RMV, dhjetëra universitete, akademi dhe kompani do të jenë pjesë e Panairit të Arsimit më 15 dhe 16 mars
Panairi i Arsimit këtë vit do të mbahet më 15 dhe 16 mars në Skopje City Mall, dhe organizohet nga kjo qendër tregtare dhe “Studentarija” – platforma dhe komuniteti digjital studentor më i madh në Maqedoni. Në këtë aktivitet, maturantët dhe studentët do të mund të mësojnë për mundësitë e tyre akademike dhe të karrierës […]


Panairi i Arsimit këtë vit do të mbahet më 15 dhe 16 mars në Skopje City Mall, dhe organizohet nga kjo qendër tregtare dhe “Studentarija” – platforma dhe komuniteti digjital studentor më i madh në Maqedoni. Në këtë aktivitet, maturantët dhe studentët do të mund të mësojnë për mundësitë e tyre akademike dhe të karrierës në vend, raporton Portalb.mk.
Universitetet shtetërore dhe private me mbi 80 fakultete kanë paralajmëruar pjesëmarrjen, sikurse edhe akademi për aftësi dhe shitje digjitale, por edhe kompani dhe organizata rinore.
Pjesëmarrësit përmes prezantimeve, punëtorive interaktive, diskutimeve në panel dhe shfaqjeve eksperimentale do t’i sjellin më pranë të rinjve mundësitë më të fundit arsimore dhe profesionale.
Vizitorët do të mund të marrin informacion për bursat, programet akademike, afatet e regjistrimit, përfitimet e studentëve, si dhe këshilla për ndërtimin e një karriere të suksesshme.
“Programi i eventit përfshin: prezantime nga universitetet dhe akademitë, këshillim për karrierë, punëtori për shëndetin mendor me psikolog, prezantim të mundësive të bursave dhe programeve Erasmus+, panel diskutime me ekspertë për tema akademike dhe të karrierës, rrjetëzim me përfaqësues nga sektori i arsimit dhe biznesit”, thonë organizatorët.
Veprimtaria, shtojnë ata, synon t’u sigurojë maturantëve informacionin dhe burimet e nevojshme në mënyrë që ata të marrin vendime të informuara për arsimin dhe karrierën e tyre të ardhshme, ndërsa studentët aktualë do të kenë mundësinë të eksplorojnë praktikat, trajnimet shtesë dhe zhvillimin profesional, duke u lidhur drejtpërdrejt me universitete, kompani dhe ekspertë nga fusha të ndryshme.