Ahmeti porosi Mickoskit nga tendat para Kushtetueses: Po na rrezikohet diçka e shenjtë, edhe durimi e ka një fund
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga tendat e vendosura para Gjykatës Kushtetuese nga Fronti Evropian për siç thonë mbrojtjen e gjuhës shqipe tha se Gjykata Kushtetuese duhet ta hedhë poshtë debatin për 13 nenet dhe tentimet për të cunguar gjuhën shqipe, ose përndryshe qetësi nuk do të ketë. Ai i dërgoi porosi […]
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga tendat e vendosura para Gjykatës Kushtetuese nga Fronti Evropian për siç thonë mbrojtjen e gjuhës shqipe tha se Gjykata Kushtetuese duhet ta hedhë poshtë debatin për 13 nenet dhe tentimet për të cunguar gjuhën shqipe, ose përndryshe qetësi nuk do të ketë. Ai i dërgoi porosi edhe kryeministrit Hristijan Mickoski, duke shtuar se protesta nuk ka të bëjë me akuzat e Mickoskit se BDI-ja me këtë veprim po mbulon krimet e saj, transmeton Portalb.mk..
“Në këto momente jo aq të mira për ne, neve po na rrezikohet diçka e shenjtë e fituar me gjak nëpër shekuj, gjuha jonë. Do doja nga ky shesh t’i drejtohem Hristijan Mickoskit. Ne duam paqen, ne duam demokraci, ne duam liri, e duam për të gjithë, ne duam që vendi ynë të jetë gjithnjë e më tepër në progres dhe sa më afër BE-së, e jo të veprojmë në institucione për të dëmtuar një gjuhë e cila është zyrtare dhe e dalë nga një proces dialogues. Pse zoti Hristijan, ju dhe shumë politikanë në vend, dhe analistë më akuzoni mua dhe shqiptarët se pse u bë lufta e 2001. Zoti Hristijan lufta u ndërpre me një kompromis që palët nuk i kënaq. Edhe ne jemi të pakënaqur me atë kompromis, por kompromiset janë zgjidhja më e mirë si për ju ashtu edhe për ne, prandaj respektoni Marrëveshjen e Ohrit dhe mos cenoni dhe mos prekni në palcën e shqiptarëve sepse nuk është mirë as për ju e as për ne. Ky shtet është i përbashkët”, tha Ahmeti.
Duke folur për qeverinë aktuale, Ahmeti tha se po të ishin politikanë të mirë, të njëjtit, do ta avanconin gjuhën shqipe.
“Asnjëherë nuk kemi kontestuar, as gjuhën e bashkëqytetarëve, as historinë e bashkëqytetarëve, prandaj mos i prekni në palcë shqiptarët, sepse edhe durimi ka një fund. Kështu që larg duart nga ndryshimi i ligjit të gjuhës, po të ishit politikanë të mirë dhe me vizion, do ta avanconit këtë gjuhë, por jo edhe ta cungoni”, deklaroi Ahmeti.
Ndryshe, kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrime (BDI) gjatë ditës së sotme mbajtën mbledhje në Tetovë, ku diskutuan për hapat e mëtejshëm që do t’i ndërmarrin për Ligjin e Gjuhëve. Bujar Osmani tha se kjo iniciativë, siç e quan ai, për mbrojtjen e gjuhës shqipe, është mbipartiake dhe mbietnike dhe se i janë bashkuar edhe persona që nuk janë të përfshirë në politikë.
“Kjo kauzë nuk është e BDI-së, është e çdo njeriu të vullnetit të mirë, shqiptar apo maqedon. Ne po marrim thirrje nga një numër i madh i qytetarëve maqedonas që thonë ç’është kjo çmenduri. Kush janë këta njerëz që mendojnë se në vitin 2024 do të vijnë do të demontojnë Marrëveshjen paqësore të vitit 2001, prandaj “Roja e Gjuhës” është diçka mbi BDI-në, mbi Frontin Evropian, është zëri i arsyes për të ruajtur të ardhmen e përbashkët të këtij shteti”, tha Osmani.
Nga BDI-ja përmes një komunikate njoftuan shkurt se liderët e Frontit Evropian do t’i bashkohen nismës.
“Ju njoftojmë se liderët e partive politike të Frontit Evropian, pas mbledhjes urgjente të koordinimit të mbajtur në Tetovë, do t’i bashkohen sot “Rojës së Gjuhës” për të përkrahur mbrojtësit e ligjit dhe të barazisë”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër liderët e VLEN-it, sot gjithashtu kanë mbajtur takim koordinues ku kanë diskutuar për ngjarjet e fundit politike. Ata kërkuan që qytetarët të jenë të qetë dhe thanë se “gjuha shqipe nuk do të preket”.
“Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq. Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti, e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar. Dhe tani, me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe”, thanë nga VLEN.
Kujtojmë se dje, përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut Fronti Evropian bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” ku do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige. Kjo vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.