LSM: Qytetarët detyrohen të kursejnë në ushqime me qëllim që të përballojnë shpenzimet e larta
Inflacioni vjetor ka arritur në 4.5%, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë vazhdojnë të rëndojnë xhepat e qytetarëve. Ndërkohë, pagat mbeten pothuajse të pandryshuara. Nëse Qeveria nuk ndërmerr masa urgjente, rrezikohet që situata ekonomike të përkeqësohet edhe më tej, duke detyruar qytetarët të kursejnë në blerjen e ushqimeve për të arritur fundin e muajit. […]
Inflacioni vjetor ka arritur në 4.5%, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë vazhdojnë të rëndojnë xhepat e qytetarëve. Ndërkohë, pagat mbeten pothuajse të pandryshuara. Nëse Qeveria nuk ndërmerr masa urgjente, rrezikohet që situata ekonomike të përkeqësohet edhe më tej, duke detyruar qytetarët të kursejnë në blerjen e ushqimeve për të arritur fundin e muajit. Kështu vlerëson Lupço Radovski nga Lidhja e Sindikatave.
“E shohim çdo ditë që çmimet në treg po rriten. Gjithçka është shtrenjtuar, dhe sipas statistikave që kemi, ushqimet janë shtrenjtuar për 7.3% gjatë vitit të fundit, ndërsa vetëm në muajin tetor rritja ka arritur deri në 8%. Qytetarët tashmë kanë filluar të kursejnë në ushqim për të plotësuar nevojat e tjera bazë, gjë që tregon se inflacioni është në rritje. Prandaj, mendoj se është e domosdoshme të ndërmerren masa konkrete që do të përmirësonin standardin e jetesës së qytetarëve”, tha Lupço Radovski –Lidhja e Sindikatave .
Radovski shton se edhe statistikat e fundit për muajt shtator dhe tetor tregojnë ulje të shpenzimeve për ushqim, ndërkohë që janë rritur shpenzimet për veshmbathje. Sipas tij kjo dëshmon se qytetarët po detyrohen të kursejnë në blerjen e artikujve ushqimorë për të përballuar kostot e tjera të jetesës.
”Paga u rrit vetëm në muajin mars për diku 1800 denarë ndërsa kemi inflacion të shtuar dhe rritje të çmimeve tek të gjitha artikujt ndërsa shporta minimale është rritur për afërsisht 6000 denarë dhe nëse e shohim këtë që me një pagë minimale dhe një pagë mesatare nuk mund të mbulojmë shportën minimale dhe ndonjëherë në fund të muajit arrijmë në zero, atëherë duhet të na shqetësoje ky fakt dhe duhet Qeveria të thirr këshillin ekonomik social, në të cilin do të diskutohet për përmirësimin e standardit të jetës së qytetarëve”, shtoi ai.
Radovski kërkon nga institucionet që të reagojnë menjëherë, pasi, siç thotë ai, çdo vonesë do të thellojë edhe më shumë krizën ekonomike me të cilën po përballen qytetarët./Alsat.mk