Lënda “Besa Trans” kthehet nga e para, Apeli pranoi ankesat e të akuzuarve

Gjykata e Apelit i ka pranuar ankesat e të akuzuarve dhe e ka shfuqizuar vendimin e shkallës së parë për rastin “Besa Trans”, me të cilin pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg, mëson Alsat. Lënda do të fillojë nga e para në Gjykatën Penale, ku në bankën e të akuzuarve do të […]

dhjetor 12, 2024 - 12:00
 0  6
Lënda “Besa Trans” kthehet nga e para, Apeli pranoi ankesat e të akuzuarve
Avokati Asmir Alispahiq, Bekim Haxhiu, pronar i "Besa Trans" dhe Hajredin Muça, përfaqësues juridik i "Besa Trans", foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Gjykata e Apelit i ka pranuar ankesat e të akuzuarve dhe e ka shfuqizuar vendimin e shkallës së parë për rastin “Besa Trans”, me të cilin pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg, mëson Alsat. Lënda do të fillojë nga e para në Gjykatën Penale, ku në bankën e të akuzuarve do të ulet sërish Haxhiu dhe përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans”.

Lënda, nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me shkaqet e aksidentit të autobusit të Besa Trans më 23 nëntor të vitit 2021 në Bullgari, ku mbetën të vdekur 45 persona, por me falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Aktgjykimi u shpall me 7 mars. Pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burgim ndërkaq kompania u detyrua të japë 800.000 denarë dëmshpërblim.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.

Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona