Lloga: Partitë që sot janë në pushtet bllokuan ligjin për masa restriktive
Ish ministri i Drejtësisë dhe anëtar i ASH-së (krahu i Zijadin Selës), Krenar Lloga ka akuzuar partitë e pushtetin se kur ishin në opozitë, bllokun në Kuvend propozim ligjin për masa restriktive të propozuar nga Qeveria e kaluar, transmeton Portalb.mk. “Megjithatë, përkundër polemikave rreth emrave të përfshirë në këtë listë – që shpesh përfaqësojnë figura […]
Ish ministri i Drejtësisë dhe anëtar i ASH-së (krahu i Zijadin Selës), Krenar Lloga ka akuzuar partitë e pushtetin se kur ishin në opozitë, bllokun në Kuvend propozim ligjin për masa restriktive të propozuar nga Qeveria e kaluar, transmeton Portalb.mk.
“Megjithatë, përkundër polemikave rreth emrave të përfshirë në këtë listë – që shpesh përfaqësojnë figura me ndikim dhe pushtet politik por edhe ekonomik – qeveria e kaluar pati guximin politik të propozojë një ligj për masa restriktive, që ndalonte aktivitetet politike dhe ekonomike të individëve të sanksionuar nga SHBA. Fatkeqësisht, ky ligj u bllokua në Kuvend nga forcat politike që sot janë në pushtet, duke treguar një qasje të motivuar nga interesa personale dhe duke u frikësuar nga humbja e sponsorëve të tyre – një frikë që u reflektua edhe në rezultatin zgjedhor”, ka thënë Lloga.
Ai po ashtu, ka akuzuar se, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vijon të jetë selektive dhe fragmentare.
“Disa figura të njohura, si ish-zv.kryeministri Koço Angjushev dhe oligarku Kamçev, vijojnë të përfitojnë nga fondet publike pa asnjë hetim të hapur ndaj tyre. Njësoj, nuk ka asnjë veprim ligjor ndaj kryetarit të Karposhit, i cili vazhdimisht shfrytëzon platformë mediatike për ligjërata politike. Një qasje e tillë selektive e drejtësisë jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucione, por cënon edhe themelet e shtetit ligjor. Drejtësia duhet të jetë e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Nuk mund të tolerohen standarde të dyfishta ku individët trajtohen ndryshe bazuar në përkatësinë etnike apo lidhjet politike. Ky diskriminim jo vetëm që dëmton sundimin e ligjit, por rrezikon edhe partneritetin me aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Lloga në reagimin e tij në Facebook.
Kujtojmë se, ish ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 11 janar të vitit 2024 prezantoi ndryshimet në Ligjin për masa kufizuese, të cilat do të zbatohen edhe në Maqedoninë e Veriut për personat që janë në “listën e zezë” të SHBA-së. Propozim ligji parashihte që, personat që do të jenë në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara për korrupsion, krim të organizuar, shpërdorim detyre dhe kërcënime hibride do të përballen me pezullimin e përkohshëm të pozicionit që mbajnë, do t’u ndalohet të marrin pjesë në tenderë deri në aktgjykimin e formës së prerë, ndërsa në lojë mbetet edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Megjithatë, më 30 janar të vitit 2024 qeveria vendosi ta tërheqë nga procedura parlamentare, duke mos dhënë asnjë arsyetim se pse e bënë këtë.