Kallëzime penale ndaj dy ish drejtorëve të Fondit për Inovacione, Festim Halili dhe Kosta Petrov
Prokuroria Publike ka ngritur kallëzime penale kundër ish-drejtorëve të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili dhe Kosta Petrov. Që të dy dyshohen se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se kanë mundësuar pagesa joligjore të granteve. Rastet përfshijnë tre projekte të dyshimta sikurse “Green Hojo”, “Frotirka AD Dellçevë” dhe “Sekreti […]
Prokuroria Publike ka ngritur kallëzime penale kundër ish-drejtorëve të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili dhe Kosta Petrov. Që të dy dyshohen se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se kanë mundësuar pagesa joligjore të granteve. Rastet përfshijnë tre projekte të dyshimta sikurse “Green Hojo”, “Frotirka AD Dellçevë” dhe “Sekreti i romakëve – Pinsa Romana”, me çka dëmi financiar tejkalon 23 milionë denarë, transmeton Alsat.
Kosta Petrov, ka qenë i pakapshëm për deklaratë, derisa ish drejtori i Fondit, Festim Halili, i ka hedhur poshtë si të pavërteta akuzat e Prokurorisë. Ai ka thënë se derisa ka qenë drejtor, Fondi ka punuar në mënyrë transparente dhe gjatë çdo thirrjeje, aplikimi dhe realizimi të projekteve, janë respektuar të gjitha procedurat.
“Të gjitha kompanitë që aplikojnë duke përfshirë edhe kompaninë që është aluduar, kalojnë një proces para seleksionimi i zbatuar nga tre ekspertë vendas nga 22 fusha të ekspertizës. Projektet vlerësohen sipas kritereve të përcaktuara ku si kritere merren shkalla e inovacionit, cilësia e projektit të përgatitur, potenciali i tregut, kapaciteti i aplikantit, si dhe ndikimi i projektit në shoqëri. Të gjitha projektet që marrin një notë mesatare prej 51 pikë vazhdojnë në fazën tjetër. Përzgjedhjen përfundimtare e bënë komuniteti i miratimit të investimit”, tha për Alsat, Festim Halili – Ish drejtor i FIZHT.
Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e dytë, për projektin “Frotirka”. Bëhet fjalë për projekt të papërfunduar ndërsa pagesa është realizuar dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga Petrovi. Rasti i tretë ka të bëjë me një recetë për picë, e cila është prezantuar se është rreth 2000 vite e vjetër. Marrëveshja ishte nënshkruar më 28 dhjetor 2021, përmes grantit për shoqëri të reja të themeluara.
Përndryshe gjatë muajit tetor janë zbuluar parregullsi të rënda në punën e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT). Rreth 60 kompani nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe kanë keqpërdorur fondet për projekte fantome, ndërsa disa objekte private shëndetësore kanë shfrytëzuar fonde gjatë krizës së Covid-it, kur shëndetësia shtetërore ishte në kolaps, njoftoi atëkohë në një konferencë për shtyp u.d drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik Nikolla Dodov.
Siç theksoi ai, një borxh prej rreth 3.2 milionë euro ende nuk është kthyer në buxhet dhe menaxhmenti i ri po merr masa për arkëtimin e tij dhe tashmë janë arkëtuar rreth 600 mijë euro.
Në periudhën e fundit, Fondi i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik ka hasur në informacione që tregojnë për praktika të dyshimta në menaxhimin e fondeve publike. Bëhet fjalë për një kompani, e cila është në lidhje të drejtpërdrejtë familjare me zyrtarë të lartë të qeverisë LSDM-BDI, e cila ka marrë mjete të konsiderueshme financiare nga fondet e shtetit. Kjo jo vetëm që vë në dyshim transparencën e procesit të financimit, por gjithashtu ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi dhe nepotizëm.