligjeve të cilat i citova dhe metodologjinë për planifikimin e punësimeve, dispozita kushtetuese për përfaqësim të drejtë dhe adekuat si vlerë themelore e rendit tonë kushtetues do të jetë vetëm deklarative pa efekte praktike dhe diskriminimi në baza etnike në procedurat e punësimit në sektorin publik do të jetë i njëjtë si para vitit 2001 kur përfaqësimi i shqiptarëve dhe jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i komuniteteve të tjera më të vogla si komuniteti turk, rom dhe boshnjak ishte në një nivel jashtëzakonisht të pakënaqshëm.

Në fakt, një situatë e tillë ishte arsyeja kryesore e ndryshimeve në nenin 8 të Kushtetutës me amendamentin e IV, me të cilin përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u ngrit si vlerë themelore e rendit tonë kushtetues, kurse I njtjti pastaj u operacionalizua dhe jetësua me miratimin i Ligjit për punonjësit e sektorit publik, Ligjin për nëpunësit administrativë dhe Metodologjië për planifikimin e punësimeve në sektorin publik sipas parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.Pa ekzistimin e normave ligjore dhe nënligjore që e vënë në jetë këtë parim kushtetues rezultate nuk mund të ketë.

Prandaj, është e nevojshme që sa më shpejt të miratohet ligji i ri i paralajmëruar për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat i cili duhet t’a plotësojë këtë boshllëk ligjor, se cilat do të jenë dispozitat e këtij propozimi, un nuk e di, por ju siguroj se Avokati i popullit, si organ që i kushton vëmendje të veçantë kundër diskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, do të informojë institucionet kompetente dhe opinionin për qëndrimin e tij.

Sa i përket monitorimit të mëtejshëm të zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, Avokati i popullit do të vazhdojë të kryejë anketa dhe hulumtime, meqenëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë me kompetencën e Avokatit të popullit për monitorimin e situatës në fushën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, pasi kjo është kompetencë kushtetuese e Avokatit të popullit, ndërsa as Ligji për Avokatin e popullit, ku është vërtetuar kjo kompetencë nuk është kontestuar as nuk mund të kontestohet, e aq më pak të shfuqizohet, sepse këto janë të drejta të garantuara me Kushtetutë.

Pyetja është se cilat do të jenë rezultatet e raporteve të ardhshme nëse ligji i ri nuk miratohet ndërkohë? Jam i sigurt se në atë rast rezultatet do të jenë edhe më të këqija dhe Avokati i popullit do t’i paraqesë në opinion, do ti njohtoj organet kompetente dhe do të kërkojë tejkalim të situatave të tilla me rekomandime konkrete.

Portalb: Në këtë drejtim, a ka ende institucione shtetërore në Maqedoninë e Veriut që nuk kanë asnjë të punësuar shqiptar, cilat janë?

Naser Ziberi: Fatkeqësisht, ka ende organe të pushtetit qendror ku nuk ka asnjë të punësuar pjesëtar të bashkësisë shqiptare, ndërsa mos të flasim për pjesëtarët e bashkësive të tjera më të vogla si turqit, romët dhe bashkësitë e tjera më të vogla.

Për shembull, nuk ka asnjë të punësuar shqiptar në Agjencinë e filmit apo nga ndonjë bashkësi tjetër, Byronë e përfaqësimit të RMV-së në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Drejtorinë e veprimtarisë së rrezatimit etj. Unë shpesh herë e krtikoj edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve ku nga 92 të punësuar në administratën ASHAM-it vetëm një është i nacionalitetit shqiptar dhe asnjë nga komunitetet tjera joshumicë. Një institucioni si ASHAMI-i vlrtet nuk i bën nder kjo gjendje dhe i bën shembull shum negativ në segmentin e barazisë dhe antidiskriminimit.

Ky numër i institucioneve është edhe më i madh në raport me punonjësit në pozita udhëheqëse, respektivisht situate është edhe më e keqe kur flasim për përfaqsimin në vendet udhëheqëse.

Në përgjithësi, punësimi në strukturat drejtuese është i pamjaftueshëm dhe për ilustrim do të përmendi se nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik, nga 24.7 për qind, në strukturat drejtuese janë vetëm 18 për qind, gjendja gjithashtu është negative edhe për tre komunitetet tjera më të vogla: turqit, romët dhe boshnjakët. Tek komuniteti maqedonas, serb dhe vlleh, situata është e kundërt, kështu që nga numri i përgjithshëm i të punësuarve maqedonasit marrin pjesë me 71,6 për qind, ndërsa në pozita drejtuese marrin pjesë me 75,9 për qind.

Portalb: Pos tjerave, arsimi gjithashtu u përballë me shumë sfida në vitin 2024. A mund të na flisni për disa prej tyre. Për shembull, më intereson, a ka ende nxënës shqiptarë që u mohohet e drejta për t’u arsimuar në gjuhën e tyre?

Naser Ziberi: Vitet e fundit pasi që filloi të zbatohet intenzivisht procesi i arsimit gjithëpërfshirës, ​​janë shfaqur edhe sfidat më të mëdha, nga ato më themeloret, siç është aksesueshmëria e institucioneve arsimore dhe përshtatja e tyre me mësimdhënien e personave me aftësi të kufizuara, deri tek sigurimi i asistentëve personal dhe edukativ që janë të patjetërsueshëm për kyçje në këtë proces.

Vite me rradhë në Kuvend kanë ngecur disa ligje, sidomos ligji për arsimin e mesëm, i cili duhet të zgjidhë shumë probleme. Sfidë e madhe është ballafaqimi me segregacionin e fëmijëve romë në shkollat ​​fillore në Shtip dhe Manastir, e vërtetuar me aktgjykim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por ajo që është shqetësuese është se këtë fenomen e kemi edhe në Prilep, që do të thotë se procesi, në vend që të shtypet, po përhapet. Mendoj se shteti dhe pushteti vendor duhet ende të punojnë fort për tejkalimin e këtij problemi serioz.

Avokati i popullit, në Raportin vjetor për nivelin e sigurimit, respektimit, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut për vitin 2023, konstatoi shkelje të të drejtave të fëmijëve në fushën e arsimit fillor dhe të mesëm të fëmijëve të kombësisë shqiptare. Pra, shkelje të të drejtës për arsim në gjuhën amtare-shqipe.

Konkretisht, bëhet fjalë për tri shkolla fillore, dy në Shkup, në Komunën e Gazi Babës, në fshatrat Bërnjarcë dhe Idrizovë, përkatësisht shkollën fillore Njegosh, si dhe në komunën e Çashkës, përkatësisht Shkollën fillore ,,Todor Janev’’. Poashtu shkelje kemi konstatuar edhe në shkollën e mesme “Koço Racin” në Veles ku kemi vërejtur shkelje të së drejtës së fëmijëve për arsim të mesëm në gjuhën e tyre amtare. Fëmijët që dëshironin të mësojnë në gjuhën amtare – shqip në vendbanimet e tyre fakteqësisht edhe sot e kësaj dite nuk e realizojnë atë të drejtë, por të njëjtit transferohen në shkolla të tjera dhe jo në vendbanimet e tyre.

Kundërshtimi i prindërve që në këto shkolla të happen paralele në gjuhën shqipe dhe mosmarrja e masave të duhura jo vetëm që shkatërron konceptin e arsimit gjithëpërfshirës, ​​por edhe cenon të drejtën e garantuar me kushtetutë dhe ligjin për arsimim në gjuhën amtare.

Portalb: Për në fund, a mund të na flisni pak më shumë për gjendjen në burgjet e vendit. Me çfarë përballen të burgosurit, për çfarë ankohen më shumë?

Naser Ziberi: Kushtet në institucionet ndëshkuese dhe korrektuese janë ende në një nivel të pakënaqshëm, përsa i përket mosrespektimit të standardeve minimale për akomodim, të parashikuara me rregulloret vendase dhe ndërkombëtare.

Kushtet e jetesës në institucione janë të pamjaftueshme për sa i përket higjienës (mosmbajtja e higjienës dhe mungesa e produkteve të duhura higjienike për mirëmbajtje, dezinsektim, dezinfektim dhe deratizim jo i rregullt), për sa i përket hapësirës minimale individuale për akomodim të personave të dënuar dhe të paraburgosur, si rrjedhojë e të cilave sërish paraqitet mbipopullimi në institucione.

Situata është më e keqe në tri fusha edhe ate: akomodimi, përkatësisht kapacitetet akomoduese, më e theksuar është në Burgun e Idrizovës, ku është vendosur gjysma e të burgosurve në vend, dhe në Burgun e Shtipit, pastaj personeli i pamjaftueshëm policor, arsimor dhe shëndetësor, si dhe sanitar dhe kushtet higjienike.

Janë ndërmarrë aktivitete për rindërtimin e institucioneve (p.sh. është rinovuar dhe vënë në përdorim krahu i pestë në seksionin e mbyllur të institucionit korrektues Idrizovë), por pavarësisht rekonstruimit të kryer, aktivitetet e ndërmarra deri më tani nuk janë të mjaftueshme, nevojitet mirëmbajtje e vazhdueshme konform standardeve minimale të parapara për institucionet për akomodim të personave të dënuar dhe të paraburgosur.

Kujdesi shëndetësor është ende një problem i madh. Sa për ilustrim, gjysma e burgjeve nuk kanë mjek, ndërsa të burgosurit munden të bëjnë kontroll mjekësor vetëm dy herë në javë. Paramendoni në burgun më të madh “Idrizovë” me më shumë se 1200 të burgosur ka të punësuar vetëm një mjek të përgjithshëm, dy infermiere dhe një psikiatër sipas nevojës. Në burgun e Kumanovës ende nuk ofrohet terapi metadon, ndonëse edhe këtu të varurit nga droga dërgohen për vuajtje të dënimit me burg, për të mos përmendur procesin e risocializimit, i cili nuk ekziston, dhe situata është e ngjashme me mundësinë e përfundimit të arsimit.

Ziberi përmbylli këtë intervistë duke thënë se si për gjendjen në burgje, ashtu edhe për gjendjen e keqe në sferat tjera të lartëpërmendura vazhdimisht drejton rekomandime deri te institucionet përkatëse, por siç thotë ai, rezultatet nuk shihen andaj për të gjitha këto shteti shpesh herë kritikohet edhe nga Komisioni Evropian.