Mediat dhe gazetaria në RMV përballë shumë problemeve, KE-ja radhiti ngecjet

Kushtet e vështira të punës, sulmet, kërcënimet, paditë, kuadri ligjor, pronësia, pagat, dezinformatat. Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët në Maqedoninë e Veriut, të cilat i thekson edhe Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Portalb.mk analizoi raportin në fushën e medias dhe gazetarisë. Maqedonia […]

Nëntor 10, 2024 - 12:00
 0  5
Mediat dhe gazetaria në RMV përballë shumë problemeve, KE-ja radhiti ngecjet
Media, gazetarë, gazetari. televizion, kamera, foto: Suad Bajrami

Kushtet e vështira të punës, sulmet, kërcënimet, paditë, kuadri ligjor, pronësia, pagat, dezinformatat. Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët në Maqedoninë e Veriut, të cilat i thekson edhe Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Portalb.mk analizoi raportin në fushën e medias dhe gazetarisë.

Maqedonia e Veriut është në mes të një niveli përgatitjeje dhe një niveli të moderuar të përgatitjes për lirinë e shprehjes dhe ka bërë përparim të kufizuar në këtë fushë.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti:

  • Të vazhdojë të rishikojë kuadrin ligjor që rregullon median për ta përafruar atë me acquis-in e BE-së dhe standardet evropiane, veçanërisht duke futur rregulla për transparencë të plotë në pronësinë dhe reklamimin e medias, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, në përputhje me tregun e vetëm të BE-së.
  • Të zbatojë strategjinë për reformimin e Transmetuesit Publik dhe të emërojë Këshillin Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias;
  • Të vazhdojë të adresojë menjëherë të gjitha kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe të sigurojë që autorët të sillen para drejtësisë.

Sipas Raportit vendi është mesatarisht i përgatitur edhe në fushën e medias.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten kryesisht të vlefshme.

“Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të forcojë pavarësinë dhe kapacitetin e rregullatorit të medias, Transmetuesit të Shërbimit Publik dhe rregullatorit të komunikimit elektronik”, thekson Raporti.

Kuadri ligjor që rregullon median sipas KE-së nuk është plotësisht në përputhje me acquis të BE-së, veçanërisht me Aktin Evropian për Lirinë e Medias.

Duke përmendur zgjedhjet, KE-ja thekson se qasja në media dhe shpërndarja e fondeve shtetërore nuk janë të rregulluara në mënyrë adekuate.

“Sfidat vazhdojnë në lidhje me transparencën e pronësisë së medias dhe përqendrimin e medias. Partitë politike vazhdojnë të përdorin fondet shtetërore për reklama dhe mungesa e transparencës për reklamat politike me pagesë vazhdon”, thekson Raporti.

Raporti thekson gjithashtu se transmetuesi publik ka nevojë për modernizim dhe duhet të përmirësojë konkurrencën, pavarësinë dhe standardet profesionale.

Problem mbeten edhe kushtet në të cilat punojnë gazetarët në Maqedoninë e Veriut.

“Vazhdojnë mangësitë në kushtet e punës së gazetarëve, veçanërisht kontratat afatshkurtra ose me kohë të pjesshme pa mbulim të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, puna e papaguar jashtë orarit dhe paga të ulëta, të cilat kontribuojnë në autocensurën dhe ndikimin mbi përmbajtjen editoriale nga pronarët e mediave”, thuhet në Raport.

KE-ja ka ndjekur me vëmendje sulmet ndaj gazetarëve, duke theksuar rastet e regjistruara në Ministrinë e Brendshme dhe në Shoqatën e Gazetarëve.

Raporti thekson se vitin e kaluar në gjykata u raportuan gjithsej 19 padi për shpifje ndaj gazetarëve që është më pak se vitin e kaluar, ndërsa thekson se u regjistruan 6 padi SLAPP.

KE-ja thekson se vitin e kaluar gazetarët u përballën me gjuhë të papërshtatshme nga politikanët dhe figurat publike.

“Neutraliteti i rrjetit është i garantuar, si në aspektin e dispozitave ligjore ashtu edhe në zbatimin praktik. Megjithatë, sfidat mbeten në sektorin e mediave online, me kërcënime në rritje që vijnë nga dezinformimi, gjuha e urrejtjes dhe shkeljet e të drejtave intelektuale. Këshilli i Etikës në Media vërejti një rritje katërfish të ankesave për gjuhën e urrejtjes në krahasim me vitin e kaluar”, thekson Raporti.

Mes tjerash, raporti thekson edhe pikat ku vendi ka punuar në këtë drejtim. KE-ja thekson punën e Sindikatës dhe Shoqatës së Gazetarëve për mjedis më të mirë pune. Gjithashtu thuhet se media ka përfituar nga ndihmat e BE-së që ofrojnë mundësi për mjedis më të favorshëm.

Vërejte të njëjta KE-ja për mediat dhe gazetarinë pati edhe në raportin e vitit të kaluar.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 30 tetor 2024. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni KËTU.