Pavarësisht se është kryer testimi i ujit, ende nuk është bërë pranimi teknik për ujësjellësin e Likovës
Assesi të përfundojnë procedurat dhe punët në terren që banorët e Komunës së Likovës të mund të kenë ujë për pije. Pavarësisht se u testua cilësia e ujit, situata në terren mbetet e pandryshuar, ujësjellësi nuk është lëshuar në përdorim ende. Ndërkaq ministria dhe komuna luajnë ping-pong me njëra tjetrën, raporton Portalb.mk. Sipas Ministrisë së […]
Assesi të përfundojnë procedurat dhe punët në terren që banorët e Komunës së Likovës të mund të kenë ujë për pije. Pavarësisht se u testua cilësia e ujit, situata në terren mbetet e pandryshuar, ujësjellësi nuk është lëshuar në përdorim ende. Ndërkaq ministria dhe komuna luajnë ping-pong me njëra tjetrën, raporton Portalb.mk.
Sipas Ministrisë së Transportit uji është testuar me sukses dhe e ka cilësinë e duhur.
“Komuna është duke përgatitur dokumentacionin për marrjen e lejes së përdorimit”, thonë nga Ministria e Transportit.
Por, nga Komuna e Likovës thonë se pa u kryer çështja e pranimit teknik nga Ministria e Transportit, ata si komunë nuk kanë të drejtë të veprojnë.
“Testimi i filtër stacionit është kryer, dhe testimi i ujit kryhet në baza javore prej Ministrisë së Transportit, prej anës tonë gjithçka është në rregull. Mirëpo sa i përket pranimit teknik ende nuk e ka kryer Ministria e Transportit, dhe pa u kryer kjo çështje ne nuk kemi të drejtë të veprojmë”, thanë nga Komuna e Likovës.
Nga kjo komunë shtuan se faza tjetër sa i përket sistemi të ujësjellësit në fshatin Opajë dhe Ropalcë varet prej Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), ku sipas informacioneve të tyre faza e tenderimit pritet të bëhet në muajin prill ose maj të vitit 2025, dhe se gjatë këtij viti do të realizohen punimet për rekonstruimin e ujësjellësit në fshatin Hotël, ku për të gjitha vendbanimet e komunës pritet të merr fund.
Për këtë problem e pyetëm edhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhitin.
“Së bashku me kryetarin e Komunës së Likovës do të shohim mundësinë për të tejkaluar problemin dhe për të zgjidhur në interes të qytetarëve të Likovës dhe të gjitha vendbanimeve ”, tha Mexhiti.
Kujtojmë se kur gjatë muajit tetor Portalb.mk raportoi për problemet me ujësjellësin në Komunën e Likovës, autoritetet komunale patën theksuar se ende nuk kanë arritur t’i zgjidhin problemet teknike, dhe se ishte duke u bërë testimi i filtër stacionit të ujësjellësit, dhe se pas kryerjes të këtyre procedurave do u jepet leja e shfrytëzimit nga Ministria e Transportit.
Premtimet për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat e komunës së Likovës datojnë prej para një dekade, që nga viti 2014. Ndonëse ka pasur shumë premtime për rrjetin e ujësjellësit, i njëjti mbetet i papërfunduar në terren. Banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet sa më parë, pasi siç thonë, bëhet fjalë për nevojë njerëzore elementare që institucionet nuk kanë arritur t’ua zgjidhin.
- LEXO: Komuna e Likovës ende nuk mund të sigurojë ujë të pastër të ujësjellësit për banorët e saj
- LEXO: Banorët e fshatrave të Likovës ende mbushin ujë nëpër çezma publike, komuna ende nuk ka leje nga ministria për ujësjellësin
- LEXO: Banorët e fshatrave të Likovës një dekadë të etur për ujë, projekti zvarritet me vite