Ilir Meta, politikani që ka mbajtur postet më të larta

Ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të SPAK. Meta aktualisht është president i Partisë së Lirisë. Meta ka lindur më 24 Mars 1969 në Skrapar. Ai ka ndjekur studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ku ka përfunduar edhe studimet pasuniversitare. Aktiviteti […]

tetor 21, 2024 - 20:00
 0  8
Ilir Meta, politikani që ka mbajtur postet më të larta

Ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të SPAK. Meta aktualisht është president i Partisë së Lirisë. Meta ka lindur më 24 Mars 1969 në Skrapar.

Ai ka ndjekur studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ku ka përfunduar edhe studimet pasuniversitare. Aktiviteti i tij politik i Metës ka nisur në vitin 1990, pas rënies së komunizmit, ku ai u angazhua si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore që solli pluralizmin politik.

Meta u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1992 dhe ka shërbyer në shumë poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë nga 28 Tetori 1999 deri më 29 Janar 2002. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ai u rizgjodh si Kryeministër, por dha dorëheqjen më 29 Janar 2002 për shkak të tensioneve brenda partisë së tij.

Në vitin 2004, Meta themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), një parti që synonte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Meta mbajti postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nga 10 Shtatori 2013 deri më 28 Prill 2017. Pas përfundimit të mandatit si Kryetar i Kuvendit, ai u zgjodh me votat e PS dhe LSI si President i Republikës së Shqipërisë më 28 Prill 2017 me 87 vota nga 140 anëtarët e Parlamentit.

Gjatë mandatit të tij si President, Meta është përballur me sfida të shumta politike dhe sociale, duke përfshirë një krizë të thellë politike që çoi socialistët në pushtet drejt një procesi për shkarkimin e tij në vitin 2021 nga Parlamenti. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e shpalli atë të pafajshëm dhe anuloi vendimin e Parlamentit.

Meta ishte thirrur disa herë në Prokurorinë e Posaçme, për të dhënë shpjegime për akuzat ndaj tij.

Klan News