Mexhiti nga Nju Jorku: Diaspora shqiptaro-amerikane, garanci e të ardhmes sonë euroatlantike
Bashkekryetari i VLEN, Izet Mexhiti, ishte i pranishëm në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të organizuar nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council – AARC) në Nju Jork. Me këtë rast, Mexhiti në një dek...
Bashkekryetari i VLEN, Izet Mexhiti, ishte i pranishëm në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të organizuar nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council – AARC) në Nju Jork.
Me këtë rast, Mexhiti në një deklaratë për INA nënvizoi rëndësinë e veçantë të këtij takimi për të ardhmen e shqiptarëve dhe përforcimin e lidhjeve me aleatin tonë më të madh strategjik.
“Ky takim është një dëshmi e fuqishme e unitetit, energjisë dhe ndikimit në rritje të diasporës sonë shqiptaro-amerikane. Përkushtimi i përbashkët për të mbrojtur dhe avancuar interesat tona kombëtare në Uashington është garancia më e mirë për zhvillimin, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të të gjithë rajonit tonë”, deklaroi Mexhiti. 
Mexhiti në këtë mbrëmje u shoqërua nga një grup biznesesh shqiptare nga Maqedonia e Veriut si dhe zëvendësministri i brendshëm, Astrit Iseni. Po poashtu pjesë e mbrëmjes ishin edhe kryeministri Hristijan Mickoski, Ministri i jashtëm, Timço Mucunski.

Bashkëkryetari i VLEN zhvilloi takime të ndara me krerët e AARC, Ilirjan Rusi dhe Marrin Vulaj, ish-gjeneralin e NATO, Uesli Klark, senatorë ameeikanë si dhe biznesmenë të mirënjohur shqiptaro-amerikanë.
Mexhiti gjatë qëndrimit në Nju Jork bashkëbisedoi edhe me krerët institucional nga Kosova, Shqipëria, shqiptarët e Malit të Zi, Luginës së Preshevës, etj.
Gala mbrëmja bëri bashkë personalitete të shquara politike e shtetërore nga rajoni dhe ShBA-ja. Ndër folësit dhe pjesëmarrësit kryesorë ishin kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, si dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Glauk Konjufca. Po ashtu, në program u përfshinë mesazhe e fjalime nga zyrtarë të lartë amerikanë, si kongresmenët Nikema Williams e Tom Suozzi, si dhe senatori Cory Booker përmes një mesazhi me video.
Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne u ndanë dy çmime tejet të rëndësishme për kontribut historik dhe humanitar: Gjenerali Wesley K. Clark u nderua me çmimin “Kalorësi i Skënderbeut” (Kalorësi i Skënderbeut Award). Ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë u vlerësua për udhëheqjen e tij historike gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe për kontributin e tij të pashlyeshëm për lirinë dhe sigurinë e popullit të Kosovës. Ndërsa, Bruno Selimaj u nderua me çmimin e paqes “Nënë Tereza” (Mother Teresa Peace Award). Veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan u vlerësua për përkushtimin e tij të gjatë jetësor në shërbim të komunitetit, ruajtjen e trashëgimisë e gjuhës shqipe, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme ndaj nismave arsimore e kulturore shqiptare në SHBA.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.