Kos dhe Sikorski nuk e përmendën RMV-në në fokusin e zgjerimit, Murtezani: Kemi mbështetjen e Presidencës Polake me BE-në
Republika e Maqedonisë së Veriut nuk u përmendet fare në komunikatën e takimit ndërmjet ministrit të Jashtëm polak, Radosllav Sikorski dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, që u mbajt në Varshavë, edhe pse në fokusin e biseduesve ishte politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian, raporton Portalb.mk. Që nga 1 janar 2025 Polonia udhëheqë me […]
Republika e Maqedonisë së Veriut nuk u përmendet fare në komunikatën e takimit ndërmjet ministrit të Jashtëm polak, Radosllav Sikorski dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, që u mbajt në Varshavë, edhe pse në fokusin e biseduesve ishte politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian, raporton Portalb.mk.
Që nga 1 janar 2025 Polonia udhëheqë me Këshillin e BE-së, për kryediplomatin polak Sikorski politika e zgjerimit është një instrument shumë i rëndësishëm për konsolidimin dhe promovimin e paqes, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe prosperitetit në Evropë.
Ministri i Jashtëm polak theksoi se sinkronizimi i politikës së jashtme me vlerat e BE-së është një kusht kyç i anëtarësimit për të gjithë kandidatët.
“Anëtarësimi në BE nuk është një detyrim, por një zgjedhje e lirë e bërë nga një vend dhe qytetarët e tij. Kur vendosni të bashkoheni, duhet të pranoni këto rregulla të përgjithshme. Për fat të keq, ne po vërejmë disa tendenca negative në politikën e zgjerimit, të cilat duhet t’i kundërshtojmë së bashku me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të interesuara”, tha Sikorski.
Ai e siguroi Kos-in se Polonia do të mbështesë gjithashtu partnerët e saj nga Ballkani Perëndimor në rrugën e tyre eurointegruese. Gjatë presidencës, Polonia do të punojë për hapjen e mëtutjeshme të klastereve me Shqipërinë dhe mbylljen e disa kapitujve të negociatave me Malin e Zi. Në të njëjtën kohë, po punohet për anëtarësimin e Serbisë.
Ministri i Jashtëm Sikorski theksoi se presidenca polake dëshiron të mbështesë të gjitha vendet e tjera kandidate në rrugën e tyre të anëtarësimit,
Ata folën edhe për Partneritetin Lindor, një nismë që duhet përditësuar dhe përshtatur me situatën e re gjeopolitike dhe në veçanti për ta bërë më tërheqëse ofertën e BE-së për Armeninë.
Mospërmendja e Maqedonisë së Veriut në këtë komunikatë lidhur me aspiratat dhe planet e Presidencës Polake, ngre shqetësimin nëse vendi nuk është në agjendë dhe se çfarë do ndërmarrin institucionet e RMV-së për t’u imponuar në agjendë.
Për këtë biseduam me ministrin për Çështje Evropiane Orhan Murtezanin, i cili është edhe kryenegociator me BE-në. Për Portalb.mk ai ka deklaruar se, javën e kaluar nga vet homologu i tij polak, Adam Szlapka ka dëgjuar për planet planet e presidencës polake.
“Ministri Szlapka më siguroi që zgjerimi i Bashkimit Evropian është ndër prioritetet kryesore të Polonisë gjatë gjashtë muajve të ardhshme dhe se Maqedonia e Veriut ka mbështetje maksimale në rrugën e integrimit evropian. Dëshmi për këtë angazhim serioz të Polonisë është edhe ftesa që kam marrë për në muajin shkurt për takim në nivel të ministrave për çështje evropiane të BE-së dhe vendeve kandidate ku temë kryesore diskutimi do të jetë politika e zgjerimit të BE-së”, tha Murtezani.
Shqetësimet e vendit, shtoi Murtezani, dëgjohen me shumë kujdes nga shumë vende anëtare të BE-së e sidomos fakti që bilateralizimi i zhvillimit të negociatave për anëtarësim në BE, sepse, siç tha ai, aq sa i dëmton vendet kandidate, po aq e dëmton edhe interesin strategjik të BE-së në këto kohë të turbullta.
“Ne mbesim seriozisht të angazhuar për të përshpejtuar procesin e eurointegrimit të vendit, madje edhe për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese, mirëpo së pari përmes dialogut dhe ndërmjetësimit të BE-së duhet të jemi të sigurt që perspektiva eurointegruese e Maqedonisë së Veriut është e garantuar dhe që do të përfundojë në afat të caktuar”, deklaroi Murtezani.
Përkundër retorikës politike dhe diplomatike në Shkup, Brukseli është i qartë në atë se çfarë pret nga Maqedonia e Veriut. Së fundmi qëndrimi i BE-së, në raport me Maqedoninë e Veriut është shprehur përmes komisioneres evropiane për zgjerim Marta Kos, e cila tha se Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për të ndryshuar Kushtetutën me qëllim që të përparojë në procesin e anëtarësimit në BE.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Rokas: Ka interes të madh dhe vullnet të mirë ndaj RMV-së për hapjen e kapitullit të negociatave
- LEXO: Shkupi shpreson që hapja e kapitujve të ndodhë këtë vit, Brukseli pret ndryshimet kushtetuese
- LEXO: Maqedonia e Veriut rrezikon të bëjë hapa prapa në raport me kandidatët tjerë të Ballkanit Perëndimor për në BE