LSDM-ja sot mbajti Kongresin e 30-të, Fani Karanfilova u zgjodh nënkryetare në vend të Sanja Llukarevskës

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) sot ka mbajtur Kongresin e 30-të, në të cilin u zgjodh kryesia e re e partisë, raporton Portalb.mk. Në kongresin, ku morën pjesë 536 nga 626 delegatët e rinj, u zgjodh Kongresi Qendror i partisë dhe deri në fund të javës do të zgjidhet e gjithë kryesia e […]

Nëntor 25, 2024 - 13:00
 0  6
LSDM-ja sot mbajti Kongresin e 30-të, Fani Karanfilova u zgjodh nënkryetare në vend të Sanja Llukarevskës
Foto: Selia e LSDM-së

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) sot ka mbajtur Kongresin e 30-të, në të cilin u zgjodh kryesia e re e partisë, raporton Portalb.mk.

Në kongresin, ku morën pjesë 536 nga 626 delegatët e rinj, u zgjodh Kongresi Qendror i partisë dhe deri në fund të javës do të zgjidhet e gjithë kryesia e re e LSDM-së.

Nënkryetare e re e LSDM-së është zgjedhur Fani Karanfilova Pavlovska.

Ajo zëvendëson Sanja Lukarevskën, e cila dha dorëheqjen nga posti i saj pas humbjes së zgjedhjeve në maj.

Karanfilova Pavlovska është ish-drejtoreshë e Fondacionit Shoqëri e Hapur.

Në fjalën e tij kryetari i partisë Venko Filiçe, theksoi se qëllimi është krijimi i një sistemi në të cilin potenciali i personelit që kanë në dispozicion do të vendoset ekskluzivisht sipas ekspertizës dhe kompetencës së tyre, e jo për shkak të afërsisë dhe marrëdhënieve personale me kryesinë e partisë.

“Parimi është që të gjithë të shfrytëzohen aty ku mund të kontribuojnë sa më shumë në përmbushjen e qëllimeve të LSDM-së”, tha Filipçe.

Sipas kryetarit të LSDM-së, vetëm kështu me një parti të reformuar mund të punohet për reforma edhe në shtet, sepse besimi ndërtohet me vepra, e jo me fjalë boshe.

“Rindërtimi fillon nga ne”, theksoi Filipçe dhe shtoi se lidershipi i ri i LSDM-së duhet të jetë shembull i përkushtimit dhe respektit dhe të përkujtohet çdo ditë se ekziston për qytetarët, e jo anasjelltas.

Sipas Filipçes, LSDM do të jetë e hapur për të gjithë ata që janë afër ideologjisë socialdemokrate. Ai shtoi se udhërrëfyesi kryesor i partisë do të jetë solidariteti e jo arroganca.

“Me ardhjen time në krye të partisë dua të sqaroj një gjë. Të gjithë ata që do të jenë pjesë e partisë dhe strukturave drejtuese vendosen në atë pozitë për t’u shërbyer qytetarëve dhe anëtarëve të LSDM-së. Do ta varrosim thellë nën tokë arrogancën. Për sa kohë të jem kryetar, nuk do ta lejoj këtë sepse shkatërron thelbin e ekzistencës sonë”, tha Filipçe.

Ai nuk e humbi rastin të sulmojë VMRO-DPMNE-në në pushtet, e cila fitoi zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare në maj të këtij viti.

Kryesia e re përbëhet nga 113 anëtarë dhe listën e plotë e gjeni KËTU.

Kujtojmë se zgjedhjet e liderit në LSDM u mbajtën në fund të qershorit pasi LSDM pësoi humbje katastrofike në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, kur fitoi gjithsej 18 mandate parlamentare.

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe u zgjodh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM).