Kuzhinat popullore në RMV ofrojnë një racion në ditë për shfrytëzuesit e ndihmës sociale, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë ndryshim të konceptit
Në territorin e Maqedonisë së Veriut funksionojnë 50 kuzhina të cilat ofrojnë një racion në ditë për shfrytëzuesit e ndihmës sociale. Sipas organizatave të shoqërisë civile, nevojitet një riorganizim i të gjithë procesit për të reduktuar mbetjet ushqimore dhe për të përdorur siç duhet të gjitha burimet, shkruan Radio MOF. “Ne jemi një familje me […]
Në territorin e Maqedonisë së Veriut funksionojnë 50 kuzhina të cilat ofrojnë një racion në ditë për shfrytëzuesit e ndihmës sociale. Sipas organizatave të shoqërisë civile, nevojitet një riorganizim i të gjithë procesit për të reduktuar mbetjet ushqimore dhe për të përdorur siç duhet të gjitha burimet, shkruan Radio MOF.
“Ne jemi një familje me gjashtë anëtarë dhe çdo ditë vij këtu për të marrë ushqim. Ne kemi vetëm ndihmë sociale nga shteti. Burri im është i sëmurë dhe me ndihmën financiare mezi mbijetojmë”, na tha një zonjë teksa priste në radhë për të marrë ushqimin e përditshëm për të dhe familjen e saj nga kuzhina e ushqimit që gjendet në shkollën fillore Imri Elezi në lagjen Çair të Shkupit.
Kuzhina, e cila punon nga e hëna në të premte nga ora 09:00 deri në 11:00, ndodhet në njërën nga klasat. Dhoma është mjaft e madhe për të vendosur disa tavolina dhe karrige në të cilat vendoset ushqimi që do të shpërndahet atë ditë për shfrytëzuesit e ndihmës sociale. Siç e pamë, pjesa e brendshme ishte e rregullt dhe e pastër dhe ushqimi ruhej në kushte higjienike.
“Nga kjo kuzhinë ushqehen rreth 50 familje që vijnë çdo ditë për të marrë ushqim. Ka edhe njerëz që janë në një situatë shumë të vështirë. Ndodh ndonjëherë që të kërkojnë më shumë ushqim nga sa parashihej, sidomos të premteve sepse nuk punojmë fundjavë dhe të premteve jepet ushqim i thatë për të shtunën dhe të dielën. Ndodh shpesh që disa nga përdoruesit të mos vijnë për të marrë racionin e tyre të përditshëm sepse ia kanë dalë për atë ditë. Ushqimin e mbetur ia jap dikujt që ka shumë nevojë”, na tha punonjësja e kuzhinës popullore në Çair.
Ndërsa po bisedonim, një zotëri tjetër erdhi duke pritur për të marrë ushqimin e tij.
Ai tregoi për Radio MOF se, është i kënaqur nga ushqimi sepse në atë mënyrë arrijnë të ushqehen me bashkëshorten e tij e cila është e palëvizshme.
“Kam pesë vite që përdor ushqimin nga kjo kuzhinë, jemi një familje dy anëtarëshe, unë dhe gruaja ime. Gruaja ime ka diabet dhe nuk është shumë e lëvizshme, ndaj çdo ditë vij këtu për të marrë ushqim”, na tha ai.
Kuzhina në lagjen Çair është një nga 50 kuzhinat që janë të shpërndara në të gjithë vendin. Sipas Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në Shkup ka 7 kuzhina ushqimore me gjithsej 294 shfrytëzues. Më pas vijojnë kuzhinat e ushqimeve në Veles, Çashkë, Bogomilë dhe Gradsko, të cilat janë nën ombrellën e Institutit Publik Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale Veles. Këto kuzhina sjellin ushqim për 131 përfitues.
Në territorin e gjithë shtetit, më shumë shfrytëzues ka në Kumanovë ndërsa më së paku në Çeshinovo Oblleshevo. Në Shkup, numër më të madh të shfrytëzuesve ka në kuzhinën popullore në Komunën e Kisella Vodës ndërsa më së paku kuzhina në Komunën e Qendrës.
Sipas analizës financiare të “Ajde Maqedoni”, në Maqedoni hidhen 64.000 ton mbeturina ushqimore në vit, nga të cilat gati 7 deri në 10% janë të përshtatshme për konsum njerëzor, prandaj synimi kryesor i sistemeve për rishpërndarjen e ushqimit të tepërt te kategoritë e rrezikuara të qytetarëve është për të reduktuar urinë.
“Zgjidhja ekzistuese e ‘kuzhinave të popullit’ bazohet vetëm në një grup të vogël qytetarësh që marrin mbështetje financiare nga shteti dhe rezultatet nga terreni tregojnë se rreth 25% e atij ushqimi hidhet, për shkak se listat nuk pastrohen dhe ka qytetarë që ose nuk kanë nevojë për ushqim ose nuk kanë burime për të arritur në vendin ku shpërndahet ushqimi. Një problem shtesë në hapjen e kuzhinave popullore është përfshirja e autoriteteve vendore në proces, të cilët duhet të sigurojnë ambiente apo pika për marrjen e ushqimit në zonat urbane/rurale dhe transportimin e tij tek përdoruesit përfundimtarë, prandaj ky model për ofrimin e një racioni nuk është i përshtatshëm për kategoritë e ndryshme të përdoruesve të mundshëm”, thuhet në analizë.
Bllazhe Josifoski nga “Bëhu i gjelbër” (Go Green) thotë se nevojiten ndryshime në këtë proces për të rritur numrin e përdoruesve.
“Sa i përket kuzhinës popullore, mendoj se është e nevojshme që t’u jepen licenca organizatave të shoqërisë civile që të mund ta zbatojnë të gjithë procesin dhe kriteret duhet të vendosen nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Ato organizata që janë serioze dhe që duan ta bëjnë këtë do të mundohen ta bëjnë këtë, sepse në realitet doli që nuk është e lehtë dhe mendoj se duhet dhënë një mundësi”, thotë Bllazhe.
Në analizën e “Ajde Maqedoni” thuhet se vetëm me një sistem të ri do të mund të rregullohen dy çështjet: reduktimi i mbeturinave ushqimore dhe plotësimi i nevojave ushqimore të njerëzve që nuk kanë rrugë tjetër për t’i plotësuar ato nevoja.
“Kombinimi i modelit ekzistues dhe atij me teprica të tregut do të çojë në një model të qëndrueshëm që do të sigurojë ushqim për tre deri në katër herë më shumë qytetarë se tani. Modeli do të bazohet në shfrytëzimin e ushqimit të tepërt përmes një rrjeti kuzhinash supe, lokacionesh për marrjen e ushqimeve, paketave javore dhe mujore”, thuhet në analizë.
Përveç kuzhinës popullore, në Maqedoni ekziston edhe Banka e Ushqimit e vendosur në Shkup dhe dy Banka joformale të Ushqimit në Kavadar dhe Manastir, të cilat kanë për qëllim të ndihmojnë familjet e rrezikuara sociale në mbarë vendin.
Dushko Hristov, kryetar i Bankës së Ushqimit në Maqedoni tha për Radio MOF se mënyra e funksionimit të tyre nuk është aspak komplekse dhe është sipas parimit dhe Kapitullit të Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit – FEBA, ku janë anëtare të asociuara që nga viti 2011.
“Para së gjithash, është e nevojshme t’i dërgohet një kërkesë një donatori potencial – një operatori ushqimor, një subjekti tjetër afarist vendas, një organizate vendase apo ndërkombëtare, apo ndoshta një individi që ka dëshirën dhe mundësinë për të ndihmuar. Më pas donacionin e dhënë, ne më së shumti e marrim vetë me automjetin tonë ose automjetet e organizatave partnere që na ndihmojnë dhe e ndajmë me përdoruesit, në një vend të caktuar për ndarje në grup ose në një organizatë partnere specifike që ka mundësinë të pranojë donacion”, shpjegoi Dushko dhe shtoi se ushqimet ruhen në një magazinë me qira që kontrollohet rregullisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Në aksionet e deritanishme kemi memorandume të tilla me 12 komuna në Maqedoni, por nuk përjashtohet mundësia e dhënies së ndihmës së njëhershme për individë dhe familje që realisht janë në vështirësi. Gjithmonë shihet nga situata në terren”, tha Dushko.
Aksione të ngjashme po realizon edhe Kryqi i Kuq. Nga atje thonë se nga dy fushatat kombëtare kanë siguruar ushqim për 3.930 familje në mbarë Maqedoninë.