Transportuesit privat do të presin deri të hënën, kërcënuan me bllokadë të Shkupit, LSDM-ja kërkoi seancë të jashtëzakonshme

Shkupi do të bllokohet sërish në mënyrë totale nga dita e hënë. Kështu kërcënuan transportuesit privatë të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik të cilët prej disa muajsh kërkojnë rritje të pagesës për kilometër, raporton Alsat. “Pasi u konsultuam me kolegët, vendosem që nëse deri ditën e hënë nuk ka zgjidhje, ne kërkojmë ndjesë por e kemi […]

Nëntor 28, 2024 - 19:00
 0  3
Transportuesit privat do të presin deri të hënën, kërcënuan me bllokadë të Shkupit, LSDM-ja kërkoi seancë të jashtëzakonshme
Autobus privat, foto nga Portalb.mk

Shkupi do të bllokohet sërish në mënyrë totale nga dita e hënë. Kështu kërcënuan transportuesit privatë të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik të cilët prej disa muajsh kërkojnë rritje të pagesës për kilometër, raporton Alsat.

“Pasi u konsultuam me kolegët, vendosem që nëse deri ditën e hënë nuk ka zgjidhje, ne kërkojmë ndjesë por e kemi patjetër të fillojmë me bllokada dhe greva në rrugë. Ku do të bllokoni? Në parim i gjithë Shkupi do të bllokohet. Ne nuk transportojmë dhe i gjithë Shkupi është në kaos pasi shfrytëzohen veturat. Mjafton një rrugë të bllokojmë dhe i gjithë Shkupi do të bllokohet”, deklaroi Vllatko Todorovski – Transportues privat.

Ministri i pushtetit vendor Zllatko Perinski tha se gjendja me transportin në Shkup nuk është krizë, por është katastrofë. Perinski shtoi se qeveria mund të ndërhyjë për të shmangur situatën, por kjo është thjesht shërim i plagës, jo zgjidhje e problemit.

Këshilltarët e LSDM-së në Qytetin e Shkupit kërkuan nga kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski që të thirr seancë të jashtëzakonshme për problemin me transportuesit privatë. Ata fajësojnë këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në lidhje me problemet e transportit në Shkup.

Ndryshe, transportuesit privatë prej 27 nëntorit i kanë tërhequr nga qarkullimi autobusët e tyre në shenjë revolte pasi që edhe në seancën e sotme të Qytetit të Shkupit nuk është shqyrtuar kërkesa e tyre për rritjen e taksës për kilometër.

Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi me 20 nëntor pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë nafte.

Prej se Danela Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është kolaps dhe nuk funksionon. Nuk ka autobusë të rregullt, duhet të presësh një orë në stacione, dhe kur vjen autobusi është plot me pasagjerë. Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e VMRO-DPMNE-së me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë.