Letërnjoftimet me emrin “Republika e Maqedonisë” do të jenë të vlefshme derisa të kenë afat

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informon se letërnjoftimet me emrin e vjetër kushtetues do të vlejnë deri në datën e vlefshmërisë dhe nuk ka nevojë të ndryshohen nëse kanë afat. Sipas Toshkovskit, rregulli që vlente për patentë shoferët dhe pasaportat nuk vlen për letërnjoftimet. Ministri sqaroi gjithashtu se një numër i madh i […]

Jan 10, 2025 - 13:00
 0  3
Letërnjoftimet me emrin “Republika e Maqedonisë” do të jenë të vlefshme derisa të kenë afat
Letërnjoftim, foto: Portalb.mk

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informon se letërnjoftimet me emrin e vjetër kushtetues do të vlejnë deri në datën e vlefshmërisë dhe nuk ka nevojë të ndryshohen nëse kanë afat. Sipas Toshkovskit, rregulli që vlente për patentë shoferët dhe pasaportat nuk vlen për letërnjoftimet. Ministri sqaroi gjithashtu se një numër i madh i patentë shoferëve tashmë janë zëvendësuar me emrin e ri kushtetues, transmeton Portalb.mk.

“Edhe një herë u bëj thirrje punonjësve të policisë që të kenë parasysh dispozitat që janë të përcaktuara me ligj. Sipas përvojave të bazuara në letërnjoftim të vlefshëm, është absolutisht e mundur të largohemi nga Maqedonia në kuadër të vendeve me të cilat kemi marrëveshje bilaterale me letërnjoftim të vlefshëm. Letërnjoftimi në fjalë mund të bëhet i papërdorshëm nëse shteti e vendos këtë në përputhje me një ligj ose akt. Të gjitha letërnjoftimet e vlefshme do të mund të përdoren në të gjitha vendet me të cilat kemi marrëveshje dypalëshe”, shtoi ministri gjatë vizitës së tij në komunën e Zhelinës, ku u hap zyrë e re për Shërbime Administrative të MPB-së.

Pas ndryshimit të emrit kushtetues të shtetit, sipas Marrëveshjes së Prespës, qytetarët kishin detyrimin për të ndryshuar dokumentet e udhëtimit, letërnjoftimetdhe patentë shoferët. Marrëveshja hyri në fuqi më 12 shkurt 2019 dhe parashikonte një periudhë pesëvjeçare për ndryshimin e dokumenteve. Marrëveshja e Prespës u nënshkrua më 17 qershor 2018 dhe ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit në Maqedoninë e Veriut u votuan në Kuvend më 11 janar 2019.

Pas publikimit të ndryshimeve në Gazetën Zyrtare në shkurt 2019, afati pesëvjeçar filloi të rrjedhë sipas Marrëveshjes.