Luftë e heshtur: Rritje alarmante e ankthit dhe depresionit te të rinjtë në RMV, trajtimi profesional ndihmon në shërim
Ankthi dhe depresioni po prekin një numër gjithnjë e më të madh të të rinjve në Maqedoninë e Veriut, me simptoma që variojnë nga sulmet e panikut deri te ndjenja e izolimit dhe pesimizmi i vazhdueshëm. Këtë në dorë të parë për Portalb.mk e rrëfeu një i ri nga Shkupi, i cili falë mbështetjes dhe […]


Ankthi dhe depresioni po prekin një numër gjithnjë e më të madh të të rinjve në Maqedoninë e Veriut, me simptoma që variojnë nga sulmet e panikut deri te ndjenja e izolimit dhe pesimizmi i vazhdueshëm. Këtë në dorë të parë për Portalb.mk e rrëfeu një i ri nga Shkupi, i cili falë mbështetjes dhe trajtimit profesional, arriti t’i tejkalojë. Ekspertët paralajmërojnë për ndikimin e papunësisë dhe izolimit, duke theksuar nevojën urgjente për mbështetje profesionale dhe ndërgjegjësim. Ndërkaq, institucionet dhe organizatat rinore po zhvillojnë aktivitete dhe strategji për të adresuar këtë problem, ndërsa thirrjet për të kërkuar ndihmë sa më shpejt bëhen gjithnjë e më të forta, shkruan Portalb.mk.
Thirreni ndihmën e shpejtë, po vdes
Ishte duke lexuar libër në shtëpi dhe për një moment ndjeu një shtrëngim të fortë në gjoks. Kështu e filloi rrëfimin e tij me ankthin dhe depresionin një 24 vjeçar nga Shkupi.
“Fytyra më ishte zbehur, më dukej sikur drita e ditës po fikej. Fillova të bërtasë me zë të lartë: Po më dhemb zemra…, ju lutem, thirrni ndihmën e shpejtë… po vdes”, tregoi shkupjani.
Ai rrëfeu se ishte në panik dhe përjetoi ndjesi të cilën nuk e njihte më parë, “ngërçe në duar, fytyrë, trup dhe frikë të tmerrshme”.
“U përpoqa të kontaktoj ndihmën e shpejtë por mezi arrija të flisja, dhe më pas gruaja ime erdhi dhe asaj i thashë të thërrasë komshinjtë sepse nuk ndihesha më mirë. Për fat të mirë, ndihma e shpejtë erdhi shpejt dhe më dhanë qetësues”, tha ai.
Ai tregoi se kur u kthye në shtëpi, të nesërmen e njëjta situatë i ndodhi përsëri.
“Isha i tmerruar nga ideja që mund të jem larg spitalit, sikur vetëm aty isha i sigurt. Kjo gjendje u kthye në përditshmëri. Net pa gjumë, ditë me ankth, trupi im dukej sikur po më tradhtonte, ndërsa shpirti im bëhej gjithnjë e më i lodhur”, tha 24 vjeçari.
Ai tregoi se me mbështetjen e familjes, gjeti një mjek psiko-neurolog dhe filloi me terapi e cila zgjati një vit.
Edhe pse e vështirë, përmes ndihmës profesionale ai arriti t’i kalojë këto ankthe dhe sulme paniku dhe të shërohet.
“Kjo përvojë më mësoi se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm se sa ai fizik”, tregoi ai.
Ai sot bën thirrje te të gjithë të rinjtë të cilët përballen me situata të ngjashme të kërkojnë ndihmë dhe mos të kenë turp të tregojnë se çfarë po përjetojnë.
Miftari: Shqetësues pragu i moshës së të rinjve me këtë ‘epidemi’
Visar Miftari, neurolog në Spitalin Klinik të Tetovës, thekson se të rinjtë në vend gjithnjë e më shumë vuajnë nga ankthi dhe depresioni, sipas tij, kjo ndodh për shkak të izolimit të tyre dhe papunësisë në vend.
“Kohëve të fundit ka goxha klient, dhe të prekur nga kjo lloj simptomatologjije dhe numri më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmën tonë si neurolog-psikolog, psikiatër janë të rinjtë të cilët janë të prekur nga këto simptoma, por më shqetësuesja është se pragu i moshës që të cilin e ka kapluar këtë epidemi është se për shkak se numri i të rinjve rrotullohet prej moshës 18-25 vjeçare”, tha Miftari.
Sipas mjekut, simptomat më të përditshme dhe më të shpeshtat te pacientë e rinj, apo adoleshentët janë izolimi, mos funksionimi në jetën reale, mendimet negative, mendimet pesimiste, mosinteresimi për punë, mosinteresim për asgjë.
Miftari sqaroi se rol të madh në këtë drejtim luan papunësia.
“Vërtetë është shqetësuese se gati 80 përqind e masës të pacientëve të kësaj moshe pyetja e parë që unë, ua bëjë të rinjve është se a merreni me diçka, a punoni? dhe përgjigja është jo asgjë, dhe gati se një pjesë dërmuese e këtyre pacientëve janë të izoluar dhe nuk janë në marrëdhënie pune”, tha Miftari.
Ramadani: Ankthi dhe depresioni te të rinjtë ndikon në sjelljen e përditshme
Sipas psikologes Sumea Ramadani, ankthi dhe depresioni te të rinjtë shpesh vërehet si gjendje tensionesh dhe frike që ndikon në sjelljen e tyre të përditshme.
“Një adoleshent me ankth mund të ketë shqetësime të vazhdueshme për situata të zakonshme – si për shembull frikë të tepruar nga dështimi në shkollë, nga mendimi i të tjerëve ose nga siguria e vetes dhe familjes. Ai ose ajo mund të duket gjithmonë “në ankth” apo i stresuar, edhe kur nuk ka një arsye të dukshme”, thotë Ramadani.
Psikologia sqaroi se ankthi shpesh herë manifestohet edhe fizikisht, ku të rinjtë mund të kenë dhimbje koke, barku apo sulme paniku me rrahje të zemrës shumë të shpejta e marrje fryme.
“Te të rinjtë depresioni mund të duket edhe ndryshe nga “trishtimi” klasik shumë adoleshentë me depresion shfaqen të nervozuar ose të irrituar vazhdimisht, mund të kenë shpërthime zemërimi për gjëra të vogla, ose thjesht duken të pakënaqur me gjithçka rreth tyre. Këto ndryshime humori nuk janë kalimtare; ato zgjasin dhe fillojnë të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme”, theksoi Ramadani.
Prindërit dhe të afërmit t’i dëgjojnë të rinjtë, mos t’i gjykojnë
Sipas psikologes Sumea Ramadanit, ankthi dhe depresioni nuk janë thjesht faza kalimtare dhe nëse nuk trajtohen apo nëse lihen pas dore me kalimin e kohës gjendja e tyre mund të përkeqësohet.
Sipas Ramadanit mbështetja fillon me një bisedë të hapur dhe të sinqertë. Ajo thotë se prindërit dhe të afërmit e tyre duhet t’i dëgjojnë fëmijët e tyre pa gjykim dhe me empati.
“Ndihma profesionale është e domosdoshme – një psikolog/e mund t’i ndihmojë të rinjtë me strategji të përshtatshme për të përballuar gjendjen e të riut dhe që t’i ofrojë ndihmë për të përballuar ankthin apo depresionin”, tha Ramadani.
Që të rinjtë duhet të kërkojnë ndihmë kur vërejnë simptoma, apo të afërmit e tyre, e theksoi edhe neurologu Visar Miftari.
“Çdo lloj simptome që vërejmë qoftë edhe të afërmit e atyre pacientëve pa hezitim duhet të orientohen sa më shpejtë në psikologë e të tjerë. Për shkak se trajtimi fillestar i pacientëve me ankthe dhe depresione mund ti ikë përdorimit të ilaçeve kundër depresionit që ne i japim për shkak se nuk është e lehtë që një person i ri në moshën 18 vjeçare të përdorë një tabletë kundër depresionit sepse ai është ende në kulminacionin e rritjes dhe zhvillimit truror”, tha Miftari.
Miftari u bëri apel prindërve që, sapo të shfaqen shenjat e para të ankthit dhe depresionit te fëmijët e tyre, të kërkojnë menjëherë ndihmë profesionale për të shmangur përkeqësimin e gjendjes.
MASH po planifikon aktivitete për përmirësimin e shëndetit mendor te të rinjtë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit po planifikojnë aktivitete për përmirësimin e sigurisë, shëndetit mendor dhe mirëqenies së nxënësve.
Krahas kësaj, në vitin 2024 u miratua një Plan Kombëtar për Shëndetin Mendor dhe Mirëqenien Psikosociale të Fëmijëve dhe Adoleshentëve, me të cilin është përfshirë edhe kujdesi shëndetësor, arsimi, shërbimet sociale dhe bashkëpunimi horizontal ndërsektorial.
“Është arritur një marrëveshje për koordinimin dhe shfrytëzimin e përbashkët të burimeve në dispozicion në formën e doracakëve dhe kuadrove të trajnuar në krijimin e aktiviteteve afatshkurtra dhe afatmesme për ta rikthyer besimin dhe ndjenjën e sigurisë në shkolla. Qëllimi është që të nxisim një bisedë të hapur dhe klimë të mbështetjes në shkolla, dhe atë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të dëgjohen dhe të kuptohen nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe udhëheqësit”, thanë nga Ministria e Arsimit për Eurothink.
Hulumtimet tregojnë se situata është alarmante
Gjetjet e studimit ndërkombëtar të HBSC “Sjellja e lidhur me shëndetin tek fëmijët e moshës shkollore” të botuar në vitin 2023 zbuluan se 29.2 për qind e të rinjve në Maqedoninë e Veriut kishin simptoma klinike të depresionit dhe 23.7 për qind të ankthit.
Ndërkaq Këshilli Rinor Nacional ka krijuar Strategjinë Kombëtare për Shëndetin Mendor të të Rinjve 2024 – 2026, me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe të miratuar nga Qeveria.
Një hulumtim i tyre tregoi se 14% nga gjithsej 1.851 të rinj janë përballur me ndonjë problem shëndetësor ose probleme të shëndetit mendor, të tilla si ankthi dhe depresioni.