Kur ishte në pushtet e premtoi por nuk e realizoi, BDI tani kërkon veting të pasurisë së të gjithë politikanëve në 30 vitet e fundit

Bashkimi Demokratik për integrim kërkon që qeveria të fillojë pa vonesë një “proces të paanshëm dhe gjithëpërfshirës” të vetingut për të hetuar burimin e pasurisë së politikanëve gjatë 30 viteve të fundit dhe mënyrën se si janë kryer proceset e privatizimit, transmeton Portalb.mk. “Vetëm veting i burimit të pasurisë së gjithë politikanëve pa përjashtim në […]

dhjetor 14, 2024 - 18:00
 0  5
Kur ishte në pushtet e premtoi por nuk e realizoi, BDI tani kërkon veting të pasurisë së të gjithë politikanëve në 30 vitet e fundit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bashkimi Demokratik për integrim kërkon që qeveria të fillojë pa vonesë një “proces të paanshëm dhe gjithëpërfshirës” të vetingut për të hetuar burimin e pasurisë së politikanëve gjatë 30 viteve të fundit dhe mënyrën se si janë kryer proceset e privatizimit, transmeton Portalb.mk.

“Vetëm veting i burimit të pasurisë së gjithë politikanëve pa përjashtim në 30 vitet e fundit dhe zbardhja e privatizimit – garanci për sundimin e ligjit”, thonë nga BDI.

Nga partia, nga radhët e së cilës dy persona janë futur në listën e zezë amerikane, thonë se kjo është mënyra e vetme për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm ligjor. 

“Historia ka treguar se çdo përpjekje për të përdorur antikorrupsionin si një vegël për revanshizëm politik dhe mbulim të skandaleve do të kthehet në një bumerang që do të godasë vetë ata që e nxisin.  Qeveria nuk mund të pretendojë ndërtimin e së drejtës duke përdorur taktika të padrejta dhe manipulime që vetëm sa thellojnë ndasitë në shoqëri. Shfrytëzimi i emocioneve të qytetarëve për të mbuluar dështimet strategjike të Qeverisë në dy shtyllat kyçe – Eurointegrime dhe marrëdhënie ndëretnike është strategji e rrezikshme”, thonë nga BDI.

Ndaj kërkesës së BDi-së ka reaguar VLEN-i, të cilët thonë se kur BDI flet për vetting, është njëjtë sikur t’ia kthejë shpinën aleatit të përhershëm të shqiptarëve, SHBA-së.

“Kjo parti tenton të tallet si me shqiptarët, ashtu edhe me mikun e përhershëm të tyre. Nuk ka kaluar as një javë kur SHBA-të futën në listë të zezë hijen e Ali Ahmetit, Artan Grubin.Meqë kanë dëshirë të flaktë për vetting, tashmë vetting BDI-së i bëri Artan Grubi”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

BDI e cila pas vitit 2001 ishte në kohë rekorde në pushtet dhe që ishte pjesëmarrëse në përgjegjësinë për ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor dhe si rrjedhojë rrënimin e besimit të qytetarëve në drejtësinë e korruptuar, në zgjedhjet paraprake parlamentare, premtoi, por, nuk e realizoi projektin e “vetingut”. Ky projekt parashihte kontrollin e politikanëve, prokurorëve, gjykatësve dhe punëtorëve të uniformuar. Madje, BDI, e premtoi vetingun, në kohën kur Bashkimi Evropian zyrtarisht njoftoi se nuk është i nevojshëm një projekt i këtillë.

Vetingu apo kontrolli i një personi të caktuar para marrjes së një detyre të re është një ide që mbeti vetëm si e tillë, sepse për vite me radhë po paralajmërohet, por që assesi të fillojë të zbatohet. Pavarësisht se aktorët politikë në vend, vazhdimisht thonin se do të bëjnë përpjekje serioze për ta rritur besimin e ulët të qytetarëve te gjyqësori, për momentin konsensusi kombëtar rreth kësaj çështjeje nuk është prioritet.

Vetingu si një mekanizëm që e vlerëson përgjegjësinë individuale, integritetin e një individi dhe përfshirjen e tij në keqpërdorime në të kaluarën ka qenë opsioni më i përfolur për luftimin e korrupsionit në vend. Disa herë madje u ndërmorën edhe disa hapa, por asnjëri prej tyre nuk u çua deri në fund.