Mërgata kosovare, zbulohet se sa janë regjistruar deri tani

Në procesin e regjistrimit të popullsisë janë regjistruar mbi 600 mijë qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës. Megjithatë, regjistrimi për këtë pjesë është i hapur deri me 31 gusht. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, derisa thekson rëndësinë e këtij procesi për qytetarët me nënshtetësi kosovare, paralajmëron penalizime […]

gusht 10, 2024 - 14:00
 0  5
Mërgata kosovare, zbulohet se sa janë regjistruar deri tani
mergata-kosovare,-zbulohet-se-sa-jane-regjistruar-deri-tani

mergata-kosovare,-zbulohet-se-sa-jane-regjistruar-deri-tani

Në procesin e regjistrimit të popullsisë janë regjistruar mbi 600 mijë qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës. Megjithatë, regjistrimi për këtë pjesë është i hapur deri me 31 gusht. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, derisa thekson rëndësinë e këtij procesi për qytetarët me nënshtetësi kosovare, paralajmëron penalizime ligjore për ata që nuk regjistrohen.

Thirrje në këtë drejtim për diasporën kanë bërë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, të cilët kanë kërkuar nga gjithë qytetarët e diasporës të shfrytëzojnë këtë të drejtë.

Ndërsa, Kastrati përmendi se rreth 1.2 milionë kosovarë jetojnë jashtë vendit, duke shtuar se regjistrimi synon të krijojë një bazë të dhënash të saktë për ta.

“Të dhënat aktuale që i kemi rreth 600 mijë persona që jetojnë jashtë Kosovës, janë regjistruar në dy data baza, sepse ka qenë mënyra përmes të afërmeve, ekonomi familjare, dhe sistemit online. Regjistrimi i diasporës do të zgjasë deri me 31 gusht, dhe regjistrimi i diasporës është obligim ligjor për qytetarët që kanë nënshtetësi të Kosovës, përndryshe edhe ata penalizohen në bazë të ligjit nëse nuk regjistrohen. Është një e mirë edhe për ata, me ditë shteti i Kosovës që jetojnë diku, jetojnë e punojnë, dhe është krejtësisht online…Po flasim për diasporën e re nga vitet e 70-ta, por jo edhe diasporën që ka shkuar përpara në Turqi apo Amerikë, apo vende tjera, sepse është shumë e madhe ajo, dhe nuk kanë një obligim qytetarë apo ligjor, ata që kanë shkuar që 4-5 gjenerata, obligim qytetar mund të kenë, por obligim ligjor ndoshta jo…Pa këtë pjesë vlerësojmë se si statistikë është rreth 1.2 milion që janë jashtë Kosovës, që njihen si diasporë…Rreth 600 mijë qytetarë janë regjistruar në dy aplikacionet…por, nuk e kemi një numër të saktë të diasporës”, thotë Kastrati.

Ndërsa, ka ende qytetarë që nuk janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë të cilët jetojnë në diasporë. Disa prej tyre kanë thënë se nuk janë të interesuar shumë për këtë proces.

Bashkatdhetari, i quajtur Adi i cili jeton në Gjermani, thotë se ndonëse kjo temë është në diskutim ende me familje, nuk kanë marrë vendosur ende që të regjistrohen.

“Nuk jam interesuar shumë për këto gjëra. Më herët e patëm këtë temë me prindin, por ende nuk e kemi marrë vendimin si të ja bëjmë dhe çka të bëjmë…Ende nuk e dimë saktë si t’ia bëjmë”, thotë ai.

Edhe qytetari tjetër i cili jeton jashtë vendit, Besart Gashi thotë se ende nuk është regjistruar, derisa shton se nuk ka qenë i informuar për mundësinë që të regjistrohet online.

“Nuk jam regjistruar…Jo se kam ditë (për mundësinë të regjistrohem në platformën online)”, thotë Gashi.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti derisa ka renditur disa arsyeje që të njëjtit duhet të regjistrohen në këtë proces, ka bërë thirrje edhe ndërmarrësve që të investojnë në Kosovë, pasi siç thotë ai, “Kosova po zhvillohet dhe po përparon, dhe kjo mund të rritet edhe më tej”.

“Regjistrimi online i mërgatës po vazhdon, është i hapur deri në fund të muajit gusht. Ju bëjë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tonë të dashur që patjetër të regjistrohen ata të cilët tashmë nuk e kanë bërë këtë gjë. Tash kemi rritje ekonomike dhe stabilitet institucional, progres shoqëror me qeverisje të mirë, sundim të ligjit e shtrirje të sovranitetit, lëvizje të lirë e pa viza për shumë vende. Këto janë arsyeje jo vetëm për të qëndruar në Kosovë, por edhe për t’u kthyer në atdhe. Andaj, ju bëjë thirrje të vazhdoni të regjistroheni, ejani përsëri për pushime verore në Kosovë, ejani edhe për pushime jashtë stinës së verës, ejani dhe për punë, e kthehuni në vendlindjen tuaj në Kosovën tuaj të dashur. Juve që jeni ndërmarrës ju themi investoni që të fitoni, sepse Kosova po zhvillohet e po përparon, bashkëatdhetarët janë pjesë e këtij suksesi dhe bashkë mund të rrisim edhe më tej”, thotë Kurti.

Në regjistrimin e fundit të mbajtur këtë vit, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës./rtv21/