Qeveria e RMV-së nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTok-ut, edhe përkundër lëndimeve që shkaktoi te nxënësit sfida “Superman”

Ministri i Digjitalizimit, Stefan Andonovski deklaroi se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut, edhe përkundër lëndimeve që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”. Ai shton se po e përcjell situatën, transmeton TV21. “Atje niveli i sigurisë dhe mbrojtjes është më i ulët nga rrjetet tjera dhe për këtë mund të […]

dhjetor 14, 2024 - 18:00
 0  5
Qeveria e RMV-së nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTok-ut, edhe përkundër lëndimeve që shkaktoi te nxënësit sfida “Superman”
Sfida Superman në TikTok. Foto printscreen

Ministri i Digjitalizimit, Stefan Andonovski deklaroi se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut, edhe përkundër lëndimeve që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”. Ai shton se po e përcjell situatën, transmeton TV21.

“Atje niveli i sigurisë dhe mbrojtjes është më i ulët nga rrjetet tjera dhe për këtë mund të shpërndahen video që bëjnë thirrje në dhunë, urrejtje, bullizim… E përcjellim me vëmendje dhe do të sillemi ashtu siç sillen shtete e BE-së. Shikoj se ka disa tendenca edhe në Suedi. I përcjellim me vëmendje që të mos bëjmë diçka që është hap në drejtim të kundërt me demokracinë, por gjithsesi në drejtim të mbrojtjes së të rinjve”, theksoi Andonovski.

Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë në ndalesën e aplikacioneve, por në edukimin e fëmijëve dhe të prindërve. Paralajmëroi se do të formohet një Qendër për internet të siguri për fëmijët, i cili do të zhvillohet me mbështetje nga sektori joqeveritar dhe universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” dhe “Goce Dellçev”.

“Pikërisht për këtë çështje po themelojmë Qendrën për internet më të sigurt për fëmijët. Vitin e ardhshëm do ta zhvillojmë me një studim fizibiliteti dhe me mbështetjen e sektorit joqeveritar, si dhe nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Universiteti “Goce Dellçev” do të krijojmë një platformë për cilat probleme apo raste të tilla mund të raportohen dhe të cilat do të jenë në gjendje t’u japin burime atyre që konsiderohen të jenë viktimë e një sulmi, ngacmimi në internet, për të përballuar të njëjtën situatë. Ky projekt përfshin një fazë të dytë me të cilën do të punojmë me mësues dhe psikologë në shkolla, me prindërit për t’u dhënë atyre burimet e nevojshme për të mbrojtur fëmijët e tyre onlajn”, theksoi ministri.

Sipas tij, është rrezik, siç tha “të hyjmë në ndalesë të aplikacioneve”.

“Ajo në të cilën do të ishte e rrezikshme të hyjmë është ndalesa e aplikacioneve, si shtet që e konsideron veten si evropiane, liberale, shtet që beson në vlerat progresive të BE-së, do të ishte e dëmshme të shkojmë drejt ndalesës së plotë të apkikacioneve”, theksoi Andonovski.

Shumë më tepër, sipas tij, duhet të punohet me prindërit.

Kujtojmë që në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar disa raste alarmante nga TikToku. Në fillim të muajit dhjetor njëmbëdhjetë fëmijë janë lënduar dhe u dërguan në spital në Shkup pas sfidës së re në rrjetin social e njohur si “Spiderman”, dhe dy prej tyre përfunduan me krahë të thyer.

Sfida e Supermenit është e njohur në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Fëmijët zakonisht e përdorin kohën për këtë kur janë në pushim të gjatë.

Fraktura dhe lëndime kanë pësuar edhe fëmijët në vendet e rajonit, përfshirë KosovënMediat rumune raportojnë se brenda një dite në spitalin “Grigore Alexandrescu” në Bukuresht kanë mbërritur 20 pacientë me kocka të thyera dhe trauma të rënda, të cilët kanë marrë pjesë në sfidën “Superman”.

Përndryshe, raste alarmante të sfidave të tjera nga TikToku u regjistruan edhe gjatë vitit 2022, kur një vajzë në moshë të re pësoi djegie nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik.

Alarmi në 2022 u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.

Portalb.mk ka trajtuar tashmë përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend. Sipas ekspertëve, depresioni dhe ankthi të rinjve vjen nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale.

Rikujtojmë që pak ditë pas vrasjes së një nxënësi 14 vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në Tiranë, Qeveria e Shqipërisë ka propozuar kufizimin e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat te fëmijët. Një nismë e ngjashme vitin 2023 u propozua edhe në Maqedoninë e Veriut, por nuk u bë asgjë konkrete ndërsa e njëjta mbeti në harresë. Ekspertët alarmojnë për ndikimet negative të rrjeteve sociale, megjithatë thonë se mbyllja e tyre duket e pamundur, megjithatë ata propozojnë masa edukative dhe preventive.