Ky është mësuesi i vitit në Kosovë
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për nder të Ditës së Mësuesit ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për Shaip Krasniqi nga Obiliqi, për mësuesin më të mirë të vitit. Fituesi i çmimit ka theksuar se këtë çmim ua dedikon nxënësve dhe kolektivit të shkollës. “Këta kanë qenë shtytës që unë të konkurroj


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për nder të Ditës së Mësuesit ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për Shaip Krasniqi nga Obiliqi, për mësuesin më të mirë të vitit.
Fituesi i çmimit ka theksuar se këtë çmim ua dedikon nxënësve dhe kolektivit të shkollës.
“Këta kanë qenë shtytës që unë të konkurroj për këtë çmim. Këtë çmim dua ta ndajë me nxënësit dhe kolektivin e shkollës ‘Naim Frashëri’ në Obiliq”, është shprehur ai.
Në këtë ceremoni mirënjohje u ndan edhe për 30 mësimdhënësit më të mirë nga të gjitha komunat e Kosovës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se theks të veçantë i kanë dhënë zhvillimit profesional të mësimdhënësve.
“Si arsimtare me përvojë në të gjitha nivelet e punës në arsim e kuptoj thellë peshën dhe ndjeshmërinë që e ka puna juaj e çdo ditshme, andaj edhe me këtë vetëdije në Ministrinë e Arsimit kemi vënë me theks të veçantë zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Vetëm në tre vitet e fundit janë trajnuar gjithsej 16 959 mësimdhënës në 172 programe të ndryshme trajnimi, që nga trajnimet për kurrikulë e deri te programet themelore dhe plotësuese”, ka deklaruar ajo.
Nagavci ka përmendur edhe investimet për përmirësimin e infrastrukturës.
“Po ashtu gjatë këtij mandati kemi ndërmarrë një sërë veprimesh, duke përfshirë rritjen e buxhetit për arsim për 32 për qind, investimet për përmirësimin e infrastrukturës me investime totale me 111 milionë euro”, ka theksuar Nagavci.