Kompania hungareze e telekomunikacionit që është e lidhur me Orbanin po hyn në Maqedoninë e Veriut

  Kompania hungareze e telekomunikacionit “4iG”, e cila pas ndryshimit të qeverisë shprehu dëshirë që të bëhet operatori i tretë mobil në vend, këtë javë hapi kompaninë në Shkup me emrin “One Macedonia Telecommunications”. Informacionet bazë për kompaninë i ka publikuar sot Regjistri Qendror në ueb faqen e tij, transmeton Prizma. Kompania është e regjistruar […]

tetor 18, 2024 - 22:00
 0  6
Kompania hungareze e telekomunikacionit që është e lidhur me Orbanin po hyn në Maqedoninë e Veriut
Flamuri i Hungarisë dhe i Maqedonisë së Veriut. Foto: Hristijan Mickoski (Facebook)

 

Kompania hungareze e telekomunikacionit “4iG”, e cila pas ndryshimit të qeverisë shprehu dëshirë që të bëhet operatori i tretë mobil në vend, këtë javë hapi kompaninë në Shkup me emrin “One Macedonia Telecommunications”. Informacionet bazë për kompaninë i ka publikuar sot Regjistri Qendror në ueb faqen e tij, transmeton Prizma.

Kompania është e regjistruar në adresën e zyrës avokatore, “Mihajloski & Popovska”, ku bashkëthemelues është avokati Aleksandar Mihajloski, i njohur si anëtar i partisë në pushtet, VMRO-DPMNE.

Lajmi është konfirmuar nga kompania, përmes një deklarate për publikun.

“Pas disa blerjeve të suksesshme në Shqipëri dhe Mal të Zi, 4iG Group filloi përgatitjet për të hyrë në tregun e Maqedonisë së Veriut, me themelimin e filialit “One Macedonia Telecommunications”. Me vendimin e Bordit të Grupit të marrë të premten e kaluar, kompania e re do të themelohet nga Antenna Hungária Zrt., pjesë e 4iG Group, në kuadër të së cilës është portofoli i telekomunikacionit të grupit të info-komunikimit në Hungari dhe në Ballkanin Perëndimor. Regjistrimi i kompanisë ka përfunduar dhe me themelimin e kësaj kompanie, 4iG Group synon që sa më shpejt të hyjë në tregun e telekomunikacionit në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.

Me përfundimin e procesit të regjistrimit të kompanisë, Tamas Tabori, i cili është zëvendësdrejtor ekzekutiv përgjegjës për strategjinë e telekomunikacionit në kompaninë amë hungareze, është emëruar drejtor ekzekutiv i ardhshëm i One Macedonia Telecommunications.

“Ne jemi të përkushtuar që të hyjmë në tregun e Maqedonisë së Veriut të telekomunikacionit me të njëjtin përkushtim dhe risi që sollëm në Shqipëri dhe Mal të Zi. Themelimi i ONE Macedonia Telecommunications është hapi ynë i parë domethënës dhe i prekshëm drejt shndërrimit në ofruesin kryesor të telekomunikacionit në Maqedoninë e Veriut”, tha Tamas Tabori, drejtori ekzekutiv i ONE Macedonia Telecommunications dhe Zëvendës drejtori përgjegjës për strategjinë e telekomunikacionit në 4iG Nyrt.

Vitin e kaluar, portali kërkimor “Direct 36” publikoi një histori të gjatë për kompaninë “4iG” me emrin “Historia sekrete e kompanisë së preferuar të Viktor Orbanit”.

Kujtojmë se në shtator u nënshkrua Memorandumi për mirëkuptim dhe interesim të ndërsjellë të Maqedonisë së Veriut dhe kompanisë hungareze “4IG” për liberalizimin e rrjetit të telekomunikacionit.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Memorandumi për mirëkuptim i nënshkruar mes kompanisë hungareze “4IG” dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është obligativ dhe paraqet vetëm një formë të shprehjes së interesit, të cilin mund ta shprehin  edhe kompani të tjera që dëshirojnë të konkurrojnë në procedurën e tenderimit. Ende nuk është marrë vendim se kur dhe nëse do të shpallet tender për një operator të tretë celular.