Mediat në RMV e kanë për obligim t’i moderojnë komentet toksike dhe diskriminuese në rrjetet sociale

Institucionet kompetente duhet të marrin seriozisht gjuhën e urrejtjes të shprehur në media dhe rrjete sociale. Por, përgjegjësia për vetërregullim dhe luftë kundër komenteve toksike dhe diskriminimit bie për të gjithë vepruesit shoqërorë. Është ky përfundimi i panel diskutimit të organizuar nga Instituti për Media dhe Analitikë- IMA, me temë: “Diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes […]

dhjetor 18, 2024 - 20:00
 0  8
Mediat në RMV e kanë për obligim t’i moderojnë komentet toksike dhe diskriminuese në rrjetet sociale
Panel-diskutimi: “Diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes në mediat dhe komunikimin publik”. Foto: Xhenis Sulimani/Portalb.mk

Institucionet kompetente duhet të marrin seriozisht gjuhën e urrejtjes të shprehur në media dhe rrjete sociale. Por, përgjegjësia për vetërregullim dhe luftë kundër komenteve toksike dhe diskriminimit bie për të gjithë vepruesit shoqërorë. Është ky përfundimi i panel diskutimit të organizuar nga Instituti për Media dhe Analitikë- IMA, me temë: “Diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes në mediat dhe komunikimin publik”, raporton Portalb.mk.

Limko Bejzaroski, kryetar i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi ka numëruar tre raste konkrete për të cilat ka ngre kallëzim për diskriminim.

“Do të tregoj tre shembuj, njëri prej të cilëve është kur komisioni vendosi të fillojë procedurë kundër një politikani në lidhje me pikëpamjet e tij të shprehura në një emision debativ ku mohon ekzistencën e bashkësisë etnike turke në Maqedoni. Ankesa e dytë është kur një deputet nxit urrejtje dhe diskriminon personat transgjinorë në Facebook. Dhe, shembulli i tretë, kur një klerik në paraqitje publike shqetëson personat në bazë të identitetit gjinor dhe orientimit seksual.

Bashkëpunimi me gazetarët nga dita në ditë po rritet dhe shpresoj në të ardhmen edhe për bashkëpunim më të shkëlqyer”, tha Bejzaroski.

Gazetarja Biljana Georgievska, tani drejtoreshë ekzekutive e Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë KEMM, kujton se mediat duhet të jenë të kujdesshme në moderimin e komenteve toksike që kanë për bazë diskriminimin dhe nxitjen e urrejtjes.

“Në Këshillin e Etikës, një nga shtyllat kryesore është Komisioni i Ankesave, ku rregullisht pranojmë ankesa nga qytetarët, institucionet dhe sektori joqeveritar për tekste të publikuara në media apo që kanë të bëjnë me përmbajtje mediatike në rrjetet sociale- këtu qëndron problemi më i madh. Mediat pretendojnë se nuk munden dhe nuk janë mjaftueshëm të ekuipuara për të monitoruar dhe pastruar komentet në rrjetet sociale. Mediat e kanë për detyrë t’i marrin parasysh dhe t’i moderojnë këto komente, të cilat shpesh janë toksike dhe përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe diskriminim”, deklaroi Georgievska.

Përfaqësuesja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sllavica Anastasovska, pohoi se KH në vitet e fundit vazhdimisht ka monitoruar, hartuar dhe ka bërë kallëzime penale në institucionet kompetente, si në Sektorin e Krimit Kibernetik ashtu edhe në Prokurorinë Themelore Publike. Mirëpo, shton më tutje Anastasovska, deri më sot, nga dhjetëra raporte që kemi dorëzuar në institucione, nuk kemi pasur asnjë aktakuzë që do të çonte procedurën në gjykatë.

Sara Milenkovska nga Koalicioni Margjinat veçoi se po deinkurajohen njerëzit që duan të mbështesin idenë e barazisë gjinore.

“Problemi nuk është vetëm në mosveprimin e institucioneve. Problemi nuk duhet të jetë vetëm i organizatave për barazi gjinore, por për të gjitha organizatat që merren me të ardhmen evropiane, procesin e integrimit, demokracinë, median…e kështu me radhë”, tha Milenovska.

Kujtojmë se, gjuha e urrejtjes e mediave ndikon drejtpërdrejt ose tërthorazi në jetët tona. Gjuha e urrejtjes që vjen nga mediat ka një ndikim të madh në jetën e përditshme, sepse mediat jo vetëm që formësojnë opinionin dhe qëndrimet publike, por ndikojnë edhe në vlerat, politikat dhe identitetet shoqërore. Gjuha e tillë është e dëmshme për shoqërinë dhe mund të manifestohet në mënyra të ndryshme, nga fyerjet e hapura dhe diskriminimi deri te format më pak të dukshme të urrejtjes, siç janë mikroagresionet dhe stereotipat. Shpesh mund të ketë një efekt shkatërrues mbi personalitetet, komunitetet dhe shoqërinë në tërësi.