Ligji i Përfaqësimit Adekuat dhe të Drejtë: Veglat përdoren dhe hidhen – Shqiptarët respektohen dhe përfaqësohen (II)
Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari Ligji në ardhje i Përfaqësimit Adekuat dhe të Drejtë përcakton se, përfaqësimi adekuat dhe i drejtë si vlerë themelore e rendit kushtetues realizohet nëpërmjet respektimit të parimeve të: mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta; meritës, profesionalizmit, kompetencës dhe integritetit; transparencës dhe llogaridhënies në proceset e punësimit dhe ngritjes në detyrë; gjithëpërfshirjes […]
Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Ligji në ardhje i Përfaqësimit Adekuat dhe të Drejtë përcakton se, përfaqësimi adekuat dhe i drejtë si vlerë themelore e rendit kushtetues realizohet nëpërmjet respektimit të parimeve të: mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta; meritës, profesionalizmit, kompetencës dhe integritetit; transparencës dhe llogaridhënies në proceset e punësimit dhe ngritjes në detyrë; gjithëpërfshirjes dhe kohezionit social; si dhe proporcionalitetit, me ruajtjen e plotë të profesionalizmit, efikasitetit dhe neutralitetit politik të administratës publike.
Si një nga autorët e ligjit të hartuar, më është bërë shpesh pyetja: Pse një ligj i ri? Pse të mos rirregullohet “balancuesi”? Përgjigja është e thjeshtë: një vegël dixhitale e përkohshme, antievropiane dhe antikushtetuese, shpesh e abuzuar dhe e gabuar matematikore e ish-qeverisë së Gruevskit e krijuar në v. 2014 për të adresuar diversitetin shumëetnik në administratën publike, nuk mund të mbështesë një shtet modern, profesional dhe të drejtë sepse qytetarët e sidomos shqiptarët kanë nevojë për një ndryshim përmbajtësor normativ nga rekrutimi i bazuar në përqindje në përfaqësim kushtetues dhe ligjor nëpërmjet meritës dhe kompetencës.
Balancuesi e reduktoi dinjitetin e shqiptarëve në një matematikë të gabuar, të korruptuar dhe të manipuluar. Ligji që vjen i fuqizon shqiptarët nëpërmjet meritës dhe kompetencës, ku vendpunimi i një shqiptari në shtet nuk është më një llogaritje matematikore që duhet manipuluar, por një e drejtë e garantuar me kushtetutë, konventa ndërkombëtare dhe ligje.
Veglat përdoren dhe hidhen, shqiptarët respektohen dhe përfaqësohen!
Prandaj, ky ligj nuk është thjesht një rregullim burokratik; por realizim kushtetues i Pikës 4.2. të Marrëveshjes së Ohrit dhe Amendamentit VI kushtetues të v. 2001, duke e përafruar Maqedoninë me standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe parimet administrative evropiane sepse të drejtat kushtetuese të qytetarëve mbrohen më mirë nëpërmjet kornizës formale ligjore, e jo trukeve administrative.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe direktivat e BE-së për mosdiskriminimin, lejojnë masa të posaçme (afirmative) për të siguruar barazi efektive, prandaj ky ligj largohet nga inxhinieria etnike drejt një qasjeje të bazuar në të drejta duke siguruar që të gjitha bashkësitë të përfaqësohen me qëllim të rritjes së legjitimitetit të administratës publike sepse sipas nenit 9 të Kushtetutës sonë dhe nenit 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut barazia nuk është vetëm një “e drejtë formale për t’u trajtuar njësoj” por një e drejtë substanciale prandaj, ky ligj duke u përqendruar në mundësitë e barabarta, synon të çmontojë barrierat sistemike që historikisht kanë lënë mënjanë bashkësi të caktuara sidomos shqiptarët.
Ligji siguron që vija fillestare të jetë e njëjtë për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare sepse kjo është një parakusht për çdo demokraci të vërtetë shumëetnike.
Parimi ligjor i meritës, profesionalizmit, kompetencës dhe integritetit paraqet reformën thelbësore sepse përfaqësimi adekuat është i pakuptimtë pa kompetencën andaj, ligji në fjalë e lidh në mënyrë të qartë përfaqësimin me punësimin e bazuar në meritë duke siguruar që punonjësit publikë të jenë të kualifikuar për të ofruar shërbime. Pra, duke përfshirë meritën dhe profesionalizmin si parime thelbësore, ligji urdhëron që asnjë individ nuk duhet të punësohet vetëm në bazë të përkatësisë kombëtare nëse i mungon kompetenca dhe integriteti i kërkuar sepse përfaqësimi dhe profesionalizmi janë dy anët e së njëjtës monedhë.
Shembja e “balancuesit” ishte kryesisht për shkak të errësirës së tij algoritmike kështu që parimi ligjor i transparencës dhe i llogaridhënies ka për qëllim rikthimin e besimit të publikut në administratën publike sepse në të kaluarën, punësimi në sektorin publik shpesh mbështillej në mjegullën e klientelizmit politik.
“Balancuesi” krijoi tavane të fshehura për profesionistët e kualifikuar, ku përkatësia kombëtare përdorej për të bllokuar kompetencën në vend që të siguronte përfaqësimin adekuat dhe të drejtë.
Prandaj, ky ligj i bën të verifikueshme proceset e rekrutimit dhe ngritjes në detyrë, ku përgjigjet në pyetjet: “kush” dhe “pse” punësohet apo ngritet në detyrë janë të qarta e të hapura ndaj shqyrtimit, duke lejuar auditimin dhe korrigjimin duke matur performancën e administratës publike kundrejt standardeve të cilësisë dhe besimit të publikut.
Prandaj, ligji nuk është vetëm për vende pune fillestare, por edhe për ngritje në detyrë dhe lidership.
Shumë shqiptarë janë të përfaqësuar në numër, por mungojnë në nivelet e vendimmarrjes.
Kur kompetenca lihet mënjanë nga truket administrative, të rinjtë më të talentuar – shqiptarë dhe jo vetëm – kërkojnë meritokraci jashtë vendit.
Ky ligj siguron që mendjet më të ndritura të qëndrojnë këtu për të ndërtuar institucionet tona, duke e ditur se suksesi i tyre garantohet me ligj.
Për të siguruar se askush të mos tallet më kurrë me “turizmin etnik” ose deklaratat taktike të identitetit, ligji i rregullon edhe kriteret mbrojtëse objektive që do të shtjellohen në shkrimin e radhës sepse përfaqësimi adekuat dhe i drejtë duhet të jetë i rrënjosur në të vërtetën dhe besimin e mirë, duke siguruar që masat afirmative të arrijnë ata për të cilët janë të destinuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën tonë.
Parimi i gjithëpërfshirjes dhe i kohezionit social ka për qëllim që administrata publike të pasqyrojë shoqërinë të cilës i shërben sepse një shtet që nuk duket si populli i tij, nuk mund të presë të besohet nga populli i tij. Prandaj, ky parim ligjor e siguron përfshirjen si një mjet për kohezionin social duke transformuar shërbimin publik në pasuri të përbashkët sepse i jep mundësi çdo qytetari të ndiejë se ka një rol në administratën publike.
Parimi më sfidues dhe thelbësor i ligjit është sigurimi i proporcionalitetit duke ruajtur plotësisht profesionalizmin, efikasitetin dhe neutralitetin politik të administratës publike.
Proporcionaliteti paraqet mesataren e artë që vendos një ekuilibër ku administrata publike është mjaftueshëm përfaqësuese për të qenë legjitime, por edhe mjaftueshëm profesionale për të mbetur e izoluar nga luhatjet e ndryshme politike.
Nga perspektiva kushtetuese, proporcionaliteti vepron si urë lidhëse sepse ligji është proporcional vetëm nëse është i nevojshëm për të arritur një qëllim legjitim në shoqëri dhe nëse efektet e tij janë të balancuara.
Nga perspektiva e standardeve ndërkombëtare, si grup pune për hartimin e ligjit parimin e proporcionalitetit e kemi hartuar duke u bazuar në testin klasik tre-hapësh: përshtatshmëria, domosdoshmëria dhe ekuilibri i drejtë, midis të drejtës kolektive për përfaqësim dhe të drejtës individuale për punësim në administratën publike bazuar në kompetencë dhe meritë.
Ligji paraqet një angazhim kushtetues dhe ndërkombëtar për një demokraci të pjekur dhe shumëetnike që zëvendëson qasjen mekanike me një qasje parimore që respekton edhe germën e Kushtetutës por, edhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe administratës publike.
Epoka kur shqiptarët ishin një “korrigjim statistikor” ka perënduar. Ky ligj zëvendëson logjikën e ftohtë dhe të gabuar të “balancuesit” me realitetin e ngrohtë të dinjitetit njerëzor dhe respektin profesional. Duke i trajtuar shqiptarët jo si mjet për t’u manipuluar, por si qytetarë që duhen fuqizuar, ky ligj siguron përputhjen e realitetit administrativ me premtimin kushtetues.
Arbën Xhaferi dhe Imer Imeri nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit për vegla por, për forcën e hekurt të ligjit që siguron përfaqësimin dinjitoz, adekuat dhe të drejtë të shqiptarëve. Ata nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit për të na kthyer në vitin 1989, por për ta varrosur përgjithmonë hegjemoninë jugosllave!
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)