Mickoski kërkon ndihmë për rrugën eurointegruese, Von der Leyen: Zbatoni ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Hristijan Mickoski e priti sot para Qeverisë kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Ajo po viziton vendin si pjesë e turneut të saj nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas protokollit, Mickoski dhe Von der Leyen kanë takim kokë më kokë, pas së cilës […]

tetor 24, 2024 - 18:00
 0  6
Mickoski kërkon ndihmë për rrugën eurointegruese, Von der Leyen: Zbatoni ndryshimet kushtetuese
Kryeministri Hristian Mickoski dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen / Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri Hristijan Mickoski e priti sot para Qeverisë kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Ajo po viziton vendin si pjesë e turneut të saj nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas protokollit, Mickoski dhe Von der Leyen kanë takim kokë më kokë, pas së cilës do të mbahet takim bilateral ndërmjet dy delegacioneve, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e KE-së në konferencën për media me kryeministrin Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut ka arritur shumë dhe se ka treguar vendosmëri në hedhjen e çdo hapi, por duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur shumë dhe ju keni treguar vendosmëri pas çdo hapi dhe unë dua t’ju lavdëroj. Tani puna duhet të vazhdojë, ne kemi një synim të qartë, që është hapja sa më e shpejtë e Klasterit të “Vlerave Themelore”. Pothuajse jemi aty, amendamentet kushtetuese që vendi juaj ka rënë dakord t’i bëjë dhe me dialog të përbashkët duhet të kalojnë, shpresoj që të gjitha forcat politike të bashkohen dhe të marrin të gjitha hapat vendimtare”, tha Von der Leyen.

Kryeministri Hristijan Mickoski nga ana tjetër tha se presin që Bashkimi Evropian të ndihmojë në gjetjen e mënyrave për të vazhduar rrugën e integrimit evropian, duke respektuar pikëpamjet legjitime të qytetarëve tanë se në të ardhmen nuk do të përballemi me kërkesa që janë në kundërshtim të thellë me idetë mbi të cilat mbështetet edhe vetë BE-ja.

Mickoski tha se takimi i tyre ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit tonë dhe për dinamizimin e mëtejshëm të integrimeve evropiane, që është interes, prioritet dhe synim kryesor strategjik.

“Ne mbetemi fort të përkushtuar si Qeveri në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Vizioni ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ne jemi të vetëdijshëm se sfida të rëndësishme na presin. Reformat që po zbatojmë në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve janë vendimtare për të ardhmen tonë. Këto ndryshime nuk janë vetëm kusht për anëtarësim në BE, por janë të nevojshme për përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve”, shtoi kryeministri Mickoski.

Von der Leyen është paraparë të ketë takim me presidenten e vendit Gordana Siljanovska-Davkova.

 

Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e takoi edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Në takim u shkëmbyen mendime dhe informacione për procesin e integrimit evropian të vendit dhe perspektivat për progres, zbatimin e reformave dhe përfitimet e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Duke e falënderuar për angazhimin dhe përkushtimin e saj personal në lidhje me zgjerimin, presidentja Siljanovska Davkova theksoi se Plani i Rritjes është një mekanizëm i rëndësishëm me potencial të madh, i cili do të përshpejtojë reformat, do të kontribuojë në standardizimin, rritjen ekonomike dhe përparimin dhe do ta afrojë vendin me BE-në.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen / Foto: Presidenca e RMV-së
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen / Foto: Presidenca e RMV-së

Presidentja theksoi se institucionet e Maqedonisë në disa fusha janë të gatshme për integrim të përshpejtuar dhe përfshirje në disa iniciativa dhe rrjete të BE-së dhe shprehu pritjen që procesi integrues të zhvillohet në bazë të parimit të meritës dhe kritereve të Kopenhagës, duke theksuar se ato janë çelësi i zhvillimit tonë.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së besueshmërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me politikën e zgjerimit, presidentja theksoi nevojën e rritjes së mbështetjes nga institucionet evropiane për tejkalimin e sfidave dypalëshe dhe përshpejtimin e integrimit evropian.

Siljanovska shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mëtejshëm të dialogut dhe theksoi rëndësinë e qasjes së re të integrimit gradual, me faza për të vazhduar paralelisht me procesin e anëtarësimit.

Në kuadër të zhvillimeve rajonale, presidentja Siljanovska Davkova theksoi se progresi i arritur nga secili vend kandidat nga Ballkani Perëndimor ka ndikim pozitiv në dinamikën rajonale të anëtarësimit në BE dhe theksoi përkushtimin e saj për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të përgjithshëm rajonal në interesi i stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të përbashkët.

SPB Shkup i informon qytetarët e Shkupit se më datën 24.10.2024 (e enjte) me rastin e vizitës së kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmerr masa për regjim të posaçëm të trafikut nëpër rrugët në rajonin më të gjerë të qytetit të Shkupit.

Presidentja von der Leyen vjen në Shkup prej Tiranës, ndërsa pas Shkupit do të niset për në Sarajevë.

Të premten ajo do të udhëtojë për në Serbi, ndërsa turneun e saj ballkanik do ta përfundojë të shtunën me një vizitë në Kosovë dhe Mal të Zi.

Sipas përfaqësuesve të KE-së, vizita do të jetë një konfirmim i përkushtimit të Komisionit Evropian ndaj vendeve të rajonit.

Kjo do të jetë gjithashtu një mundësi për von der Leyen për të promovuar Planin e Rritjes, paketën më të madhe të Bashkimit Evropian (BE) për rajonin.

Në prag të vizitës së von der Leyen në vend, Komisioni Evropian (KE) miratoi dje zyrtarisht agjendën e reformave të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian miratoi agjendat e reformave të katër vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor – Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë. Bosnja dhe Hercegovina u përjashtua nga paketa sepse paraqiti një agjendë të paplotë reformash në Bruksel. KE pret që BeH të përfundojë zyrtarisht agjendën e saj të reformave, duke udhëzuar autoritetet të finalizojnë dokumentin për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se është e impresionuar nga puna e vendeve të rajonit në agjendat e tyre reformuese. Kjo, tha ai, është dëshmi e angazhimit të tyre ndaj suksesit të Planit të Rritjes së BE-së dhe udhërrëfyesit për afrimin e ekonomive të tyre me ekonominë e Bashkimit.

Është një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh që do të shpërndahet në vendet e rajonit sipas numrit të banorëve dhe prodhimit të brendshëm bruto. Vendet do të marrin një pjesë të kësaj pakete në formën e granteve dhe pjesën tjetër në formën e kredive të buta.

Para vizitës së presidentes në këtë institucion, KE duhet të miratojë zyrtarisht agjendat e reformave për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli. 

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.