Mexhiti: Festivali “Çarshia” solli ritmet e flamenkos spanjolle në zemër të Shkupit
Nata e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia” u karakterizua nga ritmet dhe atmosfera e flamenkos spanjolle, duke sjellë në Shkup një mbrëmje të veçantë artistike me pjesëmarrjen e artistëve nga Barcelona, kështu vlerësoi kreu ...
Nata e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia” u karakterizua nga ritmet dhe atmosfera e flamenkos spanjolle, duke sjellë në Shkup një mbrëmje të veçantë artistike me pjesëmarrjen e artistëve nga Barcelona, kështu vlerësoi kreu i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili mori pjesë në aktivitet së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Maqedoninë e Veriut, Rafael Soriano Ortiz, si dhe me përfaqësues të jetës kulturore dhe artdashës të shumtë, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas Mexhitit, publiku pati mundësinë të ndjekë performancën e artistes Alba Bioque dhe kuartetit “Rrënjë dhe Erë” nga Barcelona, në një mbrëmje ku tradita muzikore spanjolle u ndërthur me atmosferën karakteristike të Shkupit.
Ai vlerësoi se festivali po e shndërron kryeqytetin në një pikëtakim të kulturave, ku artistë nga vende të ndryshme prezantojnë historinë, identitetin dhe artin e tyre para publikut vendas.
Mexhiti theksoi se, edhe pse bëhet fjalë për edicionin e parë të festivalit, interesimi dhe atmosfera e krijuar gjatë netëve të para dëshmojnë se “Çarshia” ka potencial të shndërrohet në një traditë verore kulturore në Shkup. përcjell Zhurnal.mk .
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.