Korrupsioni po i shkatërron hapësirat e gjelbra në RMV
(Mos)respektimi i Ligjit për gjelbërim, ndërtimet e shumta në qytet dhe keqpërdorimet e hapësirave të gjelbra, kanë qenë në fokusin e diskutimeve në Forumin me temë: “Keqpërdorimi i gjelbërimit urban për ndërtime”, që u organizua në Shkup, shkruan Portalb.mk. Arkitektët janë decidë se procesi i humbjes së hapësirave të gjelbra në qendër të qytetit është […]
(Mos)respektimi i Ligjit për gjelbërim, ndërtimet e shumta në qytet dhe keqpërdorimet e hapësirave të gjelbra, kanë qenë në fokusin e diskutimeve në Forumin me temë: “Keqpërdorimi i gjelbërimit urban për ndërtime”, që u organizua në Shkup, shkruan Portalb.mk.
Arkitektët janë decidë se procesi i humbjes së hapësirave të gjelbra në qendër të qytetit është intensifikuar.
“Tashmë jemi në një fazë ku nevojitet sinkronizimi i akteve ligjore dhe ndoshta një terminologji sa më precize dhe më e qartë në rregulloret për përpunimin e planeve urbanistike dhe zbatimin e mëtejshëm nga autoritetet lokale”, tha arkitekti Ivan Arsovski.
“Edhe pse është e ndaluar, për mrekulli si me magji, ne e humbim gjelbërimin përmes proceseve dhe veprimeve të ndryshme. Kur diçka është e ndaluar dhe ndodh diçka tjetër, ekziston dyshimi se këtu ka korrupsion“, deklaroi arkitektja dhe udhëheqësja e projektit “Qytetarët kundër korrupsionit në mjedisin jetësor, Ana Petrovska.
I pari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gorgievski vlerëson se çdo gjë që duhet të ndërtohet duhet të ndërtohet sipas planit.
“Disa në të kaluarën donin të karakterizoheshin me kaos urban. Unë jam një person që po përpiqem për të kundërtën. Jo gjithmonë do të jeni të preferuar nga investitorët dhe ndërtuesit. Ju e dini që nuk është një proces i thjeshtë për të anuluar një leje ndërtimi që dikush ka lëshuar në të kaluarën”, tha mes tjerash Georgievski.
Aktivisti dhe anëtari i Këshillit Komunal në Komunën Qendër, Jane Dimovski polemizoi se sa e palogjikshme është se si gjelbërimi po trajtohet si hapësirë e zbrazët, e papërdorur.
“Unë jam inatosur edhe me urbanistët, tani mbase ky është termi i tyre teknik, përmes të cilit e përshkruajnë një fazë të planeve, thonë në vendet ku ndërtohet diçka kemi zhvillim. Zhvillimi nuk është term që ne e përdorim kur ndërtojmë. Ne nga ky zhvillim po humbim gjithëçka. Po mbytemi“, tha Dimovski.
Në debat nuk kishte përfaqësues nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor edhe pse ishin të ftuar.
Në fund, u nënshkrua memorandum bashkëpunimi për luftë kundër shkatërrimit të gjelbërimit urban. Përfaqësues të organizatave jo qeveritare, aktivistë dhe ekspertë u zotuan se do të luftojnë korrupsionin urbanistik dhe ndërtimor.
Kujtojmë që ndryshimet në Ligjin për planifikimin urbanistik të cilat u miratuan pa debat dhe me procedurë të shkurtuar më 13 gusht 2024, nxitën reagime të mëdha nga organizatat e mjedisit.
Ata edhe para se të miratoheshin ndryshimet kishin kritika për ligjin, ndërsa pas miratimit i kërkuan presidentes që mos e nënshkruajë ligjin.
Një nga vërejtjet që kishin organizatat e mjedisit ishte pikërisht se gjelbërimi dhe parqet do ishin viktima e parë.
Ndryshe, sipas një ankete të Institutit të Gjelbër të vitit 2023, nga 150 të anketuar për qasjen e hapësirave të gjelbra publike, 37 përqind janë përgjigjur se jetojnë me më pak se 50 metra katrorë gjelbërim.