Kompania e ujit nga Kosova i demantoi shkrimet në mediat e Maqedonisë së Veriut
Pas disa shkrimeve në mediat e Maqedonisë së Veriut, ka reaguar kompania nga Kosova “Ujë Rugova”, duke demantuar shkrimet se produktet e tyre nuk i plotësojnë kushtet për ujë të pijshëm në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk. “Sipas legjislacionit në fuqi, pas një analize fillestare, ne kërkuam që e njëjta mostër të testohej përsëri nga […]


Pas disa shkrimeve në mediat e Maqedonisë së Veriut, ka reaguar kompania nga Kosova “Ujë Rugova”, duke demantuar shkrimet se produktet e tyre nuk i plotësojnë kushtet për ujë të pijshëm në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Sipas legjislacionit në fuqi, pas një analize fillestare, ne kërkuam që e njëjta mostër të testohej përsëri nga autoritetet përkatëse maqedonase. Rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor”, raportoi kompania “Ujë Rugove”.
Uji ishte analizuar fillimisht në pikën kufitare si pjesë e procedurës standarde, ku ishin theksuar parregullsitë e vetme.
“Më datë 12 shkurt, gjatë një analize të bërë nga eksporti i një sasie të ujit në shishe plastike 1.5l në Maqedoninë e Veriut, është konstatuar se cilësia e ujit nuk i ka kaluar testet”, njoftojnë nga kompania, duke shtuar se këto mostra janë dërguar pastaj për analizë në institutin e certifikuar në RMV, duke konstatuar se uji është cilësor.
Ndryshe, kjo kompani që operon këto tre vjet në Maqedoninë e Veriut, theksoi se produktet e tyre eksportohen edhe në shtete të Evropës Qendrore, Juglindore, vendet arabe dhe amerikane, duke përfshirë edhe bazat e NATO-s.
“Për këtë arsye, çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit tonë është i pabazuar dhe i pavërtetë”, deklaruan nga kompania.
Në lidhje me këto shkrime ka reaguar edhe kompania Dauti Komerc që distribuon produktin “Ujë Rugove” në Maqedoninë e Veriut.
“Lajmi i publikuar i referohet analizës së parë, ndërkohë që është kryer edhe një analizë e dytë mikrobiologjike, sipas së cilës “Ujë Rugove” i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara nga Rregullorja për kërkesa të veçanta për sigurinë e ujërave natyral-minerale, ujërave të burimit dhe ujërave të tjerë të paketuar (Gazeta Zyrtare nr. 184/2018)”, raportoi Dauti Komerc.
Ndryshe, Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njoftojnë se janë forcuar kontrollet në importin e të gjitha dërgesave me ujë mineral burimor nga Republika e Kosovës. Kontrollet, siç njofton Agjencia, pasojnë konstatimin laboratorik pozitiv për bakter koliform në ujërat minerale të burimeve me origjinë nga Kosova.
Shitja e produktit “Ujë Rugove” ka vazhduar në Maqedoni të Veriut, pas tejkalimit të problemit me kryerjen e analizave gjatë muajit shkurt.