Komisioni Evropian e miratoi agjendën e reformave për Maqedoninë e Veriut
Agjenda Reformuese u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Evropian, miratim i cili i hap rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk. “Komisioni Evropian zyrtarisht ka miratuar Agjendën Reformuese të Maqedonisë së Veriut, e cila përbën një hap të […]
Agjenda Reformuese u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Evropian, miratim i cili i hap rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
“Komisioni Evropian zyrtarisht ka miratuar Agjendën Reformuese të Maqedonisë së Veriut, e cila përbën një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të vendit dhe rajonit në Bashkimin Evropian. Ky vendim vjen pas një analize të detajuar nga ana e Komisionit Evropian, i cili ka njohur relevancën dhe përfshirjen e planeve reformues, veçanërisht në përshpejtimin e harmonizimit të vendit me ligjet, vlerat dhe standardet e BE-së”, njoftoi Ministria për Çështje Evropiane.
Ministria sqaroi që ky miratim do të mundësojë shfrytëzimin e mjeteve për përforcimin e institucioneve dhe rrugën eurointegruese.
“Agjenda Reformuese, e cila është pjesë më e gjerë e Planit për Rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027, është e fokusuar në reforma kyçe socio-ekonomike dhe sferat themelore siç janë sundimi i së drejtës, pavarsia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit. Komisioni i vlerësoi këto përpjekje, duke theksuar se reformat do të kontribuojnë ndjeshëm në konvergjencën socio-ekonomike me BE-në dhe do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut në përmbushjen e kritereve kyçe për aderim”, sqaroi Ministria.
Kjo agjendë reformuese, e cila përfshin reformat thelbësore për integrimin e vendit në BE, konsiderohet një dokument kyç që do të përcaktojë drejtimin e politikave për të ardhmen. Sipas informacioneve të mëparshme, BE kishte kërkuar përmirësime në disa fusha kyçe, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe reformat ekonomike, të cilat janë kritere të rëndësishme për avancimin e procesit të integrimit.
Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive. 750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.