Levica po përgatit interpelancë kundër Toshkovskit për hetime selektive në zjarrin e Koçanit

Grupi parlamentar i Levicës njoftoi se është duke përgatitur interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për shkak të lëshimeve të rënda, fshehjes së personave drejtpërdrejt përgjegjës dhe kryerjes selektive të hetimeve për zjarrin në Koçan, transmeton Portalb.mk. “Personat që kanë pasur obligim të drejtpërdrejtë të veprojnë në momentin e tragjedisë, qëllimisht dhe […]

Prill 11, 2025 - 15:00
 0  4
Levica po përgatit interpelancë kundër Toshkovskit për hetime selektive në zjarrin e Koçanit
Ministri Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski/ Foto: Printscreen nga video e MIA-s

Grupi parlamentar i Levicës njoftoi se është duke përgatitur interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për shkak të lëshimeve të rënda, fshehjes së personave drejtpërdrejt përgjegjës dhe kryerjes selektive të hetimeve për zjarrin në Koçan, transmeton Portalb.mk.

“Personat që kanë pasur obligim të drejtpërdrejtë të veprojnë në momentin e tragjedisë, qëllimisht dhe me tendencë po hiqen nga përgjegjësia – duke përfshirë shefin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Koçanit, kreun e policisë kriminale, kryeinspektorin për krim ekonomik, menaxherin e turnit në mbrëmjen kritike, si dhe zyrtarë të tjerë nga Drejtoria për Punë të Brendshme të Shtipit dhe Drejtoria e Sigurisë Publike. Veçanërisht shqetësuese janë lidhjet politike të disa prej këtyre individëve me strukturat në pushtet, çka ngre dyshime për mbulim dhe mbrojtje të vetëdijshme”, reagon Levica.

Denoncimet ekzistuese ndaj objektit, mungesa e një reagimi institucional, përdorimi i paligjshëm i mjeteve piroteknike, si dhe “bastisja” e dyshimtë e kryer pa pjesëmarrjen e shërbimeve të inspektimit, thotë partia, tregojnë për një “dështim të vetëdijshëm institucional me pasoja katastrofike”. Levica konsideron se fakti që ka pasur mundësi ligjore që objekti të mbyllet, por që nuk është bërë, konfirmon edhe më shumë shkallën e rëndë të papërgjegjshmërisë.

“Ne do të këmbëngulim për drejtësi të plotë dhe përgjegjësi pa dallim – kushdo që dështoi, kushdo që heshti dhe kushdo që mbuloi me vetëdije duhet të mbajë përgjegjësi. Tragjedia e Koçanit nuk guxon të mbetet pa fajtorët e vërtetë”, thonë nga partia.

Prej se ka ndodhur tragjedia në Koçan, edhe partitë LSDM dhe BDI kanë dalë me qëndrime publike lidhur me hetimin.

Socialdemokratët shkojnë me tezën se hetimi është selektiv dhe me përfundimin se drejtësia selektive është padrejtësi.

Ndërkohë, pas ditëve të para të tragjedisë kur ish -ministri i brendshëm Kreshnik Bekteshi u arrestua, pati reagime sporadike nga BDI ose simpatizantët e tyre se ishte një përballje me shqiptarët.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 61 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.