KEMM: Numri më i madh i ankesave për mediat online, më shumë shkelje të nenit 1 të Kodit Etik të Gazetarëve
Shumica e ankesave që vitin e kaluar kanë arritur te Komisioni për Ankesa në Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) u referohen portaleve online – për mediat online vitin e kaluar kanë arritur gjithsej 66 ankesa. Megjithatë, sfida më e madhe për gazetarët mbetet neni 1 i Kodit Etik të Gazetarëve, i cili […]
Shumica e ankesave që vitin e kaluar kanë arritur te Komisioni për Ankesa në Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) u referohen portaleve online – për mediat online vitin e kaluar kanë arritur gjithsej 66 ankesa. Megjithatë, sfida më e madhe për gazetarët mbetet neni 1 i Kodit Etik të Gazetarëve, i cili ka të bëjë me përcjelljen e informacionit të saktë dhe të verifikuar dhe për çka është evidentuar numri më i madh i shkelje, transmeton Portalb.mk.
Kjo u theksua në konferencën e sotme për shtyp të KEMM, në të cilën u prezantua një pasqyrë statistikore e ankesave të pranuara dhe të përpunuara në vitin 2024. Sipas Këshillit, është shënuar një numër më i vogël i ankesave krahasuar me vitin paraprak: në vitin 2024 pranë Komisionit të Ankesave të Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni kanë arritur gjithsej 84 ankesa.
Nga këto, komisioni ka marrë vendim në 59 raste, ndërsa për 25 të tjerat nuk ka ngritur procedurë.
Komisioni ka konstatuar se ankesat kanë qenë të bazuara në 33 raste dhe për 21 ankesa është konstatuar se nuk ka pasur shkelje. Megjithatë, pesë ankesa janë zgjidhur me ndërmjetësim, gjegjësisht marrëveshje mes palëve.
“Statistikat janë një tregues për atë se si funksionon dhe si është peizazhi mediatik në vend. Këto shifra i pasqyrojnë vetëm ankesat e dorëzuara pranë Komisionit të Ankesave, të cilat kanë arritur në zyrën tonë dhe jo gjendjen reale në terren. Kjo do të thotë se shumë ngjarje dhe publikime që e kërcënojnë etikën mbeten të paregjistruara ose të pazgjidhura. Zvogëlimi i numrit të ankesave mund të shpjegohet me faktorë të ndryshëm, duke filluar nga aktivitetet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe procese të tjera shoqërore”, tha Leonora Kaliqi, kryetare e Këshillit Drejtues të KEMM.
Sipas saj, një nga angazhimet kryesore të Këshillit është zgjidhja e ankesave përmes ndërmjetësimit, ndërsa KEMM do të vazhdojë të punojë në promovimin e kulturës mediatike, transparencës dhe llogaridhënies.
“Sepse, shpesh, mediat nuk publikojnë qëllimisht përmbajtje joprofesionale dhe joetike, kjo ndonjëherë mund të ndodhë për shkak të presionit kohor dhe të rrethanave të tjera. Prandaj ndërmjetësimi më shumë është një instrument i rëndësishëm për korrigjim dhe bashkëpunim sesa për konfrontim”, tha Kaliqi.
Sipas llojit të mediave, numri më i madh i ankesave që kanë arritur janë për portalet online – gjithsej 66. Në vitin 2024 KEMM ka pranuar 8 ankesa për televizionet, 6 për mediat e shkruara dhe ueb-faqet e tyre, dhe 4 për ueb-faqet e televizioneve.
“Në një farë mënyre mbisundon një mendim se mediat online janë shkelësit më të mëdhenj, por kjo është kështu sepse numri më i madh i ankesave janë për mediat online. Supozimi im është se kjo është kështu më shumë për faktin se është shumë më e lehtë që nga tekstet online të sigurohet një kopje ose screenshot i tekstit për të cilin parashtrohet ankesa dhe të dorëzohet pranë Komisionit sesa, për shembull, për ndonjë lloj shkeljeje në televizion për të cilën keni nevojë për një lloj regjistrimi, dëshmi, e kështu me radhë. Përveç kësaj, televizioni i nënshtrohet edhe rregullimit ligjor dhe prandaj besoj se në njëfarë mënyre me kalimin e viteve ato redaksi për shkak se janë në dijeni të rregullimit ligjor, bëjnë shumë më pak shkelje”, tha Snezhana Trpevska, kryetare e Komisionit të Ankesave pranë KEMM.
Organizatat, shoqatat dhe qytetarët – parashtruesit më të shpeshtë të ankesave për publikimet në media
Parashtruesit më të shpeshtë të ankesave për publikimet në media kanë qenë organizatat dhe shoqatat nga shoqëria civile, të cilat vitin e kaluar kanë dorëzuar gjithsej 27 ankesa. Vitin e kaluar në Komisionin e ankesave pranë KEMM kanë arritur 26 ankesa të qytetarëve. Janë pranuar gjithsej 17 ankesa nga institucionet publike dhe bartës të funksioneve publike, shumë më shumë se vitin e kaluar, atë 2023, kur janë pranuar vetëm dy.
“Kemi vënë re një trend për të cilin ia vlen të diskutohet – ka institucione publike apo bartës të funksioneve publike të cilët për nga natyra e pozicionit të tyre duhet të jenë objekt i vëzhgimit kritik nga mediat, por disa prej tyre i monitorojnë sistematikisht mediat dhe dërgojnë ankesa pranë Komisionit. Ky trend po vazhdon edhe në vitin 2025, ne po diskutojmë për këtë çështje dhe po e marrim shumë me seriozitet”, shtoi Trpevska.
Mediat dhe gazetarët në vitin 2024 kanë dorëzuar vetëm katër ankesa, shumë më pak se në vitin 2023 kur janë pranuar gjithsej 22 ankesa.
“Nuk mund të them se për çfarë arsye këtë vit numri i ankesave është më i ulët, por gjithsesi mendoj se në një farë mënyre ky është një trend pozitiv, sepse në vetë Kodin Etik të Gazetarëve thuhet se gazetarët nuk mund t’i përdorin mediat për tu konfrontuar me kolegët e tyre apo me presona të tjerë nga profesioni i tyre”, tha Trpevska.
Në vitin 2024 nga politikanët dhe partitë politike janë pranuar gjithsej tetë ankesa, ndërsa nga kompanitë private asnjë.
Shkeljet më të shpeshta kanë të bëjnë me neni 1 të Кodit Etik të Gazetarëve të Maqedonisë, i cili u referohet informacioneve të pasakta dhe të paverifikuara, mungesës së “anës tjetër” të lajmit dhe mungesës të së paktën dy burimeve të palidhura. Në gjithsej 22 raste janë konstatuar shkelje të nenit 1 të Kodit Etik të Gazetarëve.
Neni tjetër për të cilin Komisioni i Ankesave pranë KEMM ka konstatuar më së shumti shkelje (8 gjithsej) është neni 13, pra është konstatuar se në shumë raste gazetarët nuk kanë bërë dallim mes fakteve dhe opinioneve, lajmeve dhe komenteve.
Me gjithsej 6 ankesa lartë në këtë listë renditet edhe shkelja e nenit 8, ku thuhet se informimi për fatkeqësi, aksidente, luftëra, tragjedi familjare, sëmundje dhe procese gjyqësore duhet të jetë i liruar nga sensacionalizmi.
“Do të veçoja dy raste karakteristike nga viti i kaluar. Rasti i parë për të cilin kemi konstatuar shkelje ka të bëjë me një rast të vetëvrasjes në një shtet tjetër dhe ka një tendencë që mediat, për hir të titujve dhe klikimeve, në vetë tekstin të paraqesin shumë detaje për rastet e këtilla. Ne si komision theksuam se kjo është një temë jashtëzakonisht e ndjeshme. Të afërmit e viktimave traumatizohen edhe më tej dhe ka një kategori të individëve që janë më të ndjeshëm tek të cilët ky informacion mund të shkaktojë ose inkurajojë sjellje të caktuara. Rasti i dytë është mënyra e raportimit për seancën gjyqësore për vrasjen që ndodhi dy vite më parë. Komisioni vlerësoi se duke u futur në detaje dhe përshkrime të asaj ngjarjeje, shkaktohet shqetësim tek opinioni dhe tek familjarët e vajzës së vrarë”, tha kryetarja e Komisionit të Ankesave pranë KEMM.
Ankesa të rrejshme në KEMM
Drejtoresha Ekzekutive e KEMM-së, Biljana Georgievska, tha se vitin e kaluar Komisioni për Ankesa ka pranuar disa “ankesa të rrejshme” nga individë që prezantohen në mënyrë të rrejshme.
“Madje i shfrytëzojnë edhe institucionet publike të një rëndësisë së lartë, siç është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Gjykata Kushtetuese, ndërsa tani kemi edhe nga pozita më e lartë në shtet, por ende nuk dimë si ta zgjidhim këtë dhe si të veprojmë. Është e qartë se dikush po e keqpërdor Këshillin për Etikë në Media, ndoshta për qëllimet e veta, por në të ardhmen do të përpiqemi të kërkojmë ndihmë dhe të definojmë se nga e kanë origjinën raportimet e tilla të rrejshme”, tha Georgievska.
Shkelje ka edhe të Udhëzimeve për Raportim Etik në Mediat online, me ç’rast numri më i madh i ankesave janë për publikimin e komenteve të lexuesve nën lajmet e ndara në rrjetet sociale.
“Media online është gjithashtu përgjegjëse edhe për përmbajtjen dhe komentet e postuara në përmbajtjet e publikuara në profilin e saj në rrjetet sociale”, thuhet në Nenin 20 të Udhëzimeve për Raportimin Etik në Mediat Online.
Nga KEMM theksojnë edhe numrin e shtuar të ankesave të dorëzuara nga pushteti lokal në Qytetin e Shkupit, me ç’rast theksojnë se në rastet e cekura disa media dhe gazetarë kanë reaguar se janë vënë në pozitë të pabarabartë dhe kjo mund të interpretohet si tentativë për ta bllokuar raportimin për temat që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale.
Këshilli u bëri thirrje qytetarëve dhe publikut që ta përdorin mjetin për parashtrimin e ankesave në KEMM.