“Kosova dhe Metohija”: Zëvendëskryeministri Stoilkoviq devijoi qëndrimin zyrtar të RMV-së ndaj Kosovës, deklarata “ndezi zjarrin” te partitë politike

Pavarësisht se Maqedonia e Veriut e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 9 tetor 2008, disa muaj nga shpallja e deklaratës së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, zëvendësministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në RMV, Ivan Stoilkoviq, i cili ka prejardhje serbe, ka devijuar qëndrimin zyrtar të shtetit përballë Kosovës, […]

Jan 15, 2025 - 14:00
 0  4
“Kosova dhe Metohija”: Zëvendëskryeministri Stoilkoviq devijoi qëndrimin zyrtar të RMV-së ndaj Kosovës, deklarata “ndezi zjarrin” te partitë politike
Ivan Stoilkoviq, Ministër i Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në RMV/ Foto nga fejsbuku i tij

Pavarësisht se Maqedonia e Veriut e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 9 tetor 2008, disa muaj nga shpallja e deklaratës së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, zëvendësministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në RMV, Ivan Stoilkoviq, i cili ka prejardhje serbe, ka devijuar qëndrimin zyrtar të shtetit përballë Kosovës, duke e paraqitur të njëjtën në faqen zyrtare shtetërore si krahina “Kosova dhe Metohija”, emërim me të cilin i qaset Serbia Kosovës, shkruan Portalb.mk.

Në një kumtesë për kampin sportiv “Serbia po ju thërret” në Beograd ku morën pjesë rreth 50 fëmijë nga RMV-ja, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Republika e Kosovës prezantohet me emrin me të cilin i qaset shteti i Serbisë, “Kosova dhe Metohija”.

 

Printscreen nga ueb-faqja e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut
Printscreen nga ueb-faqja e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut

Çka përfaqëson në Qeveri Stoillkoviq?

A e përfaqëson ministri Ivan Stoilkoviq qëndrimin e tij politik në komunikim zyrtar apo qëndrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në raport me Republikën e Kosovës?

Kjo ishte pyetja të cilën Portalb.mk ia drejtoi Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

“Republikën e Kosovës e kemi njohur në vitin 2008 dhe si shtet kemi lidhur një sërë marrëveshjesh bilaterale. Si Qeveri, informojmë se të gjithë duhet të respektojnë vendimet dhe të veprojnë në përputhje me vendimet, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të vendit”, thanë nga zyra e zëdhënësit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk.

Por pavarësisht kësaj, nga Ministria të cilën e udhëheq Stoillkoviq nuk u përgjigjën në pyetjen gazetareske.

Deklarata e Stoillkoviq nxiti reagime te partitë politike

Deputeti i opozitës, nga Frontit Europian, Skender Rexhepi- Zejdi, në një intervistë për TV21 tha se në lidhje me rastin është dashur të reagonte edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat e VLEN-it.

“Në faqen zyrtare të Ministrisë nuk guxojnë të përdoren emra të shteteve që nuk ekzistojnë. Kjo është dështim i VLEN-it, nuk llogaritet i Stoilkoviqit… Zyrtarisht, në faqen zyrtare të Ministrisë nuk guxojnë të përdoren emra të shteteve që nuk ekzistojnë. Nuk ekziston shtet Kosova dhe Metohija. Ekziston shtet Kosova që Maqedonia e Veriut zyrtarisht e ka njohur dhe i pari që duhej të reagonte është kryeministri që e menaxhon atë qeveri, në mungesë të atij, janë ministrat e VLEN-it”, tha Zejdi.

Koalicioni VLEN, partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it në pushtet në një reagim publik kanë thënë se janë dhe do të qëndrojnë fuqishëm në krah të interesave kombëtare shqiptare, duke mbrojtur çdoherë të drejtën e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Çdo përpjekje për t’i atribuar qëndrime të paqena VLEN-it është e kotë dhe e pabazuar. VLEN nuk e mohon se Ivan Stoilkoviq është përfaqësues i serbëve. Është përfaqësues i tyre dhe ne nuk pretendojmë ta bëjmë atë shqiptar, e aq më pak ta detyrojmë të mendon si shqiptar. Rikujtojmë që takimi i parë i kryeministrit Hristijan Mickoski ka qenë ai me kryeministrin Albin Kurti”, thuhet në komunikatën e VLEN.

“Stoilllkoviq vë qëndrimet individuale mbi ato shtetërore”

Njohësi i rrethanave politike në vend, analisti Xhelal Neziri në një deklaratë për Portalb.mk tha se veprimi i Stoilkoviqit tregon qartazi se ai vë qëndrimet individuale apo, partiake ndoshta edhe etnike, mbi ato shtetërore.

Analisti politik, Xhelal Neziri. Fotgrafia marrë nga profili i tij në facebook.

“Maqedonia e Veriut ka njohur Kosovën si shtet pa prapashtesën “Metohi” dhe kjo është fakt. Nëse nuk i pëlqen politikat shtetërore është legjitime të përpiqesh t’i ndryshosh. Nëse ato politika s’përputhen me qëndrimin individual, partiak apo etnik atëherë nuk duhet marrë pjesë në pushtetin ekzekutiv. Ky pushtet, apo Qeveria, zbaton politikat e Parlamentit. Cili Parlament i ka dhënë të drejtë Stoilkoviqit të përdorë terminologji ndryshe nga politika e jashtme shtetërore? Ai i Maqedonisë së Veriut jo”, tha Neziri.

Sipas Nezirit, këtu vihet në shprehje ndikimi serb në Maqedoninë e Veriut, i cili, thotë Neziri, në masë të madhe është i dëmshëm përderisa Serbia tenton të baraspeshojë midis Lindjes dhe Perëndimit.

“VMRO-DPMNE dhe VLEN si partnerë më të mëdhenj të qeverisë duhet t’ia bëjnë me dije këtë Stoilkoviqit. Duhet t’i thonë se ai paguhet nga tatimet e shtetasve të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë zgjedhur Parlamentin, i cili ka miratuar ato politika që ka miratuar, edhe në raport me Kosovën. Nëse dikush nuk i pranon, atëherë i duhet treguar dera”, përfundoi Neziri.

Rasti kaloi kufirin, reagime nga Kosova

Kundër qëndrimit të Stoilkoviqit kanë reaguar edhe nga partia kosovare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“E para, Maqedonia e Veriut e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka obligim që të sillet në përputhje me normat ndërkombëtare në raport me Shtetin e Kosovës. E dyta, kjo nuk është goditje vetëm ndaj Shtetit të Kosovës, por edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni, të cilët janë shtylla e marrëdhënieve ndërshtetërore midis dy vendeve tona. Ne jemi të interesuar që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është në interes të ndërsjellë. E treta, është e dhimbshme që Qeveria e Kosovës nuk reagon për një skandal të tillë. Ajo do të duhej ta kishte thirrur ambasadorin e Maqedonisë së Veriut dhe t’i kishte kërkuar heqjen urgjente nga faqja zyrtare e këtij cilësimi ndaj Republikës së Kosovës. Ose, këto janë rezultatet e përzierjes së Kurtit në proceset e brendshme zgjedhore në Maqedoni. Ne po se po, por edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duhet t’i kërkojnë llogari”, thanë nga AAK për Klan Maqedoni.

Viti 2024 shënoi disa momente kulminante me Kosovën

Ndryshe, në vitin që lamë pas, në 2024 u shënuan dy momente delikate në raport me Kosovën. Më 10 shkurt 2024 u raportua për një plan atentati ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në Shkup, që më pas u tha se nuk ishte e vërtetë. Ndërsa më 2 gusht 2024 presidentja Vjosa Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit, ku u tentua t’i merret telefoni. Por që dy vendet kanë raporte të mira u ritheksua në seancën e përbashkët qeveritare e cila u mbajt më 18 nëntor 2024 në Prishtinë . 

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë disa projekte të përbashkëta që i kanë filluar, si pikat e përbashkëta kufitare “One Stop Shop” dhe rruga ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës.