Ministria e Shëndetësisë planifikon kthimin e shtatë pacientëve të rastit Koçani, nga nga shtatë vende ku po trajtohen
Ministria e Shëndetësisë informon se sot planifikohet kthimi i shtatë pacientëve nga Vjena, Ankara, Madridi, Varshava, Maribori, Athina dhe Selaniku, me ç’rast në qendrat mjekësore jashtë vendit do të mbeten për trajtim 48 pacientë, transmeton Portalb.mk. Gjendja e pacientëve që trajtohen jashtë vendit mbetet e pandryshuar, përfshirë edhe gjendjen e pacientëve në gjendje kritike. Në […]


Ministria e Shëndetësisë informon se sot planifikohet kthimi i shtatë pacientëve nga Vjena, Ankara, Madridi, Varshava, Maribori, Athina dhe Selaniku, me ç’rast në qendrat mjekësore jashtë vendit do të mbeten për trajtim 48 pacientë, transmeton Portalb.mk.
Gjendja e pacientëve që trajtohen jashtë vendit mbetet e pandryshuar, përfshirë edhe gjendjen e pacientëve në gjendje kritike.
Në spitalet brenda vendit aktualisht po trajtohen 7 pacientë, prej të cilëve katër në Klinikën Kirurgjike “Shën Naum Ohërsi”, një në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, si dhe dy pacientë në spitalin privat “Sistina”.
“Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht e ndjek gjendjen e pacientëve të lënduar, me qëllim të sigurimit të trajtimit më të mirë të mundshëm, si dhe rehabilitimit të mëtejmë”, thonë nga MSH.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.