Komisionerja e re për zgjerim, Kos: Pres që RMV-ja ta ndryshojë Kushtetutën dhe ta përshpejtojmë realisht procesin

Komisionerja e re evropiane për zgjerim, Marta Kos, pret që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën. “Është diçka në të cilën po llogarisim. Asgjë më pak, asgjë më shumë. Besoj se është e mundur dhe pas kësaj realisht mund ta përshpejtojmë procesin”, tha Kos në një deklaratë për media pas miratimit të përbërjes së re […]

Nëntor 27, 2024 - 19:00
 0  5
Komisionerja e re për zgjerim, Kos: Pres që RMV-ja ta ndryshojë Kushtetutën dhe ta përshpejtojmë realisht procesin
Marta Kos (komisionere e Zgjerimit të BE-së). Foto nga profili i saj në Facebook

Komisionerja e re evropiane për zgjerim, Marta Kos, pret që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën. “Është diçka në të cilën po llogarisim. Asgjë më pak, asgjë më shumë. Besoj se është e mundur dhe pas kësaj realisht mund ta përshpejtojmë procesin”, tha Kos në një deklaratë për media pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, transmeton Portalb.mk.

E pyetur nëse më pas mund të jepen garanci se nuk do të ketë bllokada të tjera, Kos tha se nuk është ajo që mund t’i përgjigjet asaj pyetjeje. Për mënyrën se si mund të zgjidhet problemi me Bullgarinë, Kos tha se duhet të diskutohet sa më shumë.

“Të flasim, sa më shumë që të jetë e mundur, me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.Ne duhet të tregojmë se është në dorën tonë se si ta zgjidhim këtë problem dypalësh. Pa këtë dhe duke ndjekur vlerat evropiane, ne nuk do të mund të bëjmë atë që është më e mira për BE-në, dhe sigurisht atë që është më e mira për Maqedoninë e Veriut”, tha Kos në një deklaratë të transmetuar nga gazetari i MIA-s nga Strasburgu.

Duke vlerësuar se zgjerimi sot është ndryshe nga pesë vjet më parë, për shkak të situatës së ndryshuar gjeopolitike, ajo thotë se ka gjasa reale që në vitet e ardhshme disa vende të arrijnë në fund të procesit për hyrjen e tyre në BE.

“Nuk e di kush janë ato vende, por do të jenë ato që i plotësojnë të gjitha kushtet”, thotë Kos.

Ndryshe, mesazhe të njëjta Kos dha në fillim të këtij muaji, kur ende ishte kandidate për komisionere.

Raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Weitz, nga ana tjetër beson se qeveria e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të ecë përpara në integrimet evropiane, nëse ka garanci se Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja dhe nuk do të bllokojë procesin.

“Duhet të sigurohet ndryshimi i Kushtetutës, por edhe të sigurohet që nuk do të ketë kërkesa shtesë, duhet të jetë detyruese dhe kjo është ndjenja në BE. Qeveria vështirë se do të jetë në gjendje t’u shpjegojë votuesve nëse nuk ka garanci. Duhet të punojmë për sigurimin e garancive dhe se nuk do të ketë kërkesa të reja”, thotë eurodeputeti austriak Weitz, i cili vjen nga radhët e të Gjelbërve.

Ai dyshon se kërkesat e Qeverisë për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar mund të kalojnë.

“Ajo që është legjitime është që Qeveria kërkon qartësi për kërkesat, por nuk besoj se do të kalojë kërkesa për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar”, tha Weiss.

Nismë për zhbllokimin e procesit

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler dhe anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, në takimin me gazetarët nga Maqedonia e Veriut në Parlamentin Evropian në Strasburg, tha se ka iniciativa nga anëtarët e BE-së për zhbllokimin e procesit. Në bisedat me eurodeputetët bullgarë, ai mori përshtypjen se ata janë të orientuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje dhe se nuk është as në interesin e Bullgarisë të bllokojë procesin.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha në një konferencë të hënën (25.11) se aktorë të rëndësishëm evropianë përcollën në samitin shtetëror-qeveritar se Maqedonia e Veriut ka bërë shumë deri më tani dhe se tani është radha e Bashkimit Evropian për të dhënë.

“Ka zgjidhje përmes interpretimit të Kornizës Evropiane të Negociatave, sigurisht nëse ka vullnet të mirë. Unë them se kudo për zgjidhje duhen dy persona dhe mendoj se është i mundur një hap përpara”, tha presidentja. Presidentja në veçanti përmendi vendet e Grupit të Vishegradit dhe Belgjikën që shprehën mbështetje dhe nga të cilat vjen optimizmi se është i mundur një përparim.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.