Muzeu i trashëgimisë krishtere dhe islame në Manastir, reagojnë BFI dhe BDI

Në Manastir sot është promovuar Muzeu i trashëgimisë krishtere dhe islame. Ky muze, ngërthen në vete të ashtuquajturën Jeni xhami dhe Kishën, ndërkaq hapja solemne është bërë sot, në kuadër The post Muzeu i trashëgimisë krishtere dhe islame në Manastir, reagojnë BFI dhe BDI appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Nëntor 22, 2024 - 02:00
 0  6
Muzeu i trashëgimisë krishtere dhe islame në Manastir, reagojnë BFI dhe BDI

Në Manastir sot është promovuar Muzeu i trashëgimisë krishtere dhe islame. Ky muze, ngërthen në vete të ashtuquajturën Jeni xhami dhe Kishën, ndërkaq hapja solemne është bërë sot, në kuadër të 90-vjetorit të ekzistimit të Muzeut të Manastirit.

Pas kësaj ngjarje, kanë reaguar BFI dhe BDI.

Me shqetësim të thellë morëm vesh që xhamia e Manastirit është shndërruar në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”. E konsiderojmë të papranueshme që të mos konsultohet Bashkësia Fetare Islame për një projekt të tillë, as të kërkohet pëlqimi ynë për realizimin e tij.

Në interes të të gjitha palëve të përfshira, dëshirojmë të shprehim mospajtimin tonë të thellë me këtë ide, duke pasur parasysh edhe Ligjin për Dekomunizimin e vitit 1990, i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Bashkësia Fetare Islame ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë rikthimin e Xhamisë Jeni dhe përdorimin e saj nga besimtarët myslimanë të Manastirit si një vend adhurimi.

Shteti, konkretisht Ministria e Kulturës dhe institucionet kulturore të Maqedonisë së Veriut, kurrë nuk e kanë përmbushur këtë kërkesë legjitime të Bashkësisë Fetare Islame dhe për shumë vite e kanë mbajtur këtë xhami të mbyllur, duke e përdorur si “Galerinë e Arteve”. Tani, pa miratimin e Bashkësisë Fetare Islame, Enti Kombëtar dhe Muzeu i Manastirit po e transformojnë Xhaminë Jeni në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”.

Bashkësia Fetare Islame e konsideron të domosdoshme ruajtjen dhe promovimin e frymës së tolerancës dhe respektit ndaj diversitetit fetar dhe kulturor.

Ne, si përfaqësues të myslimanëve, kundërshtojmë fuqishëm këtë iniciativë për shndërrimin e Xhamisë Jeni në “Muze” dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha aktiviteteve që lidhen me këtë proces.

Ftojmë institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut të ndalojnë çdo autorizim ligjor që çon në ndryshimin e karakterit të këtij objekti kulturor dhe fetar.

Historia shtatë shekullore e kësaj xhamie është pjesë e trashëgimisë islame të Maqedonisë së Veriut, dhe një vendim i tillë përbën fyerje për të gjithë besimtarët myslimanë të vendit tonë.

Në respekt të ndërsjellë të të drejtave dhe ndjenjave fetare të të gjithë qytetarëve, apelojmë për arsyeshmëri dhe për ndërprerjen e kësaj iniciative.

Shpresojmë që kjo letër të kontribuojë për ruajtjen e bashkëjetesës dhe paqes, si vlera të çmuara të vendit tonë, thuhet ne reagim nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut per Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Kristijan Mickoski, Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Lutkov, Entin dhe Muzeun Kombëtar të Manastirit dhe Përfaqësitë diplomatike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Nga BDI nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave, kanë reaguar pas publikimit të informacionit se në Manastir është bërë hapja solemne e Manastirit të trashëgimisë krishtere dhe islame, ku është integruar edhe Xhamia Jeni, përcjell TV21.

Nga BDI thonë se është akt i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanëshme. Tutje integristët theksojnë se është tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë Qeveri.

Reagimi i plotë i BDI.

“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të qeverisë për të aktivizuar statusin e Xhamisë  Jeni në Manastir si një galeri, duke anashkaluar ndjeshmëritë fetare dhe historike të një komuniteti të rëndësishëm në vend. 

Ky akt, i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme, është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë qeveri.

Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë. 

Në një vend si Maqedonia e Veriut, ku bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një nga vlerat themelore të shtetit, një vendim i tillë është një goditje e rëndë ndaj tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës që kemi ndërtuar ndër vite.

Ky vendim i qeverisë përfaqëson një akt degradues që përçan dhe nxit tensione të reja sociale, duke përkeqësuar klimën e mosbesimit mes komuniteteve.

Në këtë kontekst, BDI dënon politikat e qeverisë që kanë për qëllim rrënimin e themeleve të barazisë dhe bashkëjetesës, duke i shndërruar këto tema në mjete politike për përçarje. Në vend që të promovojë dialogun dhe mirëkuptimin, qeveria aktuale vazhdon të ndjekë një agjendë që rrezikon stabilitetin dhe harmoninë e shtetit tonë.

BDI kërkon fuqimisht  respektimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të çdo komuniteti në Maqedoninë e Veriut. 

Objektet e shenjta dhe monumentet historike duhet të trajtohen me ndjeshmëri dhe respekt për rolin e tyre në identitetin dhe historinë e komuniteteve që i përkasin.
Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të politikave përçarëse. 

Vendimet që anashkalojnë ndjeshmëritë ndërfetare dhe ndëretnike janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shtet demokratik dhe multietnik.
Ftojmë në promovimin e dialogut dhe harmonisë. 

Qeveria duhet të veprojë me përgjegjësi për të garantuar që vendimet e saj të pasqyrojnë nevojat dhe ndjeshmëritë e të gjitha komuniteteve në mënyrë të barabartë.
E bëjmë të qartë se ky vendim nuk është i izoluar, por pjesë e një serie veprimesh që po minojnë themelet e bashkëjetesës shumëetnike dhe shumëfetare në Maqedoninë e Veriut. Këto politika degradimi nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe nuk kontribuojnë në të ardhmen evropiane të vendit.

BDI u bën thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe të rishikojnë këtë vendim, në mënyrë që të ruajnë dhe promovojnë harmoninë ndërmjet komuniteteve. Bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një vlerë e patjetërsueshme që nuk mund dhe nuk duhet të vihet në rrezik nga vendime të tilla të njëanshme dhe të pamatura.

Stabiliteti dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut mund të sigurohen vetëm përmes respektimit të ndërsjellë, barazisë dhe promovimit të bashkëjetesës”.

The post Muzeu i trashëgimisë krishtere dhe islame në Manastir, reagojnë BFI dhe BDI appeared first on Flaka, në çdo lajm... .