Prokuroria nuk e di ku është Grubi, ndërsa Ahmeti deklaroi se ka informacione për vendndodhjen e tij
Prokurori republikan Lupço Kocevski garanton se nga ana e Prokurorisë Publike nuk rrjedhin informacione, duke pasur parasysh se një numër i madh i të dyshuarve janë të pakapshëm për organet e rendit, raporton MIA. Ai theksoi se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ndërsa për ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski, i […]
Prokurori republikan Lupço Kocevski garanton se nga ana e Prokurorisë Publike nuk rrjedhin informacione, duke pasur parasysh se një numër i madh i të dyshuarve janë të pakapshëm për organet e rendit, raporton MIA. Ai theksoi se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ndërsa për ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili është i dyshuar në një rast tjetër, Kocevski ka shpjeguar se nuk kanë kërkuar paraburgim sepse dënimi i paraparë është deri në pesë vjet burg.
Në pyetjen se gjithnjë e më shumë shikojmë se të dyshuarit nuk janë të kapshëm për organet e zbatimit të ligjit, apo nga vijnë informacionet, konkretisht për operacionin kundër grupit Bellanoca në të cilin pesë të dyshuar nuk janë në dispozicion, Kocevski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REË) theksoi se nga ana e PP nuk ka rrjedhur asnjë informacion.
“Në këtë drejtim, si prokuror i shtetit, mund t’ju garantoj se nga Prokuroria Publike nuk po rrjedh asnjë informacion se ato hetime paraprake, ato masa monitoruese kanë qenë aktive me muaj dhe më parë, dhe asnjëra prej tyre nuk ka depërtuar. Aksioni u prish në fazën përfundimtare, pra dy ditë para nisjes zyrtare të aksionit. Pikërisht në këtë rrethanë Prokuroria Publike po heton për të zbuluar se “kush është nishani” pas operacionit, por ka arritur të kryejë aksionin dy ditë përpara afatit dhe të arrestojë disa nga të dyshuarit”, theksoi ai.
Për arratisjen e Artan Grubit, prokurori Kocevski deklaroi se Prokuroria Publike për momentin nuk ka informacion se ku ndodhet i dyshuari. Ai ka shpjeguar se para largimit të tij nga vendi, Prokuroria Publike kishte vendosur masën STOP për të gjitha autoritetet doganore.
TV21 raportoi se kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot para mediave të Kosovës tha se Grubi nuk është arratisur dhe se ai vetë nuk ka pasur kontakt me të, por ka informacione se ai është mirë dhe se ndodhet në trojet shqiptare. Kryetari i integristëve ka premtuar se Grubi do të kthehet dhe do të dalë para organeve të drejtësisë, “por jo drejtësisë hakmarrëse”.
Kujtojmë se, më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Megjithatë pak para formimit të lëndës, Grubi dhe Bajrami ishin larguar nga shtetit dhe mbeten ende të pakapshëm për organet e rendit të RMV-së.