Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mickoski: Nuk duam të sjellim një implant që pastaj ta hedhim

Ende nuk dihet se kur do të shikojë dritën Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe kryeministri Hristijan Mickoski edhe partnerët e tij shqiptarë në koalicion, VLEN, deklarohen se po punohet në zgjidhje ligjore, por pa dhënë afate dhe detaje konkrete, shkruan Portalb.mk. “Le të mos […]

Jan 31, 2025 - 15:00
 0  4
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mickoski: Nuk duam të sjellim një implant që pastaj ta hedhim
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ende nuk dihet se kur do të shikojë dritën Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe kryeministri Hristijan Mickoski edhe partnerët e tij shqiptarë në koalicion, VLEN, deklarohen se po punohet në zgjidhje ligjore, por pa dhënë afate dhe detaje konkrete, shkruan Portalb.mk.

“Le të mos e vendosim veten përsëri në një situatë ku duhet të sjellim një implant që më pas do të na duhet ta hedhim. Ashtu siç ndodhi, për shkak të politikave ekzibicioniste të një partie tjetër politike, e cila prej 22 vitesh mashtronte votuesit e saj me këtë lloj implanti”, tha kryeministri Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen se kur mund të kemi draft ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Ne duam që ajo që bëjmë të jetë e përhershme dhe të ofrojë një zgjidhje reale dhe si ta përfundojmë tekstin, nëse është një ligj i ri ose nëse ai ligj i ri i referohet një ligji tjetër, ai do të bëhet publik dhe do të dërgohet në Komisionin e Venecias për mendim”, përfundoi Mickoski.

Nga VLEN, për Portalb.mk, ditë më parë vërtetuan se kanë formuar grup pune dhe se po punohet në zgjidhjen ligjore, por pa dhënë afate kohore se kur mund të presim versionin e parë.

Çka dihet deri më sot për zgjidhjen e mundshme ligjore?

“Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të adresojë mangësitë e identifikuara në legjislacionin ekzistues dhe do të sigurojë një përfaqësim më të drejtë dhe proporcional të komuniteteve në sektorin publik, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë”, zotohen nga koalicioni VLEN.

Projektligji parasheh kompetenca shtesë për Agjencinë e Administratës, duke e bërë atë përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e këtij parimi në institucionet shtetërore.

“Ligji, gjithashtu, parasheh forcimin e rolit të Inspektoratit Shtetëror të Administratës, duke parashikuar sanksione për institucionet dhe subjektet juridike që nuk respektojnë dispozitat e ligjit. Këto masa duhet të garantojnë një zbatim më të plotë dhe efektiv të tij”, thanë nga VLEN.

Kujtojmë se, gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.