Ish-zëvendëskryeministri i BDI-së, Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion
Ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë […]
Ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler ka informuar se e kanë zgjeruar Listën e Zezë, ndërsa po ndërmarrin veprime për të promovuar përgjegjësinë për autorët e korrupsionit dhe abuzimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën, shkruan Portalb.mk.
“Emërimi i sotëm i Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në gjyqësor nuk mund – dhe nuk do të tolerohen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë ata që përfshihen në korrupsion të konsiderueshëm që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparim” shkruan Ageler.
Today’s designation of Artan Grubi and Enver Bexheti is evidence that political interference in the judiciary cannot – and will not – be tolerated. The United States will continue to name those who engage in significant corruption that undermines democratic institutions and…
— Ambassador Angela Aggeler (@USAmbNMacedonia) December 9, 2024
Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut.
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin për lëndë kriminele të Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa shtohet se Mijallkovi është në Listën e Zezë që në vitin 2022 për korrupsion.
Në Listën e Zezë, siç thuhet në njoftim, janë edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Artan Grubit.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe vetë Grubi.
“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht. Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, ka shkruar Grubi.
Ndryshe, në listën e zezë amerikane më 20 qershor 2023 është futur edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merkon. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmenin kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë. Së fundmi kësaj liste i bashkohet edhe kompania “Cytrox“.
Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.
- LEXO: Ambasadorja amerikane në RMV: Lista e zezë e SHBA-së është dinamike dhe e hapur për emra të rinj
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor gjobiti gjyqtarin e apelit Enver Bexheti, duke i shkurtuar gjashtë muaj nga 20 përqind të pagës pasi anëtarët zbuluan se ai ka mbajtur për nëntë muaj në sirtar dosjen për përgjimet, Target-Fortesa, tashmë të vjetëruar sipas ndryshimeve në Kodin Penal. Edhe pse kjo është vendosur, megjithatë, vendimi nuk është ende në fuqi. Publiku nuk ia njeh as fytyrën këtij gjyqtari.
“Pas një kërkese për gjyqtar të Gjykatës së Apelit, ndaj tij është shqiptuar masë disiplinore, ulje rroge në masën 20% të pagës mujore të një gjyqtari për një periudhë 6 mujore”, thuhet në vendimin e Këshilli Gjyqësor. Ky këshill nuk arriti ta shkarkojë atë sepse nuk kishte vota të mjaftueshme nga anëtarët e këshillit.