KQZ lanson fushatën për integritetin e informacionit dhe kundër dhunës online ndaj grave në politikë
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi mori pjesë në ditën konferencën për Integritetin e Informacionit (DISICON), të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington dhe me mbështetjen e USAID-it në Kosovë. Në këtë ngjarje u lansuan edhe dy videot e përgatitura me mbështetjen e NDI në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi mori pjesë në ditën konferencën për Integritetin e Informacionit (DISICON), të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington dhe me mbështetjen e USAID-it në Kosovë.
Në këtë ngjarje u lansuan edhe dy videot e përgatitura me mbështetjen e NDI në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për integritetin e informacionit dhe kundër dhunës online ndaj grave në politikë.
“Integriteti i informacionit në zgjedhje është një nga shtyllat kryesore që e mban një proces zgjedhor dhe ndikon në besueshmërinë e tij tek qytetarët dhe akterët tjerë të procesit zgjedhor, sepse nëse zgjedhjet nuk gëzojnë besueshmëri atëherë do të kenë ndikim negativ në të gjithë procesin zgjedhor”, tha Radoniqi.
Po ashtu, kryesuesi i KQZ-së bëri të ditur edhe hapat konkretë që janë ndërmarrë nga KQZ në drejtim të ruajtjes së integritetit të informacionit.
“Së fundmi, me mbështetjen e NDI kemi bërë hapa konkret në funksion të ruajtjes së integritetit të informacionit dhe edukimit për të parandaluar dhunën online në baza gjinore. Është vendosur bashkëpunim dhe kontakt i drejtpërdrejtë me platformën Meta dhe kjo ka ndihmuar për të përmirësuar mënyrën se si i përdorim mediat sociale në mënyrë sa më efektive. Gjithashtu, kujdesi i institucionit tonë do të jetë në reagimin e shpejtë dhe ndalimin e përhapjes së lajmeve të rremë, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me procedurat zgjedhore. Si rezultat i bashkëpunimit dhe mbështetjes nga NDI, edhe dy videot e përgatitura janë pjesë e një fushate ndërgjegjësuese që kanë për qëllim edukimin publik kundër çrregullimeve të informacionit gjatë zgjedhjeve dhe dhunën online ndaj grave në politikë”, tha Radoniqi.