Jotova u bëri thirrje autoriteteve të RMV-së për mirëkuptim më të madh të vlerave evropiane dhe respektim të të drejtave të njeriut
Maqedonia e Veriut duhet të ketë një kuptim më të thellë të vlerave evropiane dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe të drejtën e shprehjes, bëri thirrje nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, e cila foli sot në një tryezë të rrumbullakët në Qustendil me temën “Bullgarët në Ballkan përtej kufirit pas vitit 1878”, transmeton […]
Maqedonia e Veriut duhet të ketë një kuptim më të thellë të vlerave evropiane dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe të drejtën e shprehjes, bëri thirrje nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, e cila foli sot në një tryezë të rrumbullakët në Qustendil me temën “Bullgarët në Ballkan përtej kufirit pas vitit 1878”, transmeton Portalb.mk.
Sipas zëvendëspresidentes bullgare, është e papranueshme që një vend të tolerojë mosrespektimin e të drejtave të njeriut dhe nëpërkëmbjen e të drejtës së shprehjes. Ajo shtoi se negociatat e anëtarësimit me BE-në nuk do të përfundojnë nëse ndonjë vend konsideron se nuk respektohen të drejtat e njeriut të përfaqësuesve të kombeve dhe etnive të ndryshme.
Ajo iu referua edhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, për të cilën tha se në vend të zbatimit, gjithçka shkon në drejtim të kundërt nga ajo e fqinjësisë së mirë.
“Agresioni është i pafalshëm, jo vetëm verbalisht, por edhe kur dhuna maskon një koncept të vazhdueshëm dhe thellësisht të gabuar dhe, aq më tepër, dështimin për të zbatuar angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra tashmë,” tha Jotova.
Jotova shprehu shpresën se Maqedonia do të përparojë në rrugën e saj drejt Unionit dhe kjo, siç tha ajo, do të jetë e mundur vetëm nëse Shkupi i përmbush premtimet ndërkombëtare dhe heq dorë nga gjuha e urrejtjes.
Ndryshe, deputetët bullgarë më 27 shtator, njëzëri me 178 vota “pro” dhe pa debat miratuan një deklaratë “në lidhje me shkatërrimin sistematik dhe metodik të dialogut ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe Republikës së Bullgarisë dhe deklaratave provokuese dhe fyese ndaj Bullgari nga faktorët politikë në pushtet në RMV”.
Marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje janë përkeqësuar, pasi pas vizitës së fundit të presidentes maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje, ajo është fotografuar së bashku me kolegun e saj bullgar Rumen Radev pa flamurin maqedonas, por vetëm pranë flamurit të BE-së dhe Bullgarisë.
Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.