“Janë sulur te pensionistët”, Tabaku: Dje pati zjarr proteste dhe shpirt revolte
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka qenë pasditen e sotme në edicionin e lajmeve në Klan News. Edhe pse nuk ishte e pranishme në protestën e djeshme të opozitës, Tabaku u shpreh e kënaqur për mënyrën si u zhvillua. “E pashë si një akt revolte, edhe pak vite më parë PD i është bashkuar […]
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka qenë pasditen e sotme në edicionin e lajmeve në Klan News.
Edhe pse nuk ishte e pranishme në protestën e djeshme të opozitës, Tabaku u shpreh e kënaqur për mënyrën si u zhvillua.
“E pashë si një akt revolte, edhe pak vite më parë PD i është bashkuar një proteste të ngjashme kur u rrit taksa e qarkullimit, ku u bllokuan disa akse rrugore. Janë forma proteste që njihen edhe në vendet e tjera europiane. Protesta që vijnë pas një situate që ofron një dinamikë plot me lajme politike.”
Sipas saj, pakënaqësia te qytetarët sa vjen e shtohet, ku shqetësimi kryesor ka të bëjë me ekonominë.
“Sot ka një paqartësi të madhe, mungesë shprese, mungesë besimi te e ardhmja, shqetësim për ekonominë. Prandaj socialistët janë sulur te pensionistët se po shikojnë që një grup që i ka votuar tradicionalisht, sot po e ndjen xhepin e tyre. Dje pati zjarr proteste dhe shpirt revolte. Na takon ne që këtë ta përforcojmë në terren dhe me një mesazh të qartë, që qeverisja e ka sjellë vendin në këtë nivel.”
Sa i takon mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asocimit në Strasburg, Tabaku tha se eurodeputët dhanë dy mesazhe.
“Kishim 10 takime protokollare të planifikuar në Strasburg me përfaqësues të mazhorancës. Dy mesazhe, opozita shqiptare ka mundësinë t’i ngreje këto shqetësime edhe në nivel ndërkombëtrar, duhet ndërgjegjësim me parlamentin e ri për shqetësimet që ka Shqipëria dhe për faktin se PD e ka mbështetur dhe do e mbështesë integrimin.”/tvklan.al