Krejt çka parasheh projektligji i PDK-së për Specialen: Kufizohet mandati, rastet kalojnë në Kosovë, dënimet ulen në 15 vjet
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjinin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Propozimi prek tri çështje: cilat krime mund të gjykohen, kush vendos për dosjet d...


Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjinin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Propozimi prek tri çështje: cilat krime mund të gjykohen, kush vendos për dosjet dhe ku vuhet dënimi. Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te mandati. Për rastet në zhvillim, dispozita kalimtare ruan rregullat ekzistuese deri në Apel. Ndryshimet për dënimet, ndërkaq, parashihen të zbatohen menjëherë pas hyrjes në fuqi.
Kufizimi i juridiksionit të Speciales
Ligji ekzistues nuk i jep Speciales të drejtë të gjykojë çdo krim lufte. Neni 6 tashmë e lidh mandatin me Raportin e Këshillit të Evropës.
Neni 1 përfshin pretendime për krime të rënda gjatë dhe pas konfliktit, të lidhura me raportin dhe të hetuara nga Task Forca Hetimore Speciale.
Projektligji kërkon një lidhje shumë më të ngushtë: në qendër vendos pretendimet specifike për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.
Vrasja, tortura dhe trajtimi mizor ose çnjerëzor do të përfshiheshin vetëm kur lidhen drejtpërdrejt ose menjëherë me marrjen e organeve.
Për këto vepra, propozimi vendos edhe një kusht tjetër: ato duhet të jenë kryer në vendndalimet që raporti i përmend shprehimisht.
Pra, nuk do të mjaftonte që një akuzë të lidhej me kontekstin e përgjithshëm të Raportit të Dick Martyt. Duhet lidhje me veprimet e përcaktuara konkretisht.
Akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose dhunë politike pa këtë lidhje do të mbeteshin jashtë mandatit të përcaktuar në nenin 6(1) të propozuar.
Gjykata do të duhej ta arsyetonte veçmas të drejtën për të gjykuar çdo të akuzuar dhe secilën pikë të akuzës.
Kjo kërkon identifikimin e veprës, fakteve, kohës, vendit, bazës ligjore dhe, kur zbatohet, bazës personale të juridiksionit, bashkë me lidhjen konkrete me raportin.
Neni 11A i propozuar përcakton: “Vendimi për juridiksion përmban arsyetim të veçantë për secilën pikë të akuzës.”
Ndryshon edhe periudha. Ligji ekzistues mbulon veprat nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
Projektligji e zhvendos fillimin në 1 korrik 1999, duke ruajtur datën e përfundimit, 31 dhjetorin 2000. Kështu, periudha para korrikut 1999 do të përjashtohej.
Për veprimet jashtë Kosovës, mbetet kushti që lidhet me shtetësinë e kryerësit ose viktimës, krahas kufijve të rinj kohorë, lëndorë dhe lidhjes me raportin.
Megjithatë, neni 6(2) nuk ndryshohet. Ai ruan juridiksionin për veprat e përcaktuara penale që lidhen me procedurat zyrtare dhe zyrtarët e këtyre institucioneve.
Transferim i dosjeve, jo mbyllje automatike e rasteve
Ligji ekzistues u jep Dhomave përparësi brenda mandatit të tyre. Ato mund të urdhërojnë marrjen e lëndëve nga gjykatat ose prokuroritë e tjera në Kosovë.
Projektligji parashikon edhe drejtimin e kundërt: çështjet që nuk plotësojnë kushtet e mandatit të ngushtuar duhet t’u kalojnë gjykatave dhe prokurorisë në Kosovë.
Gjykimet do të transferoheshin në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ose në gjykatën përkatëse të shkallës pasuese. Hetimet do t’i kalonin Prokurorisë Speciale.
Mbyllja e procedurës para Dhomave nuk do të nënkuptonte vetvetiu pafajësi ose përfundim të ndjekjes penale. Çështja do të kalonte për shqyrtim te një autoritet tjetër.
Gjykata ose prokuroria që merr dosjen do të vendoste në mënyrë të pavarur për aktakuzën, provat, përgjegjësinë penale dhe vazhdimin e procedurës.
Neni 10A i propozuar e ndan qartë transferimin e materialeve nga pranimi i tyre si prova:
“Transferimi i materialeve nuk përcakton paraprakisht vlerën provuese, ligjshmërinë ose pranueshmërinë e tyre para autoritetit pranues.”
Dhomat do të kishin 15 ditë nga pranimi i kërkesës për të vendosur mbi juridiksionin, ose 30 ditë kur mbajnë seancë gojore.
Nëse vendimi kundërshtohet ose afati kalon pa vendim, palët mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë. Ajo do të vendoste brenda 15 ditëve.
Kjo ndryshon rrugën e ankimit. Sipas ligjit ekzistues, ankesat e ndërmjetme mbi juridiksionin shqyrtohen nga Paneli i Apelit i Dhomave.
Edhe kërkesa e Dhomave për marrjen e një lënde nga Kosova duhet të tregojë veprën penale, faktet dhe bazën ligjore për marrjen e saj.
Kur autoriteti vendor ngre çështjen e juridiksionit, materialet ruhen dhe transferimi pret vendimin e gjykatës së Dhomave. Projektligji cakton 21 ditë për këtë vendim.
Transferimi i dosjeve duhet të përfshijë edhe garancitë
Dosja e plotë dhe e certifikuar duhet të dorëzohet brenda 30 ditëve nga vendimi për transferim, bashkë me aktet, regjistrimet, vendimet dhe provat e nevojshme.
Provat materiale duhet të shoqërohen me inventar dhe dokumentim të plotë të ruajtjes e dorëzimit. Kjo mundëson ndjekjen e lëvizjes së tyre gjatë transferimit.
Për personat e privuar nga liria, synohet që transferimi fizik të përfundojë brenda 15 ditëve, në bashkëpunim me shtetin ku ndodhen Dhomat.
Pas mbërritjes në Kosovë, personi duhet të paraqitet para gjyqtarit brenda 48 orëve. Mbajtja e mëtejshme në paraburgim kërkon bazë ligjore vendore.
Gjykata do të shqyrtonte vetë nëse paraburgimi është i ligjshëm dhe i nevojshëm, apo nëse duhen masa të tjera.
Mbrojtja e dëshmitarëve dhe viktimave nuk ndërpritet me transferimin. Autoritetet që marrin çështjen duhet të sigurojnë nivel të barasvlershëm sigurie dhe konfidencialiteti.
Ligji ekzistues kërkon ruajtjen e arkivave jashtë Kosovës. Propozimi parashikon dorëzimin e dosjeve dhe materialeve që u duhen autoriteteve vendore për çështjet e transferuara.
Kjo nuk do t’i hapte automatikisht arkivat për publikun. Materialet e mbrojtura do të ruanin statusin e tyre edhe pas dorëzimit.
Qasja e autoriteteve vendore do të kufizohej te nevojat e çështjes, duke respektuar mbrojtjen e dëshmitarëve, konfidencialitetin dhe kushtet e atyre që kanë dhënë informacionin.
Për rastet në zhvillim, ndryshimi kryesor vjen pas Apelit
Neni 26 vendos një përjashtim të rëndësishëm: rastet ekzistuese në procedurën paraprake, gjykim ose apel do të vazhdonin sipas ligjit të vjetër deri në aktgjykimin e Apelit.
“Ky ligj nuk zbatohet ndaj rasteve nga paragrafi 1 i këtij neni deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit.”
Pas këtij vendimi, rruga do të ndryshonte. Ankesat, kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe mjetet e tjera juridike do t’i shqyrtonte Suprema e Kosovës në Prishtinë.
Projektligji e thotë shprehimisht: “Paneli i Gjykatës Supreme i Dhomave të Specializuara nuk ka juridiksion mbi këto raste.”
Ligji ekzistues ia beson panelit të specializuar ankesat e shkallës së tretë në rastet e përcaktuara, si dhe shqyrtimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike.
Veçmas, neni 10D i propozuar parashikon ndarjen e çështjeve që përmbajnë akuza brenda dhe jashtë mandatit. Do të transferohej vetëm pjesa jashtë tij.
Kur vendimi nuk është përfundimtar, pjesa për akuzat jashtë juridiksionit do të anulohej. Procedura për atë pjesë do të përfundonte ose transferohej sipas ligjit.
“Vendimet e formës së prerë trajtohen sipas dispozitave për mjetet e jashtëzakonshme juridike dhe standardeve kushtetuese të zbatueshme”, përcakton neni 10D.
Nga burgimi i përjetshëm, te maksimumi 15 vjet
Neni 44 i ligjit ekzistues lejon dënime deri në burgim të përjetshëm. Projektligji do ta ulte kufirin maksimal në 15 vjet burg.
Ligji ekzistues kërkon gjithashtu shqyrtimin e dënimeve të zbatueshme në kohën e krimit dhe të dispozitave të mëvonshme më të buta.
Pra, risia nuk është vetëm përmendja e ligjit më të favorshëm. Projektligji vendos kufi të prerë numerik: jo më shumë se 15 vjet.
Do të ndryshonte edhe vendi i vuajtjes së dënimit. Aktualisht, kryetari i Dhomave zgjedh ndër shtetet që kanë pranuar të marrin persona të dënuar.
Propozimi përcakton që burgimi të vuhet në institucionet korrektuese të Kosovës. Institucionin konkret do ta caktonin autoritetet vendore, sipas dënimit, sigurisë dhe rrethanave individuale.
Ligji ekzistues përjashton faljen presidenciale. Projektligji do t’i lejonte Presidentit të Kosovës të falte individualisht persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë.
Kjo do të krijonte mundësinë e faljes, jo falje automatike. Propozimi kërkon respektimin e kritereve, kushteve dhe procedurave të ligjit për faljen.
Këtu gjendet edhe përjashtimi nga pritja deri në Apel: nenet 15, 16 dhe 17 do të zbatoheshin menjëherë pas hyrjes së ligjit në fuqi.
Kufiri i dënimit, vuajtja e tij në Kosovë dhe mundësia e faljes do të përfshinin edhe personat me dënime përfundimtare, pavarësisht fazës së procedurës.
Mbikëqyrësit do të raportonin, jo të ndryshonin aktgjykime
Ligji ekzistues parashikon Ombudspersonin e Dhomave, i cili mund të japë rekomandime dhe të paraqesë çështje për shqyrtim kushtetues.
Projektligji shton një mekanizëm tjetër: Kuvendi mund të autorizojë organizata ndërkombëtare të specializuara për të monitoruar punën e Dhomave dhe Prokurorisë së Specializuar.
Kryesia e Kuvendit do të përcaktonte përzgjedhjen, mandatin, kohëzgjatjen, qasjen në informacion dhe mënyrën e raportimit të këtyre organizatave.
Monitorimi do të përfshinte gjykimin e drejtë, kohëzgjatjen e procedurave, trajtimin e të paraburgosurve, mbrojtjen e dëshmitarëve, administrimin dhe transparencën.
Por organizatat nuk do të merrnin rolin e gjyqtarit ose prokurorit. Teksti kërkon pavarësi, paanshmëri, konfidencialitet dhe mosndërhyrje në këto funksione.
“Organizata e autorizuar i paraqet Kuvendit raporte periodike dhe raport përfundimtar mbi gjetjet e monitorimit”, thuhet në nenin 63A të propozuar.
Raportet mund të përmbanin konstatime dhe rekomandime, por nuk do të ndryshonin vendime, urdhra ose aktgjykime. Monitorimi nuk do të ishte një shkallë tjetër ankimi.
Raportet do të publikoheshin, përveç pjesëve që rrezikojnë sigurinë, dëshmitarët, konfidencialitetin, të dhënat personale ose një proces gjyqësor në zhvillim.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.