Kryenegociatorët e RMV-së dhe Shqipërisë diskutuan për koordinimin dhe sinkronizimin e BE-së dhe Agjendës Reformuese
Vizitën e punës në Tiranë, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, e përmbylli me takimin me ministren shtetërore dhe Kryenegociatoren e Shqipërisë për BE-në, Majlinda Duka. Theksi i bisedimeve u vendos në aktivitetet aktuale të procesit të eurointegrimit të të dyja vendeve nga perspektiva e Planit për Rritje të Komisionit Evropian dhe Agjendave Reformuese të […]
Vizitën e punës në Tiranë, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, e përmbylli me takimin me ministren shtetërore dhe Kryenegociatoren e Shqipërisë për BE-në, Majlinda Duka. Theksi i bisedimeve u vendos në aktivitetet aktuale të procesit të eurointegrimit të të dyja vendeve nga perspektiva e Planit për Rritje të Komisionit Evropian dhe Agjendave Reformuese të të dyja vendeve, statusi i strukturave negociuese si për negociatat e aderimit, ashtu edhe për Agjendat Reformuese, dhe shqyrtuan mundësitë për projekte të përbashkëta bilaterale dhe rajonale të BE-së, transmeton Portalb.mk.
“Murtezani dhe Duka konstatuan se shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës mes dy vendeve në fushat kyçe të reformave, siç janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, do të ishin jashtëzakonisht të dobishme për të gjithë ata që janë të involvuar në procesin e eurointegrimit. Në takim u diskutua edhe për mundësitë e koordinimit të Agjendave Reformuese përmes qasjes të përbashkët të unifikuar dhe të përshtatur për prioritetet e BE-së. Bashkëbiseduesit u pajtuan se, përmes këtij bashkëpunimi, vendet do të rrisin efikasitetin e reformave dhe do të avancojnë integrimin rajonal”, njoftuan nga MÇE.
Ministrat shqyrtuan gjithashtu edhe mundësitë për mbështetje të ndërsjellë për projekte të përbashkëta rajonale, ku të dyja palët mund të identifikojnë dhe mbështesin projekte të përbashkëta të cilat janë të komplementare me objektivat e BE-së dhe që përforcojnë bashkëpunimin rajonal. Murtezani dhe Duka, si kryenegociatorë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me BE-në, u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë gjatë sigurimit të financimit të mjeteve nga fondet evropiane, si dhe gjatë promovimit të këtyre projekteve si demostrim i përkushtimit të përbashkët për integrimin evropian.
Ministrat gjithashtu shkëmbyen mendime edhe në lidhje me koordinimin bilateral të strukturave negociuese për BE-në dhe Agjendat Reformuese. Murtezani dhe Duka theksuan se janë të fokusuar në përforcimin e kapaciteteve dhe sigurimin që ekipet negociuese të të dyja vendeve të jenë mirë të përgatitura për përmbushjen e kushteve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kujtojmë se vendet anëtare morën vendim unanim për të ndarë rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga rruga drejt BE-së.
Ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese ka qenë temë debati edhe para disa viteve, kur Holanda e pengonte procesin eurointegrues të Shqipërisë. Në atë periudhë kërkohej ndarja e Maqedonisë nga Shqipëria.