Për kryeparlamentarin Gashi, gjuha shqipe nuk është zyrtare, edhe pse ai seancat e Kuvendit i udhëheq në dy gjuhë

I pari i Kuvendit në RMV, Afrim Gashi, në paraqitjen e tij të fundit televizive për këtë vit, edhe një herë e ndezi debatin për statusin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas të cilit ka pasur edhe sërë reagimesh nga spektri politik në vend, raporton Portalb.mk. “Gjuha maqedonase është gjuhë e […]

dhjetor 28, 2024 - 20:00
 0  3
Për kryeparlamentarin Gashi, gjuha shqipe nuk është zyrtare, edhe pse ai seancat e Kuvendit i udhëheq në dy gjuhë
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, foto nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

I pari i Kuvendit në RMV, Afrim Gashi, në paraqitjen e tij të fundit televizive për këtë vit, edhe një herë e ndezi debatin për statusin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas të cilit ka pasur edhe sërë reagimesh nga spektri politik në vend, raporton Portalb.mk.

Gjuha maqedonase është gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer”, ka thënë kryeparlamentari Gashi, i cili seancat e Kuvendit në Maqedoninë e Veriut i udhëheq në gjuhën shqipe.

Nga Fronti Europian kanë thënë se pohimi i Gashit se gjuhë e vetme zyrtare në vend është gjuha maqedonase, dhe se gjuha shqipe është një gjuhë e përkthyer përbën jo vetëm një “gënjeshtër të hapur, por edhe një tradhti të rëndë ndaj popullit shqiptar, historisë sonë dhe të drejtave tona të fituara me shumë mund.”

“Është tronditëse, por jo e habitshme që Gashi një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë e shtetit, të bjerë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtërimi që as anti-shqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin”, deklaroi deputetja Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.

Deklaratën e kryeparlamentarit Gashi e ka komentuar edhe ministri i Shëndetësisë dhe anëtar i koalicionit VLEN, Arben Taravari. Sipas Taravarit, mund të kemi lojë fjalësh sa të duam, por gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase dhe, siç thotë ai, këtu pajtohemi të gjithë.

“Para vitit 1991 gjuhë zyrtare në Maqedoni kanë qenë gjuha maqedonase, shqipe dhe turke. Tash është gjuha maqedonase dhe gjuha e 20 përqind të popullatës që e flasin atë gjuhë. Ne duhet të punojmë në këtë drejtim, pasi gjuha shqipe nuk është e barabartë me atë maqedonase. Ne duhet të inisistojmë që gjuha shqipe të qëndrojë edhe si fjalë, jo si përqindje”, deklaroi Taravari.

Çka thotë Ligji për gjuhët? Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetor 2024, vendosi të caktojë seancë përgatitore me të cilën synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e lLgjit në fjalë, ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.