Kos përsëriti: Për të përparuar në anëtarësimin në BE, Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën
Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për të ndryshuar Kushtetutën për të bërë përparim në procesin e anëtarësimit në BE, tha komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos në debatin e djeshëm me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), transmeton Portalb.mk. “Shpresojmë që Maqedonia do të përmbushë detyrimin për ndryshimin […]
Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për të ndryshuar Kushtetutën për të bërë përparim në procesin e anëtarësimit në BE, tha komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos në debatin e djeshëm me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), transmeton Portalb.mk.
“Shpresojmë që Maqedonia do të përmbushë detyrimin për ndryshimin e kushtetutës dhe pastaj, jam e sigurt, që sapo të fillojmë të lëvizim me Maqedoninë e Veriut, edhe me mbështetjen e Bullgarisë, do të mund të vazhdojmë në atë rrugë”, tha Kos duke u përgjigjur një pyetjeje të eurodeputetit bullgar Andrej Kovaçev në debat.
Ajo theksoi kompleksitetin e procesit të zgjerimit, duke theksuar se për fillimin dhe përfundimin e procesit negociator të vetëm një vendi kandidat, nevojiten 150 vendime konsensusi të anëtarëve të BE-së, por se duhet bërë gjithçka për të shmangur çështjet bilaterale që ndikojnë në negociata.
“Por kjo tashmë po ndodh dhe do të ndodhë në të ardhmen, ndaj është detyrë e të gjithëve ne t’i zgjidhim ato kur të shfaqen”, thotë Kos.
Kos thotë se nga përpjekjet e tyre duhet të përfitojnë edhe ato vende kandidate që zbatojnë reformat e nevojshme.
Ajo thekson se zgjerimi i sotëm është më ndryshe se sa ishte pesë vite më parë dhe shton se ka një mundësi të madhe për të çuar gjërat përpara në këtë proces.
“Për herë të parë në dhjetë vjet ka një perspektivë reale që gjatë këtij mandati të institucioneve të BE-së të mund të sjellim një, dy ose tre vende drejt qëllimit”, tha Kos.
Ajo shprehu shpresën se gjatë presidencës aktuale polake të Këshillit të BE-së, do të hapen një ose dy klastere me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe se do të bëhet përparim në negociatat për disa kapituj dhe klastere me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse vendet kandidate i përmbahen reformave të progresit, ne mund të shohim më shumë përparim gjatë presidencës polake sesa në dhjetë vitet e fundit,” shtoi Kos.
Nga ana tjetër ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski i pyetur në intervistën e djeshme në “Top Tema” në televizionin Telma, nëse Qeveria ende këmbëngul për propozimin e ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar, ai tha se nëse palët e interesuara në Bruksel kanë ide të tjera për parashikueshmërinë, “ne jemi të hapur për dialog, por përmes konsultimit me komunitetin e ekspertëve, sektorin joqeveritar dhe publikun”.
Sipas Mucunskit, thelbi është sigurimi i parashikueshmërisë në rrugën e anëtarësimit dhe ai beson se aktualisht kjo mund të arrihet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese për të përfshirë bullgarët në Kushtetutën që do të zbatohej pasi vendi të bëhet anëtar i plotë i BE-së.
Ministri thotë se ai propozim nuk është hequr dorë dhe shton se kanë dialog të vazhdueshëm me institucionet në Bruksel dhe me shtetet anëtare “të cilëve u themi se shqetësimi ynë parësor si vend është se si do të jemi të sigurt”.
Ai thotë se Qeveria nuk do të sillet në mënyrë amatore siç ka ndodhur në të kaluarën, por do të tregojë qasje profesionale dhe strategjike.
“Ne duhet të luftojmë, por edhe të jemi të vetëdijshëm për fuqitë tona – pozicionin strategjik të vendit tonë dhe faktin se Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë një gabim tjetër në aspektin e integrimit tonë”, tha Mucunski.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.