Zgjedhja e Bogojeskit për drejtor, VLEN deklarohet e pafuqishme edhe pse është në qeveri
Ne si ministri nuk kemi kompetenca mbi atë Agjenci, as në emërimin e drejtorit. Procesi duhet të ishte më i kujdesshëm, por unë nuk jam kompetent. Shqetësimet i kemi diskutuar edhe në qeveri. Kështu është përgjigjur ministri i Çështjeve Europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani në pyetjen gazetareske se si e komenton rastin […]


Ne si ministri nuk kemi kompetenca mbi atë Agjenci, as në emërimin e drejtorit. Procesi duhet të ishte më i kujdesshëm, por unë nuk jam kompetent. Shqetësimet i kemi diskutuar edhe në qeveri. Kështu është përgjigjur ministri i Çështjeve Europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani në pyetjen gazetareske se si e komenton rastin se një person, si Petar Bogojeski, i njohur për retorikën përjashtuese ndaj komuniteteve dhe shkelës i vlerave europiane është emëruar drejtor në Agjencinë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, shkruan Portalb.mk. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë sepse sipas ligjit, Qeveria e cakton Bordin, ndërkaq Bordi e zgjedh drejtorin e Agjencisë. Qeveria pjesë e së cilës është ministër edhe Murtezani, dhe ai si minisër ka përgjegjësi për të kërkuar llogari nga bordi për shkarkim të drejtorit.
Sipas Ligjit për Themelimin e Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet, konkretisht në nenin 12 thuhet:
“Kryetarin dhe anëtarët e Bordit Udhëheqës i emëron dhe shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë”.
Pra, edhe pse Qeveria ka përgjegjësi të kërkojë llogari nga anëtarët e Bordit në prononcim dje Qeveria u mundua të arsyetohet se nuk janë “përzier në këtë punë”.
Me pyetje konkrete i drejtuam te VLEN, a do të kërkojnë shkarkim të Bogojevskit?
Por, nuk morëm përgjigje.
Shprehja e shqetësimit dhe mospasja fuqi për të ndaluar që një figurë kontroverse të vijë në institucion që do merret me paratë e Bashkimit Europian flet për pafuqinë politike të koalicioni shqiptar në qeverisjen aktuale.
Kujtojmë se VLEN ende merret me të kaluarën, dhe reagon ndaj reagimeve të BDI-së, në vend që të iniciojë shkarkim të antarëve të bordit të Agjencisë.
Kush është Bogojevski dhe çfarë qëndrimesh mban?
Petar Bogojevski është lider i partisë “Koncepti Maqedonas” dhe ish këshilltar i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskit.
Ai në opinion njihet si mjeshtër i shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes.
Bogojeskin opinioni e njohu pas daljeve të tij publike në vitin 2018, kur ai u paraqit si “reformator”, person që do t’i printe një procesi për ta reformuar VMRO-DPMNE-në. Aso kohe ai ishte kritikues i madh i kreut aktual të së njëjtës parti Hristijan Mickoski, i cili kishte marrë timonin e partisë pas ikjes së Nikolla Gruevskit.
“Banditë dhe tradhtarë“, e kishte quajtur grupin që e përkrahnin Mickoskin dhe vet Mickoskin. “Ajde ta shpëtojmë Maqedoninë“, bënte thirrje Bogojeski më 3 dhjetori të vitit 2020. Madje edhe shumë konfrontime tjera dhe akuza ndaj atyre me të cilët sot hanë e pinë në një tavolinë.
Bogojeski ka shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sidomos ndaj shqiptarëve.
Në daljet e tij publike dhe veçanërisht në Facebook, Bogojevski shpesh përdor termin “shiptar” kur i referohet shqiptarëve, fjalë që prej kohësh konsiderohet ofenduese dhe degraduese edhe në kontekstin maqedonas. Këtë ai e ka bërë në disa raste të cilat i gjeni: këtu, këtu dhe këtu.
Megjithatë, jo vetëm shqiptarët kanë qenë therrë në sytë e Bogojeskit.
Ai përmes facebook ka shprehur urrejtje edhe ndaj komunitetit të boshnjakëve. “Aktore, nuk kam faj që e urren veten dhe lekurën tënde serbe, në të cilën ke lindur! Nuk kam faj që urren fisin tënd nga vjen!”, ka shkruar Bogojeski në facebook, duke i replikuar aktivistes Mersiha Smailoviq.