Liderët e VLEN-it kundër Taravarit: Nuk kemi komunikim me BDI-në 

Pasi kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari deklaroi se ai dhe partitë tjera të VLEN-it kanë komunikim me BDI-në, kanë reaguar tre partitë tjera të koalicionit, ata thonë se nuk kanë komunikim me BDI-në, raporton Portalb.mk.  Arben Taravari në një intervistë për 360 Gradë theksoi se kanë pasur kanale komunikimi me BDI-në dhe se […]

Prill 1, 2025 - 11:00
 0  4
Liderët e VLEN-it kundër Taravarit: Nuk kemi komunikim me BDI-në 
Bilall Kasami nga VLEN, foto nga Portalb.mk

Pasi kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari deklaroi se ai dhe partitë tjera të VLEN-it kanë komunikim me BDI-në, kanë reaguar tre partitë tjera të koalicionit, ata thonë se nuk kanë komunikim me BDI-në, raporton Portalb.mk

Arben Taravari në një intervistë për 360 Gradë theksoi se kanë pasur kanale komunikimi me BDI-në dhe se nuk beson se disa nga partitë tjera nuk kanë. 

“Nuk është se ka komunikim vetëm me Aleancën, BDI sigurisht ka komunikim me partitë e tjera nga VLEN. Kjo është e pamohueshme dhe një informacion i tillë ekziston”, deklaroi Taravari. 

Taravari nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në në zgjedhjet lokale.

Mbrëmë në orët e vona ndaj kësaj deklarate u përgjigjën partitë e tjera të VLEN-it. 

“Duhet të sqarojmë se as kryetari Bilall Kasami dhe asnjë eksponent tjetër i Lëvizjes Besa nuk ka komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim”, thanë nga Lëvizja Besa. 

Edhe nga Alternativa deklaruan se nuk kanë “asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj”. 

Ndërsa Lëvizja Demokratike (LD) hodhi poshtë çdo spekulim se ka komunikim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. 

“LD nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion, ku figura kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin”, thanë nga Lëvizja Demokratike. 

Partneri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN nuk po i jeton ditët më të mira sa i përket harmonisë brenda partive që formuan koalicionin si dhe ujdisë së mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti. Shkuarja në zgjedhje lokale e VLEN-it, nga të njëjtat parti siç u bashkuan për parlamentaret është bërë temë që ka ndarë mendimet e subjekteve që përbëjnë koalicionin.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së.