Mesazhe nga Brukseli: Nuk ka garanci nëse Bullgaria nuk do e bllokojë sërish RMV-në, por po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje
Tani për tani nuk ka garanci nëse Bullgaria nuk do të bllokojë sërish Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj eurointegruese. Megjithatë burime në Bruksel për Portalb.mk konfirmojnë se po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje kreative e cila nënkupton arritjen në një garancie apo sigurie të tillë, kurse ndryshimet kushtetuese mbeten ndryshim që duhen […]
Tani për tani nuk ka garanci nëse Bullgaria nuk do të bllokojë sërish Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj eurointegruese. Megjithatë burime në Bruksel për Portalb.mk konfirmojnë se po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje kreative e cila nënkupton arritjen në një garancie apo sigurie të tillë, kurse ndryshimet kushtetuese mbeten ndryshim që duhen bërë. Shpresë për rrugën e RMV-së shihet edhe përbërja e re e Komisionit Evropian, ndërsa RMV-ja nuk duhet ta humbë këtë moment të rëndësishëm gjeopolitik, shkruan Portalb.mk.
Burimet në Bruksel thonë se janë duke menduar dhe punuar për një zgjidhje kreative që nënkupton gjetjen e një rruge të përbashkët që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj për në BE.
“Nuk duam që Maqedonia e Veriut të ngelet mbrapa, kjo nuk është e pranueshme, duam të ecë përpara, ju keni miq në BE, për këtë po dëgjojmë për një propozim franko-gjerman. Zgjidhja kreative që po kërkohet është të jepen garanci/siguri për RMV-në”, thonë burimet në Bruksel.
Burime të tjera thonë se BE-ja tani po kalon në një tranzicion të ndryshimit të disa zyrtarëve të lartë të BE-së, por që përbërja e re e Komisionit Evropian shihet si pozitive për RMV-në dhe rrugën e saj eurointegruese.
Ata theksojnë se pavarësisht se nuk ka garanci të plota në politikë, por për Maqedoninë e Veriut rruga do të jetë më e lehtë pas ndryshimeve kushtetuese.
“Ju duhet t’i bëni disa detyra, por edhe BE-ja ka detyrat e veta. Duam të jemi të ndihmojmë sa më shumë sa mundemi, qëndrojmë të gatshëm të ndihmojmë”, thonë burimet.
“Jemi në moment të rëndësishëm të zgjerimit. Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor është në interesin tonë (të BE-së), nga situata momentale gjeopolitike. Ne duam një kontinent të bashkuar, por me vendet që i respektojnë kriteret. Në çështjen e Maqedonisë së Veriut problemi është te çështjet bilaterale. Po, është obligim i RMV-së të bëjë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë shndërruar tani më në një çështje/temë politike”, thonë burime tjera në Bruksel.
Një burim tjetër në Bruksel thekson se ka vullnet në BE për të treguar se zgjerimi nuk është vetëm teatër, por kjo është reale.
“Ka dy faktorë në këtë drejtim: Gjeopolitika dhe meritokracia. Këta të dyja nuk shkojnë shumë së bashku”, thotë burimi.
Në një situatë të tillë, burimet theksojnë se aktorët e tjerë e shfrytëzojnë këtë moment për të ushtruar ndikimin e tyre.
“Rusia është mjaft e angazhuar me fushatat e saj propagandistike në Ballkanin Perëndimor. Kina ka ndikim por nuk është kundër integrimit në BE, më shumë është e fokusuar në ekonomi”, thonë nga Brukseli.
Për rëndësinë e zgjerimit të BE-së, sot ka folur edhe ambasadori i BE-së në RMV Mihalis Rokas. Ai ka thënë se nga përbërja e re e Komisionit Evropian duhet të prisni shumë punë.
“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është prioritet kryesor për vetë Unionin. Si dëshmi apo provë e këtij prioriteti kryesor është se kemi komesar për zgjerim dhe kemi edhe një drejtor politik që mban detyrën e zgjerimit”, tha Rokas.
Menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media dje tha se pret që RMV-ja të ndryshimet kushtetuese, asgjë më shumë dhe asgjë më pak.
Ndërkaq kyeministri I RMV-së Hristijan Mickoski në lidhje me ndryshimet kushtetuese dje tha se me janë përcaktuar vijat e kuqe nga të cilat “as ne dhe as askush nuk do të lëvizim asnjë milimetër”.
“Nuk do të jemi viktimë e bilateralizimit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Ne kemi thënë se çfarë mund të bëjmë dhe ky është maksimumi që mund të bëjmë. Kjo u është thënë të gjithë faktorëve botërorë, të gjithë njerëzve që vendosin në përgjithësi apo kanë ndonjë rol në politikën botërore”, Mickoski.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.