Kriza ekonomike gjermane po “merr hak” edhe në zonat industriale të RMV-së
Sipas ekonomistëve ekonomia gjermane, që është një nga fuqitë më të mëdha evropiane, po shënon një stagnacion. Prodhimi Vendor Bruto i Gjermanisë për dy vjet me radhë ka shënuar një rënie të lehtë, duke e çuar vendin në recesionin e tij më të gjatë në më shumë se dy dekada, shkruan Radio Evropa e Lirë, […]


Sipas ekonomistëve ekonomia gjermane, që është një nga fuqitë më të mëdha evropiane, po shënon një stagnacion. Prodhimi Vendor Bruto i Gjermanisë për dy vjet me radhë ka shënuar një rënie të lehtë, duke e çuar vendin në recesionin e tij më të gjatë në më shumë se dy dekada, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Efektet e problemeve ekonomike të Gjermanisë i ndjen edhe 45-vjeçari Sllave, i cili punon në një fabrikë në zonën industriale Bunarxhik në afërsi të Shkupit.
Fabrika në të cilën punon Sllave prodhon dhe eksporton pjesë për industrinë gjermane të automobilave, kështu që për shkak të rënies së kërkesës fabrika po e zvogëlon numrin e punëtorëve. Në këtë fabrikë numri i punëtorëve është zvogëluar për një të katërtën, që do të thotë se janë larguar rreth 70 persona si tepricë teknologjike dhe ata që kanë mbetur tani punojnë në tre turne, e jo në katër siç bënin më parë.
“Ne që kemi mbetur në punë kemi më pak punë në këtë periudhë, por kemi edhe më pak orë pune. Kjo është vala e parë, aktualisht po amortizojnë, fabrika është stabile, por puna ka rënë. Fabrika po mundohet të jetë efektive”, thotë bashkëbiseduesi ynë, i cili kërkoi të mbetet anonim për të mos i ndikuar në punën e tij.
Gjithsej 40 përqind e të gjithë eksportit nga Maqedonia e Veriut përfundon në tregun gjerman. Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se për një vit eksporti ka rënë për 568 milionë euro. Shumica e produkteve nga Maqedonia që përfundojnë në tregun gjerman janë pjesë për industrinë e automobilave.
Punëtorët në zonat ekonomike të Maqedonisë kanë frikë për vendet e tyre të punës, sidomos ata që eksportojnë produkte dhe pjesë për automobila që punojnë me karburante, thonë nga sindikatat.
“Të shqetësuar janë ato nga kompanitë që merren me prodhim në industrinë metalurgjike. Prodhimtaria e tyre ka shënuar rënie edhe vitin e kaluar edhe këtë vit, ata punojnë me 50 përqind të kapacitetit sepse edhe porositë e tyre janë zvogëluar”, thotë Igor Gerasov nga Sindikata e Zonave të Lira Ekonomike (ZZhTI).
Nga ana tjetër, ata që punojnë në fabrikat që prodhojnë pjesë për automobila elektrikë janë në gjendje më të mirë, shton ai.
„Aptiv“ nga ZZhTI shpërngulet në Poloni dhe Portugali
Deri më tani kompania Aptiv, e cila prodhon pajisje elektrike dhe elektronike për automobila në Zonën e Lirë Ekonomike Bunarxhik, ka njoftuar se do ta mbyllë fabrikën, duke lënë kështu të papunë rreth 500 persona. Sipas njoftimit ajo do ta kalojë prodhimin e saj në Poloni dhe Portugali.
Nga Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZhTI) thonë se janë në dijeni të planeve të kompanisë Aptiv për tërheqje të prodhimit nga Maqedonia, por siç thonë ata, kjo nuk ka të bëjë me kushtet lokale, por me ristrukturimin global.
“Sipas informacionit të disponueshëm për publikun Aptiv planifikon të ndahet globalisht në dy entitete, me qëllimin për ta shitur entitetin EDS. Edhe fabrika në Maqedoni, e cila është nën garancinë e Aptiv Hungaria dhe i përket divizionit “Elektrik” mund të përfshihet në këtë shitje. Këto ndryshime flasin për një riformësim të rëndësishëm të Aptiv në nivel global, me një ndikim të mundshëm në operacionet e tyre në Maqedoni,” thanë nga ZZhTI për Radion Evropa e Lirë.
Lidhur me njoftimet për zvogëlimin e numrit të punëtorëve në kompaninë britanike Johnson Matthey, e cila prodhon pjesë për automobila në zonat industriale afër Shkupit, nga ZZhTI thonë se nuk kanë marrë një informacion të tillë.
Kryeministri Hristijan Mickoski është njoftuar me problemet e kompanive të huaja për shkak të krizës në Gjermani, por zgjidhjen e sheh tek investimet e reja.
“Po negociojmë me disa nga investitorët të cilët janë të interesuar të investojnë dhe ky proces do të përfundojë shumë shpejt, kështu që unë jam më shumë i shqetësuar për atë nëse do të kemi fuqi punëtore të mjaftueshme për të gjitha ato investime që janë në proces investimi”, tha Mickoski më 6 shkurt.
Kryeministri Mickoski nuk saktësoi nëse shteti ka plan për sektorin e automobilave, i cili po goditet nga kriza dhe në të cilin punojnë me mijëra punëtorë nga Maqedonia.
Sipas përgjigjes nga ZZhTI, edhe pse në ekonominë gjermane ekzistojnë sfida të caktuara që ndikojnë në shkëmbimin tregtar me Maqedoninë, nuk ka informacion konkret për reduktimin e fuqisë punëtore apo largimin nga zonat industriale në vend.
“Përkundrazi, sipas deklaratave të fundit, investitorët gjermanë vazhdojnë të tregojnë interes për Maqedoninë, madje disa mendojnë t’i zgjerojnë investimet e tyre”, thonë nga atje.
Pasojat e stagnimit gjerman ndaj eksportit nga Maqedonia e Veriut
Kryetari i Këshillit për Investime të Huaja, Viktor Mizo, thotë se zhvillimet ekonomike në Gjermani dhe parashikimet për këtë vit, si dhe ekonomia e përgjithshme evropiane, e cila këtë vit do të përballet me rritje të ulët ekonomike prej rreth 1%, po shkaktojnë stagnim të kërkesës për eksport nga Maqedonia.
“Por, nëse shikojmë sipas industrive dhe faktit që industria automobilistike kontribuon me mbi 50 përqind të eksportit tonë në Gjermani dhe Evropë, si dhe kontributin e industrisë automobilistike në eksportin e përgjithshëm nga Maqedonia, dhe faktin që gjendja tek prodhuesit më të mëdhenj evropianë të automobilave është e pasigurt, ka ulje të prodhimit, lëshim të punëtorëve dhe mbyllje të disa fabrikave, si dhe që pritet optimizimi i prodhimit evropian, e gjithë kjo do të ketë ndikim ndaj eksportit tonë drejt atyre tregjeve”, sqaron Mizo.
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në industrinë automobilistike gjermane është kriza energjetike dhe lufta mes Rusisë dhe Ukrainës. Një presion shtesë shkaktoi edhe njoftimi i presidentit amerikan Trump ku ai thotë se po planifikon tatim të ri prej 10% për Bashkimin Evropian për produktet që shiten në Amerikë. Por një kërcënim ekonomik për industrinë automobilistike gjermane është edhe konkurrenca e rritur nga Kina në tregun global me një rritje të shitjes të auromobilave elektrikë më të lirë.
Nuk ka shumë hapësirë për manovra
Ekonomistët thonë se këto industri, të cilat varen nga çmimet e energjensëve dhe konkurrenca kineze, janë të parat që goditen nga recesioni. Profesori Dimitar Nikollovski nga Fakulteti Ekonomik në Prilep thotë se kompanitë në zonat ekonomike të Maqedonisë që prodhojnë pjesë për automobila nuk kanë shumë hapësirë për manovrim në këtë situatë.
“Para së gjithash po flasim për kompanitë që janë themeluar me kapital të huaj dhe që janë themeluar si kompani të jashtme me qendër në Gjermani. Në këtë rast nuk ka shumë hapësirë për manovrim që kompanitë tona të ndërhyjnë, sepse porositë e tyre janë të lidhura drejtpërdrejt me qendrat për të cilat punojnë”, thotë Nikollovski.
Ai shton se ka sinjale të caktuara për përfundimin e recesionit në njoftimet politike për një zgjidhje të mundshme paqësore të konfliktit në Ukrainë, me ç’rast do pritej një ulje e çmimeve të energjensëve. Sipas tij, në një situatë të tillë, si sfidë do të mbetet konkurrenca kineze me automobilat elektrikë.
Nikollovski thotë se përparësia e kompanive kineze është se ato hapen që në fillim si fabrika për automobila elektrikë, ndërsa kompanitë evropiane, përfshirë edhe ato gjermane, kanë një traditë të gjatë të prodhimit të automobilave me motorë me djegie të brendshme.
“Ata tani po përballen me vendime strategjike se si ta transformojnë prodhimtarinë, sepse kompanitë kineze që në fillim janë projektuar që të prodhojnë automobila elektrikë, kanë shpenzime të ulëta dhe janë shumë më konkurruese në tregun botëror”, thotë Nikollovski.
Të mendohet për reformim të strukturës eksportuese në afat më të gjatë
Një nga mënyrat për ta përmirësuar dhe për ta bërë eksportin më elastik ndaj goditjeve është reformimi i strukturës së eksportit, thotë Mizo. Sipas tij, duhet të mendohet për një plan afatmesëm dhe afatgjatë për zgjerimin e strukturës së eksportit, nga të ardhurat shtesë nga eksportet e kompanive vendase nga sektorë të ndryshëm.
“Por, në të njëjtën kohë në procesin e tërheqjes së investimeve të huaja duhet të kemi kompani të tjera nga sektorë të tjerë, si nga industria prodhuese, ashtu edhe nga ajo e shërbimeve, të cilat janë ndryshe nga industria prodhuese dhe automobilistike”, thotë Mizo.
Në Maqedoninë e Veriut ka më shumë se 200 kompani me kapital gjerman në të cilat punojnë rreth 30.000 qytetarë. Sipas pritshmërive të ekonomistëve kriza ekonomike në Gjermani të stabilizohet deri në fund të vitit. Sllave dhe punëtorët e tjerë nga Maqedonia e Veriut shpresojnë se deri atëherë do të mund ta ruajnë vendin e punës në fabrika dhe se do t’i “mbijetojnë” pasigurisë që sjell ky vit.